Tatimet: Bizneset që punojnë me shtetin mund ta përdorin portalin falas “self-care” deri në 30 qershor 

21/05/2021 12:54 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka rikujtuar të gjithë tatimpaguesve të cilët lëshojnë fatura për Organet Publike Shtetërore nëpërmjet Platformës Qëndrore të Faturave, që përdorimi i kësaj platforme nga këta tatimpagues mund të vijojë maksimalisht deri në datë 30 Qershor 2021 sipas Vendimit nr.220 i datës 12.03.2021 pika 2.1:

Tatimpaguesit që kryejnë transaksione pa para në dorë me organet publike mund të lëshojnë dhe fiskalizojnë fatura elektronike për këto transaksione nëpërmjet platformës qendrore të faturave, deri në datën 30 qershor 2021.

Pas këtij afati, përdorimi i Platformës Qendrore të Faturave nuk do të jetë i mundur për këtë kategori tatimpaguesish, ndaj duhet të fillojnë përdorimin e zgjidhjeve softuerike të certifikuara para ose maksimalisht në datën 30 Qershor 2021.

Sipas tatimeve, Platforma Self-Care do të vazhdojë të përdoret falas nga tatimpaguesit që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

➖ Tatimpaguesi duhet të jetë i regjistruar si person fizik i vetëpunësuar i vetëm

➖ Të ushtrojë aktivitetin vetëm në 1 adresë biznesi.

➖ Nuk duhet të jetë me përgjegjësinë tatimore TVSH.

➖ Duhet të jetë i regjistruar për tatim të thjeshtësuar mbi fitimin

Procesi i Fiskalizimit sipas ligjit Nr.87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”.

Që prej 1 Janarit të këtij viti ka nisur faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsiston në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike, ose ndryshe B2G, vetëm me faturë elektronike.

Ndërkohë që janë edhe dy fazat e tjera:

– Faza e dytë: Transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve, B2B, prej datës 1 Korrik 2021 dhe përkufizon monitorimin e pagesave të këtyre transaksioneve nëpërmjet sistemit bankar.

 -Faza e tretë: Transaksionet me para në dorë, B2C, me para në dorë, prej datës 1 Shtator 2021.

Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet (faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of