Në rubrikën Tatimet Këshillojnë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar menyren se si kryhet furnizimi i shërbimve kundrejt personave të pa-taueshëm, vendet ku kryehet,
Rregulli i përgjithshëm Referuar dispozitave në fuqi të Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vendi i furnizimit për furnizimet e shërbimeve kundrejt një personi të pa-tatueshëm, është në të gjitha rastet në Shqipëri, kur shërbimet furnizohen nga furnizuesi, i cili ka në Shqipëri:
a) Selinë e aktivitetit të tij ekonomik;
b) Një vendndodhje të qëndrueshme nga e cila kryhet shërbimi;
c) Ose në mungesë të tyre, banesën apo rezidencën e tij të zakonshme.
Sipas parimit të këtij rregulli, kur marrësi i shërbimit është një person i pa-tatueshem, vendi i furnizimit të shërbimit dhe për pasojë i tatimit, është në Shqipëri, kur furnizuesi i këtij shërbimi, një person i tatueshëm, është i vendosur në Shqipëri.
Person i pa-tatueshëm marrës i shërbimit është në Shqipëri a) Në rastin kur personi i tatueshëm furnizues nuk është i vendosur në Shqipëri, vendi i furnizimit është në Shqipëri, në vendin ku shërbimi merret (përdoret). b) Në rastin kur personi i tatueshëm furnizues është i vendosur në Shqipëri, vendi i furnizimit është në Shqipëri kur shërbimi përdoret (merret) nga persona të pa-tatueshëm në Shqipëri.
KUJDES!
Nëse shërbimi merret nga persona të pa-tatueshëm jashtë Shqipërisë, vendi i furnizimit nuk është në Shqipëri, por në vendin e marrësit të pa-tatueshëm.
Furnizimi i shërbimeve elektronike kundrejt personave të pa-tatueshëm
Vendi i furnizimit të shërbimeve të telekomunikacionit, të transmetimit dhe shërbimeve elektronike ndaj personave të pa-tatueshëm, pavarësisht vendndodhjes së furnizuesit, janë në Shqipëri kur realizohen në përfitim të personit të pa-tatueshëm që është vendosur apo ka banesën e tij të zakonshme në Shqipëri.
Ndër këto shërbime përfshihen:
- Transferimet dhe koncesionet e të drejtave të autorit, patentave, licencave, markave të prodhimit dhe të drejtave të tjera të ngjashme;
- Qiradhëniet e mallrave të luajtshme të trupëzuara, me përjashtim të mjeteve të transportit;
- Shërbime publiciteti;
- Shërbimet e konsulentëve, avokatëve, inxhinierëve, zyrave projektuese në të gjitha fushat, llogaritarëve;
- Përpunimi i të dhënave dhe dhënia e informacionit;
- Transaksionet bankare, financiare dhe të sigurimit apo të ri-sigurimit, me përjashtim të qiradhënies së kasafortave;
- Furnizimi me personel;
- Shërbimet e telekomunikacionit;
- Shërbime të furnizuara në mënyrë elektronike si web-site, web-hosting, mirëmbajtje në distancë e programeve, softëare, etj.
Nocioni i përdorimit apo shfrytëzimit efektiv Kriteret e përdorimit apo shfrytëzimit “faktikisht” dhe “fizikisht” marrin në konsideratë natyrën e çdo shërbimi dhe kushtet sipas të cilave përdoret apo shfrytëzohet secili nga shërbimet e të cilat për t’u përcaktuar sa më qartë vendi i furnizimit, duhet të analizohen rast pas rasti.
Për sqarim të këtij përcaktimi përmendim shembujt e mëposhtëm:
a) Shërbimet e publicitetit janë kryer në Shqipëri, kur vendi nga i cili shpërndahen spotet publicitare për një publik të synuar, ndodhet në Shqipëri. Fakti që media mund të kapet përtej Shqipërisë nuk ndikon, në rastin kur publiku i synuar ndodhet efektivisht në Shqipëri.
b) Shërbimet e telekomunikacionit të furnizuara me anë të një linje konsiderohen se përdoren efektivisht në Shqipëri, kur telefoni i klientit që emeton komunikacionin ndodhet në këtë vend. Në rastin e një telefoni celular, përdorimi apo shfrytëzimi efektiv prezumohen të jenë në Shqipëri kur karta SIM është shitur në këtë vend.
c) Vendi i përdorimit apo shfrytëzimit efektiv të shërbimeve të transmetimit radiotelevizive, të cilat i mundësojnë klientit të shohë transmetimet televizive apo të dëgjojë radio është në Shqipëri, kur aparatet e marrësit që mundësojnë përfitimin e shërbimeve ndodhen në këtë vend, çka përkon në shumë raste me vendin e një pasurie të paluajtshme ku furnizohet aksesi në këto shërbime.
Vendi i furnizimit për shërbimet e furnizuara nga ndërmjetës Vendi i furnizimit të shërbimeve të realizuara nga ndërmjetësit që veprojnë në emër dhe për llogari të një personi tjetër është në Shqipëri, nëse vendi i shërbimit kryesor për të cilin ndërmjetëson ndërmjetësi është në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.