Data 14 e çdo muaji është data e fundit kur deklarohet TVSH-ja e muajit paraardhës. Nga ana tjetër, ligji parashikon që në rast se data e deklarimit është festë zyrtare, ose pushim, atëherë afati shtyhet pëwr ditën e nesërme e punës.
Por, ky muaj ka shkaktuar konfuzion tek bizneset, pasi data 14 (sot) është pushim, ndërsa në kalendarin tatimor, subjektet kanë konstatuar se nuk është shtyrë afati i deklarimit të TVSH-së së muajit shkurt 2018 nga 14.03 në 15.03.
Por, burime zyrtare të tatimeve konfirmuan për Monitor se afati i fundit i deklarimit të TVSH-së së muajit shkurt është data 15 mars, pasi gjithnjë në rast feste dhe pushimi, afati shtyhet për një ditë më vonë.
Tatimet u tërheqin gjithashtu vëmendjen bizneseve që të mos i lënë deklarimet për ditën e fundit. Të njëjtën thirrje tatimet e bënë edhe për dorëzimin e pasqyrave financiare të vitit 2017, ku këshilluan subjektet të bëjnë deklarimin deri në 30 mars dhe të mos e lënë për datën 31, kur bie e shtunë. http://www.monitor.al/tatimet-kujtojne-bizneset-afati-per-deklarimin-e-bilanceve-eshte-31-mars-por-mos-e-lini-per-diten-e-fundit/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.