Tatimet kanë publikuar informacionin lidhur me përjashtimin nga TVSH të furnizimeve të sigurimit dhe risigurimit
Bazuar në Ligjin Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja, furnizimi i shërbimeve të sigurimit dhe të ri-sigurimit, përfshirë kryerjen e shërbimeve të ndërmjetësimit në sigurime dhe ri-sigurime nga agjentët dhe brokerat e sigurimit. Përjashtimi për shërbimet e sigurimit dhe ri-sigurimit zbatohet edhe për shërbimin e ndërmjetësimit në sigurime dhe ri-sigurime, pavarësisht se këto shërbime furnizohen nga shoqëritë e sigurimit, apo furnizohen nga agjentët dhe brokerat e sigurimit, të njohur si të tillë nga autoriteti kompetent financiar.
Përjashtimi nga TVSH-ja i shërbimeve financiare
Janë të përjashtuara nga TVSH-ja transaksionet financiare, sipas listës ezauruese të nenit 53 të Ligjit, pavarësisht nëse këto transaksione kryhen nga një institucion financiar, ose jo.
Kujdes!
Çdo transaksion tjetër, që nuk është i shprehur në nenin 53 të Ligjit, pavarësisht nëse është furnizuar nga një bankë ose institucion financiar, apo është furnizuar për një bankë ose institucion financiar, nuk përjashtohet nga TVSH-ja.
Kur zbatohet përjashtimi Përjashtimi nga TVSH-ja zbatohet kur transaksioni i kryer është njëri nga shërbimet e parashikuara në ligj. Aplikimi i përjashtimit lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me natyrën e shërbimit dhe jo me entitetin ose subjektin që ofron shërbimin dhe as personin që merr shërbimin. Identiteti i palëve dhe mënyra e ofrimit të shërbimit në mënyrë elektronike, manuale apo automatike, është e parëndësishme në aplikimin ose jo të përjashtimit.
Raste mospërjashtimi Përjashtimi nga TVSH-ja nuk aplikohet për shërbimet financiare të mëposhtme: a) Shërbimi i mbledhjes së borxhit; b) Transaksionet përfshirë negocimin për monedhat dhe kartëmonedhat për koleksion, që do të thotë monedha ari, argjendi apo monedha të tjera metali ose kartëmonedha, që nuk përdoren normalisht si mjet ligjor pagese ose monedha që paraqesin interes numizmatik; c) Transaksionet për menaxhimin apo ruajtjen e aksioneve, kuotave, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione dhe tituj të tjerë, si dhe titujt mbi mallrat dhe të drejtat apo titujt mbi pasurinë e paluajtshme; d) Qiradhënia e kasafortave edhe nëse ky shërbim kryhet nga një bankë, është i tatueshëm për TVSH-në.
**Çdo shërbim tjetër, i cili nuk bën pjesë në shërbimet e përjashtuara të përcaktuara në nenin 53 të Ligjit, të renditura në pikën 2 të këtij neni, janë furnizime shërbimi të tatueshëm me TVSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.