Taksa e tatimit mbi fitimin, e cila aktualisht përmban shkallën tatimore prej 10 përqindësh, është konsideruar nga biznesi dhe ekspertët e fushës si mjet lehtësues, nga 20 për qind që ishte, tre vjet më parë, por tepër e rëndë si barrë fiskale sa i takon formës si duhet paguar.
Taksa, e cila aktualisht zë një peshë prej 17.2 përqindësh në totalin e të ardhurave tatimore, nga 17.4 për qind që ishte në vitin 2010, është kundërshtuar fort në dy vitet e fundit, nga shumë sektorë të biznesit, pasi parapaguhet, bazuar nga bilancet e një viti më parë dhe ku në jo pak raste tatimet kanë gjobitur subjektet për deklarime të fitimeve të ulëta, në raport me periudhën paraardhëse. Pagesa kryhet çdo muaj dhe shpesh ka rënduar biznesin, pasi duhet të vërtetonte se aktiviteti i tij ekonomik nuk ka gjeneruar fitime, ndërsa tatimet kishin planifikuar ta mblidhnin, paçka situatës financiare të subjektit.
“Monitor” ka mësuar projektin më të fundit të Ministrisë së Financave, sa i takon formës së pagesës së tatimfitimit, i cili nga çdo muaj që shlyhet aktualisht, propozohet të kryhet një herë në tre muaj, duke u bazuar te disa rregulla.
Ndryshimi i fundit prek ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, neni 30, “Parapagimet”, pika 1, sipas së cilës, “gjatë periudhës vijuese, tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, këste tremujore të tatimit mbi fitimin, jo më vonë se data 15 e muajit janar, prill, korrik dhe tetor. Kur tatimpaguesi realizon fitimin, këstet mund të paguhen në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji”.
Projekti është bërë gati dhe i ka shkuar për mendim grupeve të interesit, të cilat duhet të paraqesin komente para datës 5 maj. Sakaq, mësohet se ndryshimet mbi skemën e parapagimit të tatimfitimit, do të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2013, megjithatë, vendimi final do të merret pas diskutimeve në qeveri.
Financat: Pse ndryshuam skemën
Dikasteri i Ritvan Bodes, i cili është hartuesi i projektit të fundit, jep disa sqarime rreth ndryshimeve në ligj. Sipas ministrisë, synimi i propozimeve është vendosja e një politike të re fiskale lidhur me parapagimin e kësteve të tatimit mbi fitimin, jo vetëm në bazë mujore, por tremujore.
“Arsyeja kryesore e propozimit të këtij projektligji lidhet me përmirësimin e indikatorëve të Shqipërisë në Raportet vjetore të Bankës Botërore ‘Doing Business’. Konkretisht, në bazë të ligjit ekzistues të tatimit mbi të ardhurat dhe të evidentuar në indikatorin “Paying Taxes”, për nënkomponentin e tatimit mbi fitimin, një subjekt bën 13 pagesa gjithsej për pagimin e taksës, 12 prej të cilave janë parapagim i kësteve dhe 1 është e lidhur me Deklaratën Vjetore”, sqaron Ministria e Financave.
Për këtë arsye, propozohet ky projektligj, që këstet të reduktohen nga 13 pagesa në 5 pagesa, gjithsej. Me synim përgatitjen e sistemit të administratës tatimore si dhe të njohjes e përgatitjes së tatimpaguesve me këtë mënyrë të re pagesash, është propozuar nga Financat që ligji me ndryshime të hyjë në fuqi më 1 janar 2013.
Në numrin e kaluar, “Monitor” zbardhi shkakun e shfuqizimit të VKM-së për pagat referencë, të cilat kishin të njëjtat arsye që lidheshin me raportet kritike të Bankës Botërore.
Në analizën e Ministrisë së Financave, të publikuar në dokumentin zyrtar, nënvizohet fakti se, pagesat paraprake janë tipar i zakonshëm i sistemeve moderne të tatimit mbi të ardhurat nga biznesi. Pjesa më e madhe e vendeve kërkojnë pagesën e kësteve në mënyrë periodike, zakonisht në bazë tremujore, gjatë vitit fiskal, të cilat më pas kreditohen kundrejt detyrimit final në momentin që ky përcaktohet në bazë të deklaratave tatimore vjetore. “Një sistem pagesash paraprake i konceptuar mirë normalisht do t’i llogariste pagesat sa më afër që të ishte e mundur me detyrimin aktual vjetor. Kjo do të shmangte nevojën për pagesa të mëdha tatimesh në fund të vitit që mund të ishin problematike për t’u vjelë dhe do të shmangte nevojën për rimbursimet e rezultuara nga mbipagesat”, thotë ministria.
