Nga 1 janari, të gjitha bizneset që kanë marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë vetëm faturë elektronike si dokumentacion të vlefshëm tatimor, në bazë të ligjit të ri për fiskalizimin.
Po kështu, tatimet kanë njoftuar se dhe entet publike, pas kësaj date, për mallrat apo shërbimet e blera nga tatimpaguesit do të pranojnë vetëm Faturën elektronike, e cila do të jetë dokumentacion i vetëm i vlefshëm tatimor për furnizimet e marra.
Tatimet kanë publikuar dhe listën e mbi 1500 subjekteve sipas formës ligjore “Ent Publik” (me status AKTIV gjithsej 1538 ente), kundrejt të cilave çdo tatimpagues në bazë të Ligjit Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, mban detyrimin të lëshoje faturë elektronike të fiskalizuar.
Në 1 janar fillon zbatimi i Ligjit Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Fillimisht ai do zbatohet për transaksionet mes subjekteve shtetërore dhe bizneseve.
Nga 1 korriku 2021, sistemi i ri do të fillojë të zbatohet për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve, dhe nga 1 shtatori i vitit të ardhshëm është ndryshimi më i madh, pasi do të nisë zbatimi për transaksionet me para në dorë për të gjitha bizneset.
KLIKO PER LISTEN E SUBJEKTEVE
lista aktive e enteve publike 1538
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.