Amerika do të krijojë një “task forcë” e cila do të ketë në shënjestër ato që ajo i konsideron si “praktika tregtare të padrejta” nga konkurrentë të tillë si Kina.
Administrata e Biden tha se organi i ri do të përqendrohet në evidentimin e shkeljeve të rregullave, që kanë dëmtuar zinxhirët globalë të furnizimit. Ai do të përpiqet të frenojë konkurrencën e huaj të padrejtë që shkatërron qëndrueshmërinë e zinxhirëve kritikë të furnizimit të SHBA-së”. Një deklaratë e tillë vjen pas një rishikimi të furnizimeve të produkteve të tilla si çipat kompjuterike.
Presidenti Joe Biden urdhëroi rishikimin në muajin shkurt, duke u kërkuar agjencive qeveritare të raportojnë mbi aksesin e vendit në mallrat e tilla si materialet e rralla të tokës të përdorura në telefona dhe bateritë e automjeteve elektrike.
E udhëhequr nga Përfaqësuesi i Tregtisë i SH.B.A.-së, “task forca” e re do të kërkojë të evidentojë të gjithë ato rregulla tregtare që janë thyer dhe do të paraqesë mënyra për t’i kundërshtuar ato.
Ndërprerja e zinxhirit të furnizimit
Shtetet e Bashkuara, si shumë shtete të tjera, u përball me vështirësi në marrjen e pajisjeve mjekësore gjatë pandemisë dhe përballet akoma me vështirësi në një sërë fushash të tilla si mungesa e çipave kompjuterik dhe bllokimi i prodhimit të makinave.
Në vijim të rishikimit, Departamenti i Tregtisë i SHBA-së po konsideron gjithashtu fillimin e një hetimi mbi ndikimin që kanë në sigurinë kombëtare importet e magnetit neodymium, kryesisht nga Kina, që përdoren në motorë dhe në fushën e mbrojtjes. Shumë firma janë përballur me vonesa në prodhim për shkak të mungesës së çipave kompjuterikë. Mungesa është përkeqësuar nga kërkesa e shtuar për televizorë, telefona dhe tastiera lojërash, të cilët përdoronin të gjithë çipat gjysmëpërçues, ndërsa konsumatorët qëndronin të mbyllur në shtëpitë e tyre gjatë pandemisë. CEO-t e firmave të mëdha si IBM dhe Cisco kanë vlerësuar se këto vështirësi mund të zgjasin deri në dy vjet.
Departamenti i Energjisë do të sigurojë rreth 17 miliardë dollarë kredi për bateri të avancuara për të përshpejtuar zhvendosjen drejt makinave elektrike dhe Departamenti i Bujqësisë do të shpenzojë më shumë se 4 milionë dollarë për të forcuar zinxhirët e furnizimit të ushqimit.
Administrata e Biden tha se këto përpjekje janë shumë të rëndësishme, sepse siç kanë treguar si pandemia Covid-19 ashtu edhe kriza ekonomike aktuale, dobësia strukturore në zinxhirët e furnizimit brenda vendit dhe jashtë tij kërcënojnë sigurinë ekonomike dhe kombëtare të Amerikës./BBC