Tatimet publikojnë rregulloren mbi zbatimin e detyrimeve ligjore për raste të veçanta faturimi

18/12/2020 8:14 PM 0 komente

Tatimet kanë publikuar rregulloren mbi zbatimin e detyrimeve ligjore për raste të veçanta faturimi në kuadër të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar.

          1. Elementët e nevojshëm për fiskalizimin

Referuar nenit 18, të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar (më tej “Ligji”), elementët standard të nevojshëm për të kryer lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, janë:

  • Pajisje elektronike (kompjuter, laptop, telefon, tablet, etj);
  • Printer;
  • Zgjidhje software e certifikuar dhe mirëmbajtës për zgjidhjen software;
  • Lidhje e pandërprerë me internet;
  • Certifikatë elektronike.

Elementët e mësipërm janë të domosdoshëm në çdo rast kur tatimpaguesi lëshon dhe fiskalizon fatura nëpëmjet një zgjidhjeje software të certifikuar.

Prodhuesit dhe mirëmbajtësit e certifikuar për zgjidhjet software listohen në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Certifikata elektronike merret online pranë AKSHI-t nëpërmjet aplikimit në portalin e-Albania.

Fatura e lëshuar për të dokumentuar transaksionet me para në dorë është dokument i mjaftueshëm tatimor për qëllim të njohjes së shpenzimeve fiskale. Pra nuk është e nevojshme që të bashkëshoqërohet me dokument tjetër.

Të dhënat dhe elementët që duhet të përmbajë fatura përshkruhen në nenin 9 dhe 11 të ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit. Faturat e marra si dhe ato të lëshuara, regjistrohen në mënyrë automatike në librin e blerjes dhe shitjes. Në libër mund të kryhen veprime saktësuese për regjistrimin e faturave, pa ndryshuar elementët përbërës të faturës. Në këtë mënyrë procedohet edhe me dorëzimin e deklaratës së TVSH-së nëse tatimpaguesi ka detyrimin për dorëzimin e saj.

Përpara fillimit të procedurave të fiskalizimit, tatimpaguesi duhet që të japë informacionin e kërkuar, nëpërmjet Portalit SelfCare. Informacioni duhet të jepet mbi njësinë në të cilën kryhet aktiviteti, pajisjes/eve elektronike që përdor, zgjidhjes software e mirëmbajtësit të saj si dhe informacion për personin e autorizuar për të lëshuar fatura.

          2. Fiskalizim i faturave nga zyrat e këmbimit valutor

Referuar nenit 4, të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe nenit 24 “Fiskalizimi i transaksioneve të shkëmbimeve valutore”, të udhëzimit Nr. 16, datë 03.04.2020 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” (më tej “Udhëzimi), zyrat e këmbimit valutor duhet që të lëshojnë e fiskalizojnë fatura në përputhje me kërkesat e fikalizimit për çdo transaksion që kryejnë. Në varësi të llojit të transaksionit, afati për zbatimin e këtij detyrimi përcaktohet në kuadrin ligjor në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.

Çdo ditë pune, para lëshimit të faturës së parë, duhet që të regjistohet çelja e arkës, pra deklarimi i gjendjes fillestare. Veprimi i çeljes së arkës kryhet vetëm në lekë. Vlerat monetare në fillim të ditës e monedhës së huaj, konvertohet në lekë me kursin e ditës dhe kundrvlera e saj në lekë regjistrohet si gjendje arke në fillim të ditës. Ky konvertim bëhet për çdo monedhë të huaj dhe gjendja e arkës në fillim të ditës raportohet totali i shumës në Lekë dhe monedha të huaja (të konvertuara në Lekë).

Për dokumentimin e transaksioneve të këmbimit valutor, përdoret fatura e thjeshtë e cila përmban elementët e përcaktuar në nenin 11 të Ligjit. Në varësi të mënyrës së funksionimit, fatura e lëshuar mund të përmbajë komisionin që zyra e këmbimit valutor përfiton nga transaksioni. Faturat për këmbimet valutore nuk do të regjistrohen në librin e blerjes në mënyrë automatike në rastet kur blerësi është një tatimpagues.

Në faturë gjithashtu duhet të tregohet veçmas shuma e komisionit nëse aplikohet dhe shuma përfundimtare në lekë duhet të deklarohet pa përqindjen që zyra e këmbimit valutor përfiton. Pra, në thelb, shuma totale në lekë duhet të jetë shuma e saktë e marrë nga klienti ose që i është dhënë klientit për shkëmbimin e valutës së huaj.

