Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi sot se tatimi mbi dividend për fitimet e pashpërndara është në shkallën 8%, nëse pagesa kryhet brenda datës 20 gusht 2019.
Në zbatim të Ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, tatimi mbi dividentin për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitin 2018, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, është në shkallën 8%, nëse këtë pagesë e kryeni brenda datës 20 gusht 2019.
Po kështu, do të aplikohet shkalla tatimore 8% për fitimet e pashpërndara, të realizuara në vitet 2017 e më parë përfshirë, me kushtin që tatimi të paguhet brenda datës 30 shtator 2019.
Administrata tatimore lajmeron se në rast se nuk zbatohen kushtet e mësipërme për vitet 2018 e më përpara, tatimpaguesi do të paguajë 15% tatim mbi dividentin.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të vijojë të përcjellë kujtesa dhe informacion për tatimpaguesit e çdo fashe qarkullimi, mbi legjislacionin dhe procedurat tatimore.
Dividendi është pjesa e fitimeve që një kompani i shpërndan aksionerëve të saj.
Tatimi mbi dividentin ishtë 15%, por me ndryshimet e paketës fiskale aktualisht niveli i këtij tatimi është 8%.
Rritja e tatimit mbi dividentin nga 10 në 15% në vitin 2014 ka nxitur evazionin për këtë tatim. Në vitin 2017, të ardhurat nga dividendi ishin vetëm 178 milionë lekë me rënie 81%, në raport me vitin 2013, kur tatimi ishte 5 pikë përqindje më i ulët.
Për të ulur barrën tatimore, e cila më 2014 u rëndua edhe nga tatimi më i lartë mbi fitimin, bizneset nisën të përdorin disa mjete brenda ligjit për të shmangur pagesën e dividendit. Shumë prej shoqërive të mëdha kanë mbajtur pa shpërndarë fitimin për disa vite, për të shmangur tatimin dhe të tjera kanë bëra shtesa “fiktive” në kapital.
Në dijeni të këtij mekanizmi, Ministria e Financave ka vendosur që në Paketën Fiskale të 2019-s të ulë tatimin mbi dividentin në 8%. Ky lehtësim do të përfshijë edhe fitimet e pashpërndara të 2017-s dhe të viteve të mëparshme nëse nuk janë kapitalizuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.