Nga data 12 deri në datë 15 mars u zhvillua sesioni i dytë i trajnimeve të dedikuara të Drejtorive Rajonale Tatimore Tiranë, Shkodër dhe Dibër për biznesin e vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së.
Në dy javët e para, numri total i pjesëmarrësve në këto trajnime, u llogarit në më shumë se 230, të cilët përfaqësojnë rreth 700 subjekte. Pjesëmarrësit u njohën në mënyrë të detajuar me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e tyre, plotësimin e një fature tatimore etj..
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së.
Kalendari i trajnimeve që do të shtrihet deri në fund të muajit qershor është konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë bizneseve të vogla, sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Në total janë parashikuar rreth 100 sesione trajnimesh, si dhe rreth 10 mijë vizita këshilluese në adresën e biznesit. Për t’i ardhur në ndihmë të gjithë subjekteve janë ngritur 13 Kënde të Asistencës të dedikuara për biznesin e vogël.
Gjithashtu në rang vendi, janë duke u zhvilluar vizita të dedikuara nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesit pranë subjekteve që do të përfshihen në këtë skemë. Deri tani në total janë realizuar 570 vizita në terren.
Çdo drejtori rajonale, përmes specialistëve të zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve do të bëjë të mundur shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe materiale informative të posaçme për të gjithë biznesin e vogël që do të përfshihen në skemën e TVSH-së në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nxit dhe inkurajon të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve dhe të njihen me të gjitha procedurat ligjore dhe detyrimet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.