          3. Faturat “Porosi” dhe “Përmbledhëse” në sektorin e Hoteleri/Turizëm

Në zbatim të pikës 3, të nenit 8 të Udhëzimit, tatimpaguesit që kryejnë aktivitet në sektorin e shërbimeve (bar, restorant, hotel, agroturizëm, etj.) mund të përdorin faturat Porosi dhe faturat Përmbledhëse.

Faturat e lëshuara më mënyrë pagese “Porosi”, fiskalizohen si fatura individuale. Në momentin që klienti largohet dhe kërkon të kryejë pagesën, lëshohet fatura Përmbledhëse. Fatura përmbledhëse duhet të përmbajë sis referencë NSLF e të gjitha faturave porosi të lëshuara më parë klientit.

Secila faturë, porosi apo përmbledhëse, duhet të lëshohet dhe fiskalizohet. Fatura përmbledhëse e fiskalizuar, do të regjistrohet në librin e shitjeve të tatimpaguesit dhe do të merret në konsideratë për qëllim të llogaritjes së TVSH-së në shitje. Vetëm në këtë moëmënt, faturat porosi të lidhura me faturën përbledhëse nuk merren më në konsideratë për llogaritje të qarkullimit.

Me porosi të kryer nuk kuptohet porosia nga çdo person, por porosia e kryer për çdo tavolinë. Ndërkohë, nëse klientët nga e njëjta tavolinë kryejnë një porosi të dytë, atëherë me dorëzimin e porosisë lëshohet dhe fatura e dytë, e cila edhe mund të mos printohet.

Në shërbimet e hotelërisë, mund të përdoret fatura porosi në rastet kur klienti qëndron për disa ditë dhe paguan në momentin e largimit. Çdo faturë porosi për shërbime të ndryshme, e lëshuar për klientin përgjatë qëndrimit të tij në hotel, duhet që të përfshihet në faturën përbledhëse e cila lëshohet në momentin e pagesës.

Faturat porosi nuk ndikojnë në gjendjen e arkës, përsa kohë me këtë dokument nuk arkëtohen para. Momenti i arktimit prcaktohet m faturën prëmbledhëse.

Shembull:

Një klient rezervon një dhomë në hotel më datë 25 maj dhe largohet nga hoteli më datë 5 qershor. Gjatë kësaj kohe merr shërbime nga restoranti, sauna, SPA etj., shërbime të cilat i ngarkon për ti likuiduar në faturën e hotelit. Për faturat e veçanta të lëshuara për çdo shërbim nga data 25 maj deri në 5 qershor, në datën 5 qershor do të lëshohet një faturë përmbledhëse që do të regjistrohet në librin e shitjeve të muajit qershor, e cila do të merret në konsideratë për llogaritjen e TVSH-së në shitje për muajin qershor (moment në të cilin shërbimi është kryer dhe është lëshuar fatura përmbledhëse).

Fatura përmbledhëse e shërbimeve të hotelit, përmban shumën totale të llogaritur për të gjitha faturat e veçanta që janë lëshuar për çdo shërbim të kryer prej hotelit deri në momentin e largimit të klientit, prej hotelit. Është e rëndësishme që fatura përmbledhëse të referojë të gjitha faturat e veçanta të lëshuara klientit.

Nëse për shërbimet e veçanta që klienti ka marrë gjatë qëndrimit në hotel, klienti ka likuiduar faturën në momentin e kryerjes së shërbimit dhe nuk ia ka ngarkuar faturës së qëndrimit në hotel, për shembull ka marrë shërbimin e restorantit në 30 maj dhe e ka likuiduar faturën e fiskalizuar, atëherë kjo faturë do të regjistrohet në librin e shitjeve të muajit maj, muaj në të cilin është lëshuar fatura. Këto shërbime nuk përfshihen në faturën përmbledhëse që i lëshohet klientit në momentin e kryerjes së shërbimit të hotelit në datën 5 qershor kur ai largohet nga hoteli.

          4. Vetëfaturimi për furnizimet nga fermerët

Referuar Udhëzimit Nr. 19, datë 03.11.2014 “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar, blerësi i produkteve të fermerit, për çdo furnizim të produkteve bujqësore, të marrë prej fermerit, lëshon një faturë tatimore përcaktuar në kuadrin ligjor tatimor në fuqi.

Fatura në këto raste quhet “Autofaturë”, pra kur blerësi lëshon faturën në vend të shitësit. Grumbulluesi i produkteve bujqësore, për çdo furnizim të blerë nga fermeri duhet që të lëshojë dhe fiskalizojë një “Autofaturë” ku në të cilën fermeri duhet të paraqitet si shitës dhe grumbulluesi duhet të paraqitet si blerës. Në varësi të rastit, kjo “autofaturë” mund të jetë me mënyrë pagese me ose pa para në dorë. Grumbulluesi, person i tatueshëm i regjistruar, e lëshon dhe fiskalizon autofaturën nëpërmjet zgjidhjes software që përdor për veten e tij.

