Task Forca në bregdet/ Lirohet plazhi i Gjipesë, ministri Çuçi: Ky ishte bastioni i fundit i zaptuesve

09/08/2019 2:03 PM 0 komente

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi, bashkë me ministren e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj, në cilësinë e drejtuesve të Task Forcës për turizmin në Himarë e Sarandë, ishin në Gjirin e Gjipesë ku policia liroi një hapësirë plazhi zonë të mbrojtur rreth 3 000 m2. Plazhi ishte zaptuar nga subjekte private, të cilët u proceduan penalisht nga policia. Ministri Çuçi tha se ky nuk është një aksion por nje betejë kundër paligjshmërisë, të cilën shteti do ta fitojë pa asnjë diskutim.

“Jemi këtu për të treguar qartë se informaliteti dhe paligjshmëria do të marrin fund. Këtu jemi në një zonë të mbrojtur dhe si në shumë vende të tjera të vendit njerëz të paligjshëm kishin zaptuar hapësirat publike. Sot jemi për të treguar qartë se paligjshmëria në këtë vend do të marrë fund përfundimisht. Ky gji i mrekullueshëm iu kthye shqiptarëve”, tha ministri Çuçi.

Me ndërhyrjet e njëpasnjëshme që janë kryer kohët e fundit situta sot në Himarë është shumë herë më mirë se ç’ka qenë më parë.

“Të gjitha hapësirat publike janë shfrytëzuar sipas ligjit dhe me përqindjet që i përcakton VKM-ja. Ky ishte bastioni i fundit që privati kishte zaptuar hapësirat publike në mënyrë të paligjshme”, tha ministri Çuçi.

Task Forca për turizmin vijon të monitorojë situatën në plazhet e dy bashkive kryesore turistike në jug të vendit; Himara dhe Saranda. Veç lirimit të plazheve nga zaptuesit, vëmendja është fokusuar edhe tek siguria ushqimore dhe ndotja akustike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of