Tatimet, ja cilat janë ndryshimet kryesore në procedurën e ankimit

04/04/2019 1:39 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Tatime kanë publikuar ndryshimet kryesore në procedurën e Ankimit Administrativ Tatimore.

Sipas njoftimit Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bazuar në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar, si dhe në udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar”, njofton të gjithë tatimpaguest për ndryshimet kryesore të procedurave të ankimit adminstrativ tatimor sipas Paketës Fiskale 2019, si më poshtë:

Nuk mund të bëhen objekt ankimi:

  • Aktet administrative të bllokimit të veprimtarisë së tatimpaguesit, sipas neneve 41 dhe 122 të ligjit të sipërcituar;
  • Një detyrim tatimor apo një veprim/mosveprim i administratës tatimore, për të cilin Drejtoria e Apelimit Tatimor apo Komisioni për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore ka vendosur më parë, pavarësisht nëse pasqyrohet në një akt të ri administrativ.

Në rast se ankimi dorëzohet pranë një organi jokompetent (për shembull në zyrën tatimore rajonale ose në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve), afati i ankimit vlerësohet i respektuar nëse kërkesa është paraqitur në kohë pranë organit jokompetent.

Nëse detyrimi tatimor që apelohet nuk është paguar dhe për pasojë tatimpaguesi nuk ka vërtetimin e pagesës se detyrimit, atëherë tatimpaguesi, në ankimin me shkrim duhet të dorëzojë garancinë bankare të vënë për detyrimin tatimor.

Një kopje e garancisë bankare duhet të dorëzohet nga tatimpaguesi pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore që ka nxjerrë aktin administrativ të ankimuar.

Shuma e pagueshme ose shuma e vënë si garanci bankare, për detyrimin tatimor objekt ankimi, përjashton gjobat dhe kamatëvonesat e llogaritura, të përfshira në vlerësimin tatimor të ankimuar.

Nëse detyrimi në njoftimin e vlerësimit nuk përputhet me vlerësimin e regjistruar në sistemin informatik, tatimpaguesi duhet të paguajë apo vendosë garanci bankare për detyrimin tatimor sipas njoftim vlerësimit.

Me dosjen e ankimit duhet të dorëzohet edhe dokumentacioni që vërteton datën e marrjes së njoftim vlerësimit të ankimuar (kopje të zarfit postar nëpërmjet të cilit është dërguar akti administrativ i ankimuar apo konfirmim nga shërbimi postar, ose konfirmim nga drejtoria rajonale tatimore, kur ky akt është marrë dorazi pranë saj).

Kërkesa për rivendosje në afat të ankimit duhet të bëhet brenda 15 ditëve nga marrja e njoftim vlerësimit, duke paraqitur njëkohësisht ankimin dhe duke paguar apo vendosur garancinë bankare për detyrimin e përcaktuar në njoftim vlerësimin e ankimuar. Kërkesa për rivendosje në afat duhet të përmbajë shkaqet e arsyeshme dhe dokumentacionin vërtetues për mosparaqitjen e ankimit brenda afatit të ankimit. Shkaqe të arsyeshme konsiderohen rrethanat e parashikuara në pikën 111.4.2 të udhëzimit. Nëse adresa në të cilën administrata tatimore ka dërguar aktin e ankimuar, përputhet me adresën e deklaruar nga tatimpaguesi dhe nuk vërtetohet një nga shkaqet e arsyeshme të mësipërme, mosmarrja e njoftimit brenda afatit 10-ditor të përcaktuar në nenin 23 të ligjit, është në përgjegjësinë e vetë tatimpaguesit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of