Procesi i vetëfaturimit zbatohet nga grumbulluesi si në blerjet nga fermerët e regjistruar ashtu edhe për blerjet nga fermerë të paregjistruar. Në përputhje me dispozitat e Udhëzimit, për blerjet nga fermerët e regjistruar (të pajisur me NIPT), në autofaturë llogaritet TVSH sipas normës tatimore në fuqi për këto transaksione. Për blerjet nga fermerët e paregjistruar (të papajisur me NIPT), në autofaturë nuk llogaritet TVSH.

Autofatura lëshohet për çdo rast në momentin e kryerjes së furnizimit dhe regjistrohet automatikisht në rubrikën përkatëse në librin e blerjeve të grumbulluesit.

          5. Fiskalizimi për Organet Publike

Referuar nenit 4, të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, organet publike qendrore e vendore, të cilat në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar lëshojnë faturë për të dokumentuar transaksionet që kryejnë, duhet të zbatojnë procedurat e fiskalizimit për faturimin duke filluar nga data 1 Janar 2021 duke pranuat vetëm fatura elektronike për furnzimet e mallrave dhe/ose shërbimeve që marrin nga subjektet e tjera tatimpagues.

Për kryerjen e saktë të procedurave te fiskalizimit dhe pranimit të faturave, organet publike qendrore dhe vendore duhet që, përpara datës 1 Janar 2021, të plotësojnë kërkesat e mëposhtme:

  • Të aplikojnë pranë ASKHI-t dhe të pajisen me certifikatë elektronike për fiskalizimin;
  • Të sigurojnë lidhje të pandërprerë interneti;
  • Të sigurojnë pajisjet elektronike të nevojshme (kompjuter, laptop, tablet, etj.)

Çdo organ publik mund të përdorë Portalin SelfCare të ofruar nga Administrata Tatimore, për fiskalizimin e faturave. Përpara fillimit të procedurave të fiskalizimit, organi publik duhet që të japë informacionin e kërkuar, nëpërmjet Portalit SelfCare. Informacioni duhet të jepet mbi njësinë në të cilën kryhet aktiviteti, pajisjes/eve elektronike që përdor, si dhe të personit të autorizuar për të lëshuar fatura.

Pranimi i faturave elektronike në blerje bëhet gjithashtu në portal. Pas aksesimit të portalit, në listën e faturave elektronike në blerje, mund të kontrollohen dhe pranohen faturat e lëshuara për organin publik. Pasi pranohet, fatura elektronike regjistrohet në librin e blerjeve.

Përveç pranimit, në portal tatimpaguesi organ publik mund te japë informacion mbi pagesën e faturës. Pasi zgjidhet fatura për të cilën do të jepet informacion, jepet informacioni për shumën e pagesës, datën e kryerjes së pagesës dhe të dhena referencë mbi mënyrën e pagesës. Procesi i pagesës së faturave elektronike nga organi publik kryhet nëpërmjet thesarit dhe në çdo rast fatura printohet në letër për të vijuar më tej me veprimet e nevojshme për pagesë.

          6. Fiskalizimi i faturave periodike për periudhat e faturimit

Në zbatim të pikës 6, të nenit 8, të Ligjit, fatura periodike është një përjashtim nga rregullat e përgjithshme dhe parashikohet për furnizime të caktuara të mallrave ose shërbimeve, të cilat furnizohen rregullisht ose vazhdimisht, për shembull në industrinë e ndërtimit, për furnizimin me energji elektrike, shërbimin e telekomunikacionit, furnizimin me ujë, shërbime kontabiliteti, qiraja mujore, etj.

Periudha mund të jetë një muaj ose më pak se një muaj (për shembull nëse furnizimi për shërbimet ose mallrat fillon ose përfundon në mes të muajit). Në këtë rast, tatimpaguesi që lëshon faturë duhet të shkruajë detyrimisht në faturë datën e periudhës me të cilën lidhet kjo faturë (në të cilën është bërë shërbimi) dhe data e lëshimit të faturës do të jetë data në të cilën është krijuar dhe lëshuar fatura.

Pavarësisht datës së lëshimit, fatura do të regjistrohet në librin e shitjes dhe librin e blerjes në të njëjtën datë/periudhë si data/periudha e shënuar në faturë, dhe jo në muajin e datës së lëshimit të faturës. Mbështetur në përcaktimet e Ligjit, fatura periodike duhet të lëshohet jo më vonë se dita e muajit që pason muajin në të cilin është kryer furnizimi.

