Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vënë në dispozicion të komunikimit me tatimpaguesit një seri mjetesh, ku së fundmi ka aktivizuar versionin chat për sqarim në kohë reale. Ky shërbim u ofrohet bizneseve në web-in zyrtar, www.tatime.gov.al dhe secili nga të interesuarit mund të logohet për të marrë info në kohë reale.
Logimi në chat kërkon një emër dhe një adresë email-i dhe çdokush, individ apo biznes, mund të drejtohet me pyetje rreth paqartësive që ka me legjislacionin tatimor dhe nga ana tjetër, operatorët tatimorë aktivizohen në kohë reale.
Infrastruktura e tatimeve në ndihmë të sqarimit të bizneseve është përmirësuar dukshëm së fundmi. Në shërbim të këtij procesi, tatimet zhvilluan anketa të posaçme me bizneset, duke marrë në konsideratë kërkesën që kishin ata për shërbimin e konsulencës.
Në shkurt fillon shërbimi i call center, ku bizneset me telefon nga zyra mund të pyesin në çdo kohë operatorët që do të sqarojnë për llogari të tatimeve.
Komunikimi në distancë i administratës tatimore me biznesin i ul kostot për të dyja palët dhe ul shanset për korrupsion.
Në këtë linjë do të zhvillohen edhe kontrollet tatimore. Aplikimi i tyre në bazë të riskut do të përqendrojë fokusin e administratës në ato segmente të tregut që janë evazorët më të mëdhenj fiskalë.
Sipas tatimeve do të punohet paralelisht edhe për aplikimin e sistemeve matës të performancës, në të gjithë nivelet dhe për të gjithë funksionet administrative, të cilët do të jenë edhe treguesi për të ndërhyrë në kohë reale në të gjithë komponentët e sistemit.
Që kur erdhi në krye të tatimeve, rreth dy muaj më parë, drejtoresha e re, Vasilika Vjero, ka zgjatur dorën për të bashkëpunuar me tatimpaguesit duke çuar fillimisht inspektorët tatimorë, të cilët do të japin këshilla.
“Administrata tatimore, në vijim të klimës së bashkëpunimit me tatimpaguesit, si dhe me qëllim zbatimin e ligjit nga këta të fundit, dëshiron të theksojë, që do të vijojë një proces të qëndrueshëm të komunikimit me ta”, thuhet në një njoftim të posaçëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
nuk ka me chat !! fasada mbaroi