Tatimet këshillojnë tatimpaguesin mbi detyrimin për përdorimin e pajisjeve fiskale dhe lëshimin e kuponit; Rastet kur penalizohet

11/06/2019 4:27 PM 0 komente

Në rubrikën “Tatimet Këshillojnë” u publikua informacioni:
“Detyrimi i tatimpaguesve për përdorimin e pajisjeve fiskale dhe lëshimin e kuponit tatimor”.

Referuar dispozitave të ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor.

Tatimpaguesi është i ndaluar të mbajë apo përdorë pajisje fiskale dhe sisteme monitorimi të qarkullimit, të ndryshme nga ato të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore apo akteve nënligjore në zbatim të ligjit.

Kuponi tatimor i lëshuar nëpërmjet paisjeve fiskale dhe detyrimi për përdorimin e tyre

Kuponi tatimor është dokument i lëshuar me anë të pajisjeve fiskale apo të pajisjeve të tjera elektronike. Forma dhe përmbajtja e kuponit tatimor është siç përcaktohet në Vendimin e Këshillit te Ministrave Nr.781, datë 14.11.2007 “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike të deklarimeve financiare, sistemit të komunikimit për procedurën e dokumentacionin për miratimin e tyre dhe për kriteret për pajisjen me autorizim të shoqërive të autorizuara për ofrimin e pajisjeve fiskale” dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij.

Sipas nenit 54 të ligjit të sipërcituar, është detyrim ligjor që, personat e tatueshëm, që shesin mallra për konsum final apo ofrojnë shërbime, në njësi të përhershme të hapura për publikun duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupona tatimorë, përfshirë këtu edhe personat e tatueshëm të cilët shesin libra të çdo lloji, revista, gazeta dhe artikuj të tjerë. Kuponi tatimor lëshohet në dy kopje, një nga të cilat është kopje letër që i jepet klientit konsumator të mallrave apo shërbimeve të blera dhe tjetra i mbetet vetë personit të tatueshëm në shiritin e kontrollit të arkës regjistruese. Kuponi tatimor është dokumenti nëpërmjet të cilit realizohet transparenca e duhur në marrëdhëniet e çdo biznesi me klientët e tij.

Sjellim në vëmendje se:
Çdo blerësi, person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor, në përputhje me këtë ligj. Për këtë qëllim, tatimpaguesi detyrohet të afishojë në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një njoftim për blerësin në përputhje me këtë nen.

Kujdes!
Personi i tatueshëm shitës me pakicë, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, kur vlera e çdo furnizimi të kryer për blerësin, pavarësisht nga statusi i këtij të fundit, është më e madhe se 40,000 lekë, përfshirë TVSH. Për çdo furnizim të tillë të bërë për individët konsumatorë jotregtarë, në faturën e lëshuar nga shitësi paraqitet detyrimisht emri, mbiemri dhe adresa e blerësit.
Personi i tatueshëm shitës me pakicë, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar gjithashtu që përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, pavarësisht nga vlera e furnizimit, në rastet kur marrësi i furnizimit është person i tatueshëm dhe kërkon faturë tatimore për nevoja biznesi apo kur marrësi i furnizimit edhe kur nuk është personi i tatueshëm, e kërkon faturën.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of