          7. Fiskalizimi i faturave në veprimtarinë e transportit urban dhe interurban

Bazuar në nenin 4 të Ligjit, tatimpaguesit të cilët ushtrojnë aktivitet në transportin urbvan dhe interurban, janë subjekt i fiskalizimit. Pra, kanë detyrimin që të lëshojnë dhe fiskalizojnë fatura për shërbimin e transportit. Ky detyrim zbatohet për transportin urban dhe interurban të çfarëdo lloji, përfshirë edhe taksitë.

Çdo tatimpagues që ofron shërbimin e transportit urban/interurban duhet të disponojë elementët e nevojshëm për të lëshuar dhe fiskalizuar faturat e lëshura. Përveç, transaportit publik urban, në çdo rast tjetër fatura për shërbimin e transportit duhet të lëshohet në kohë reale. Pra, në transportin interburban të çfarëdo lloj  dhe transportin me anë të taksive.

Në zbatim të pikës 1 dhe 3, të nenit 5, të Udhëzimit, tatimpaguesit që shesin bileta ose abone për transport pasagjerësh në sektorin e transportit publik urban brenda qytetit (autobusë) në përputhje me vendimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, biletat e shitura gjatë ditës duhet ti përmbledhin si shumë totale në një faturë të vetme. Në faturë duhet të jepet informacion edhe për numrat serial të biletave të shitura gjatë ditës. Kjo përmbledhëse e fiskalizuar, duhet të lëshohet jo më vonë se fundi i ditës tjetër.

          8. Fiskalizimi i faturave me mënyrë pagese “Tollon” dhe “Kartat e kompanisë”

Pagesat me Tollon

Tatimpaguesit që furnizojnë ose rishesin tollonë me një qëllim përdorimi (p.sh tollonat për furnizimin me karburant), duhet të lëshojnë faturat dhe t’i fiskalizojnë kur lëshohet tolloni. Përshkrimi i mallrave të furnizuar në këto raste duhet të jetë “tollon me një qëllim për ‘emrin dhe sasinë e mallrave ose shërbimeve’ me numrin serial xxx”. Numri serial i tollonit do të jetë NIPT-i i lëshuesit, viti i lëshimit dhe numri rendor i tollonave të lëshuar gjatë atij viti.

Është shumë e rëndësishme që kjo faturë që dokumenton shitjen e tollonit të lëshohet dhe fiskalizohet e para. Më tej, kur zotëruesi i tollonit, e përdor atë si mjet pagese për blerje tek tatimpaguesi lëshues, lëshohet fatura në të cilën pasqyrohet produkti/shërbimi i shitur. Fatura e lëshuar përmban si mënyrë pagese “Tollon”. Kjo faturë, e cila përmban numrin serial të tollonit të përdorur, nuk do të regjistrohet në librin e shitjeve përsa kohë është lëshuar dhe fiskalizuar fatura e parë me të cilën u tregtuan fillimisht tollonat.

Në rastin kur vlera e mallrave të furnizuara është më e madhe se vlera e tollonit, atëherë çdo pagesë shtesë nga klienti përfundimtar mbi vlerën e tollonit do të deklarohet në të njëjtën faturë të lëshuar për furnizimin, pra shitësi nuk do të duhet të lëshojë një faturë tjetër, por thjesht duhet të specifikojë në të njëjtën faturë shumën e saktë të paguar me tollonin dhe me mënyra të tjera pagese. Shuma shtesë e paguar nga konsumatori do të merret ne konsideratë për llogaritjen e tatimit.

Kartat e kompanisë

Kur furnizimi i mallrave paguhet me kartën e kompanisë të tatimpaguesit, të lëshuar nga tatimpaguesi që furnizon mallrat, shitësi lëshon dhe fiskalizon faturën dhe informacioni identifikues i blerësit duhet të vendoset në faturë (NIPT-i, emri/emri dhe mbiemri).

Fatura përmbledhëse duhet ti lëshohet blerësit deri në datën e fundit të muajit, bazuar në faturat e veçanta të furnizimit (për të cilat duhet të referohet NSLF e faturave të veçanta) gjatë muajit. Në këto kushte vetëm fatura përmbledhëse do të merret në konsideratë për llogaritjen e qarkullimit dhe detyrimeve tatimore. Të gjitha faturat (për çdo furnizim dhe fatura përmbledhëse) duhet të fiskalizohen në momentin e lëshimit.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of