Tatimet: paguani deri në 30 shtator dividendin për fitimet e pashpërndara të para 2017, që të përfitoni nga norma 8%

13/09/2019 3:07 PM 0 komente

Tatimet kanë kujtuar bizneset se deri në 30 shtator kanë mundësi të përfitojnë pagesën në shkallën tatimore 8% për fitimet e pashpërndara, të realizuara në vitet 2017 e më parë përfshirë.

Në zbatim të Ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, tatimi mbi dividentin për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitin 2018, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, u aplikua në shkallën tatimore 8%, për pagesat e kryera brenda datës 20 gusht 2019.

Po kështu, do të aplikohet shkalla tatimore 8% për fitimet e pashpërndara, të realizuara në vitet 2017 e më parë përfshirë, me kushtin që tatimi të paguhet brenda datës 30 shtator 2019;

Kujdes! Në rast se nuk e paguani deri në 30 shtator tatimin mbi dividentin për vitet 2017 e më përpara, atëherë shkalla tatimore e tij do të jetë 15%.📌

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se do të vijojë të përcjellë kujtesa dhe informacion për tatimpaguesit e çdo fashe qarkullimi, mbi legjislacionin dhe procedurat tatimore.

Në janar të këtij viti ka hyrë në fuqi një ndryshim në paketën fiskale të vitit 2019, që ul tatimin mbi dividendin në 8 për qind nga 15 për qind, me efekt prapaveprues edhe për vitet e mëparshme. Sipas një udhëzimi të posaçëm të tatimeve “Për tatimin mbi të ardhurat” për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara shkalla e tatimit 8 për qind zbatohet me kushtin që: -tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019.

Si rrjedhojë, kompanitë, përfshirë ato të huaja janë të detyruara që të shpërndajnë fitimet deri në fund të muajit shtator.

Sipas të dhënave të përpunuara më parë nga Monitor, 8 kompanitë me fitime më të mëdha të huaja (Telekom Albania, Vodafone, Raiffeisen Bank, Intesa San Paolo, BKT, Tirana International Airport, Spiecapag Shqipëria dhe Transadriatica) kishin fitime të pashpërndara prej 94 miliardë lekësh dhe rezerva prej 29 miliardë lekësh (86% e të cilit e ka Telekom Albania), ose rreth 1 miliardë euro në total.

Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend, mori në fund të prillit vendimin që të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e Cosmote Mobile Telecommunication.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of