Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si pjesë të rubrikës “Tatimet Këshillojnë” publikuan informacioni: “Dhënia në përdorim e aktiveve të veprimtarisë.”
Kur një person i tatueshëm, i cili tregton mallra, i jep klientit të tij në përdorim, pa pagesë, aktive të qëndrueshme të trupëzuara, pjesë e veprimtarisë së tij, me qëllim mbajtjen, ruajtjen për tregtimin e mallrave që ai furnizon, (frigoriferë, banakë frigoriferikë dhe të tjera të kësaj natyre) trajtimi i TVSH-së do të jetë si më poshtë:
1) Në rast se klienti, të cilit i është dhënë në përdorim aktivi nga furnizuesi i tij, paguan të njëjtin çmim si edhe një klient, i cili thjesht blen mallra pa marrë në përdorim aktive të kësaj natyre, atëherë nuk llogaritet TVSH mbi dhënien në përdorim të aktiveve.
2) Në rast se klienti, të cilit i është dhënë aktivi në përdorim nga furnizuesi i tij, paguan një vlerë më të madhe për mallrat e furnizuara nga ky i fundit se një klient i cili thjesht blen mallra, atëherë llogaritet TVSH, me shkallë tatimore 20%, mbi diferencën e çmimit. Kjo diferencë konsiderohet si vlerë e dhënies në përdorim të aktivit.
Që dhënia në përdorim e aktiveve të realizohet në mënyrë të rregullt, duhet të plotësohen kushtet si më poshtë:
1) Midis furnizuesit (pronar i aktivit) dhe klientit, të ekzistojë një kontratë e lidhur, sipas së cilës furnizuesi kryen furnizime të vazhdueshme të atij malli, për ruajtjen e të cilit janë të domosdoshme aktivet përkatëse dhe që dhënia në përdorim e këtyre aktiveve bëhet pa pagesë.
2) Zbatimi në praktikë i kësaj kontrate, pra furnizimet e vazhdueshme të furnizuesit (pronar i aktivit) për klientin të jenë konkretizuar me dokumente justifikuese. Në rast se konstatohet ndryshe, atëherë aktivi në fjalë për të cilin është zbritur TVSH- ja në blerje do të konsiderohet si furnizim kundrejt pagesës.
3) Furnizuesi i paraqet këto aktive në dokumentet e tij të kontabilitetit kundrejt të gjitha rregullave, si pronë të tij.
Kujdes!
Trajtimi i mësipërm është i vlefshëm vetëm në rastet kur nuk ka detyrim për klientin (blerësin) për të bërë një pagesë në vlerë ose natyrë, për llogari të furnizuesit, për marrjen në përdorim të aktivit.
Nëse dhënia në përdorim e këtyre aktiveve/mallrave, ose e drejta për t’i përdorur ato, bëhet kundrejt pagesës, atëherë kemi të bëjmë me furnizim të tatueshëm dhe mbi transaksionin zbatohet TVSH 20%. Çdo pagesë e marrë nga furnizuesi në formën e një garancie për një furnizim, konsiderohet element i vlerës së tatueshme të furnizimit si pagesë për dhënien në përdorim të aktivit dhe si e tillë është e tatueshme me TVSH.
Mallrat në dispozicion të blerësit si pjesë e furnizimit të shërbimit
Në rastet kur një person i tatueshëm, i cili kryen një furnizim shërbimi ose malli për klientët e tij dhe për qëllime të kryerjes së furnizimit vë në përdorim mallra të veprimtarisë së tij si pjesë e furnizimit të shërbimit, atëherë çdo mall i vënë në dispozicion i nevojshëm për ofrimin e shërbimit prej furnizuesit, është pjesë e furnizimit. Çdo vlerë e paguar nga klienti ose çdo vlerë e mbajtur, marrë në formë garancie nga furnizuesi i shërbimit në funksion të realizimit të kontratës së shërbimit për vetë shërbimin ose për çdo mall të përfshirë në furnizimin e shërbimit përbëjnë ose përfshihen në vlerën e tatueshme të furnizimit të tatueshëm. Në rastin kur vlera e mbajtur ose marrë si garanci në kushtet e mësipërme i kthehet klientit, atëherë bëhen saktësimet e nevojshme edhe për qëllimet e TVSH-së.
Shembull:
Në momentin e lidhjes së kontratës për marrjen e një shërbimi telefonie, furnizuesi i shërbimit i cili bën të mundur krijimin e infrastrukturës për kapjen e sinjalit prej përfituesit të shërbimit, në mënyrë që të garantojë që klienti i tij nuk e tjetërson kontratën për një periudhë të caktuar kohe (p.sh. 1 vit), i mban atij një garanci në vlerë të përcaktuar në kontratë. Vlera e kësaj garancie konsiderohet si pagesë e bërë në funksion të realizimit të shërbimit dhe si e tillë konsiderohet element i vlerës së tatueshme të furnizimit.
Nëse për çdo arsye, në përfundim të afatit të garancisë, për arsye të plotësimit ose mosplotësimit të qëllimit të garancisë, një pjesë e garancisë mbahet nga personi i tatueshëm, atëherë pjesa e mbajtur tatohet për TVSH-në si pjesë e furnizimit të tatueshëm. Garancitë e marra në lidhje me një shërbim apo mall, i cili është i përjashtuar nga TVSH sipas parashikimeve të ligjit, për qëllime të TVSH-së trajtohet e përjashtuar nga TVSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.