Debati dhe pagesat e reja
Ekspertët e fushës gjykojnë se kalimi i pagesës nga mujore në tremujore do ta rëndojë më shumë biznesin, pasi ai i shlyente detyrimet nga pak për çdo muaj, pra e përballon disi situatën financiare, ndërsa me propozimin e fundit mund të vendosë në vështirësi. Për këtë pikë, ministria shton se, element i domosdoshëm i skemës së propozuar është fleksibiliteti për t’iu përgjigjur luhatjeve në nivelin e të ardhurave nga biznesi gjatë vitit, sidomos në periudhat e vështirësive ekonomike.
“Marrja e detyrueshme nga administrata tatimore e këtyre pagesave paraprake rezulton në faktin që tatimpaguesve i mohohet mundësia e përdorimit të fondeve që mund të kenë rëndësi të madhe për mbijetesën e veprimtarisë së tyre tregtare dhe që administratës tatimore do t’i duhet gjithsesi t’i rimbursojë në të ardhmen”, vijon më tej sqarimi i Financave, në relacionin që shoqëron draftligjin.
Në dhjetor të vitit 2010, qeveria e rishikoi ligjin me disa ndryshime, në nenin 30, pjesa e “Parapagimit”, duke shtuar pikën 5, e cila thotë se, “në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton para organeve tatimore se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse, atëherë organet tatimore pranojnë zvogëlimin e parapagimeve, sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Financave”.
Në rast se subjekti taksapagues ka ulur këstet e parapagimit, të caktuara nga organi tatimor dhe detyrimi tatimor vjetor për tatimfitimin, që rezulton nga bilanci, tejkalon parapagimin me më shumë se 10 për qind, subjekti duhet të paguajë interes mbi diferencën ndërmjet detyrimit real vjetor dhe shumës së parapaguar gjatë vitit, sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Financave.
Plani
Biznesi deklaron humbje të mëdha
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për vitin 2011 arritën në rreth 19.7 miliardë lekë nga 17.6 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rritje të ndjeshme prej 12 përqindësh dhe 6.7 për qind më pak se plani i rishikuar. Muaji gusht shënoi nivelin më të ulët të arkëtimeve, me 26 për qind më pak, në raport me 2010-n, kurse maji vlerën më të lartë, me 104 për qind,
Në rezultatin e të ardhurave për tatimfitimin për këtë vit ka ndikuar derdhja e tatimfitimit nga ndërmarrjet shtetërore, e cila krahasuar me një vit më parë, është rritur në masën 101.1 për qind ose 1.1 miliardë lekë më shumë. Pesha e tatimfitimit nga ndërmarrjet shtetërore në total është vetëm 12 për qind. Sa i përket sektorit privat, të ardhurat nga tatimfitimi janë rritur me vetëm 5.8 për qind, duke pasur parasysh që sektori privat zë rreth 88 për qind të peshës specifike në këtë taksë.
Rritjen më të madhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë e ka shënuar sektori i prodhimit me 30.1 për qind i pasuar nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve me përkatësisht 25.1 për qind dhe 12.9 për qind. Me ulje janë sektori i ndërtimit dhe ai i transportit me përkatësisht – 20 për qind dhe – 11.0 për qind.
NENI 30
Parapagimet
ISHTE
1. Gjatë periudhës vijuese, tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji, shumat si më poshtë:
a) Për çdo një nga muajt janar, shkurt, mars e prill të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me 12;
b) Për çdo njërin nga 8 muajt e tjerë të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore, pakësuar me pagesat e bëra nga janari deri në prill të periudhës vijuese tatimore, pjesëtuar me 8.
BËHET
1. Gjatë periudhës vijuese, tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, këste tremujore të tatimit mbi fitimin, jo më vonë se data 15 e muajit janar, prill, korrik dhe tetor. Kur tatimpaguesi realizon fitim, këstet mund të paguhen në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji, shumat si më poshtë:
a) Për çdo njërin nga muajt janar, shkurt, mars e prill të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me 12;
b) Për çdo njërin nga 8 muajt e tjerë të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore, pakësuar me pagesat e bëra nga janari deri në prill të periudhës vijuese tatimore, pjesëtuar me 8.
Elementet
Janar 2013
Forma e re në ligj, për parapagimin e kësteve të tatimfitimit parashikohet të hyjë në fuqi, në janar të vitit 2013
Diskutimet
Biznesit i është lënë kohë deri në javën e parë të majit për t’u njohur me ndryshimet dhe për të përcjellë komentet
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.