Tatimet, në kuadër të materialeve informuese, kanë publikuar informacionin lidhur me regjimin e veçantë për sektorin e cigareve.
Referuar dispozitave të ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për qëllime të tregtimit të cigareve, operatorët e mëposhtëm zbatojnë skemën e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së në një fazë të vetme. Për këtë qëllim, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
“Furnizues kryesorë” konsiderohen importuesit dhe prodhuesit vendas të cigareve.
“Furnizues të ndërmjetëm” konsiderohen tatimpaguesit që furnizohen me qëllim për
të rishitur te furnizues të tjerë të ndërmjetëm dhe/ose te njësitë e shitjes me pakicë.
“Njësi të shitjes me pakicë” konsiderohen tatimpaguesit që furnizohen për të shitur
te blerësit, konsumatorë finalë.
“Furnizim i parë” është furnizimi që furnizuesi kryesor bën për furnizuesit e
ndërmjetëm apo për njësitë e shitjes me pakicë.
“Çmim i shitjes me pakicë” është çmimi i paguar nga blerësi, konsumator final.
TVSH për cigaret paguhet tërësisht nga “Furnizuesi kryesor” në “Furnizimin e parë”. Furnizuesi kryesor e llogarit TVSH-në mbi vlerën e tatueshme të bazuar në çmimin me pakicë për çdo furnizim të kryer. Furnizuesi kryesor zbret direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg për të gjithë furnizuesit e mëvonshëm pa ndikuar TVSH-në e llogaritur.
Çmimi maksimal
“Furnizuesi kryesor” përcakton çmimin maksimal të shitjes me pakicë të cigareve dhe është i detyruar ta deklarojë atë çmim në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar, jo më vonë se 10 ditë para datës së aplikimit të çmimit të ri. “Furnizuesi kryesor” është i detyruar të publikojë deklaratën e ndryshimit të çmimit maksimal të shitjes me pakicë për çdo lloj cigareje dhe pakete në jo më pak se dy gazeta ditore kombëtare dhe jo më vonë se 5 ditë nga data e aplikimit të çmimit të ri. Për efekte marketingu çmimet maksimale mund të vazhdojnë të publikohen në çdo media të shkruar apo elektronike për aq kohë sa ato çmime janë në fuqi.
Faturimi i furnizimit
Furnizuesi Kryesor furnizon një Furnizues të Ndërmjetëm (Rishitës). TVSH-ja deklarohet dhe paguhet normalisht nga Furnizuesi Kryesor. Po në këtë faturë, Furnizuesi Kryesor zbret vlerën e ndërhyrjes në treg të hallkave pasardhëse, pa ndikuar në TVSH-në e llogaritur. Furnizuesi i ndërmjetëm nuk ka të drejtë të zbresë TVSH-në.
Furnizuesi Kryesor furnizon Njësinë e Shitjes me Pakicë. TVSH-ja deklarohet dhe paguhet normalisht nga Furnizuesi Kryesor. Po në këtë faturë, Furnizuesi Kryesor zbret vlerën e ndërhyrjes në treg të hallkave pasardhëse, pa ndikuar në TVSH-në e llogaritur. Njësia e Shitjes me Pakicë nuk ka të drejtë të zbresë TVSH-në.
Furnizuesi i Ndërmjetëm furnizon Njësinë e Shitjes me Pakicë. Faturimi bëhet duke lëshuar faturë tatimore me çmimin final pa aplikuar TVSH, duke zbritur vlerën e ndërhyrjes në treg të hallkës pasardhëse (pra të njësisë së shitjes me pakicë).
Rregulla të përgjithshme
- i) Furnizuesi kryesor është i detyruar të publikojë deklaratën e ndryshimit të çmimit maksimal të shitjes me pakicë për çdo lloj cigareje dhe pakete, në jo më pak se dy gazeta ditore kombëtare dhe jo më vonë se 5 ditë nga data e aplikimit të çmimit të ri.
- ii) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e detyruar të publikojë në faqen e saj të internetit çmimet e reja maksimale të shitjes me pakicë të cigareve jo më vonë se dy ditë para datës së zbatimit të çmimeve të reja.
iii) Ndalohet shitja e cigareve me çmim më të lartë se çmimi maksimal i shitjes me pakicë, i deklaruar dhe publikuar prej “Furnizuesit Kryesor” dhe i publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
- iv) Furnizuesit e ndërmjetëm dhe njësitë e shitjes me pakicë të cigareve janë të detyruar të dokumentojnë të gjitha shitjet e cigareve të kryera me fatura tatimore apo kupon tatimor fiskal.
Kujdes!
Blerësi i parë, qoftë ai “Furnizues i ndërmjetëm” ose “Njësi e shitjes me pakicë”, që merr furnizimin nga “Furnizuesi kryesor”, nuk ka të drejtë të zbresë TVSH-në e faturuar në faturën e lëshuar prej “Furnizuesit kryesor”. Furnizimi i cigareve në vazhdim nga furnizuesit e ndërmjetëm, do të kryhet pa llogaritur TVSH në faturë pasi TVSH-ja është paguar nga “Furnizuesi kryesor” bazuar në çmimin e shitjes me pakicë, i cili është edhe çmimi përfundimtar i këtij artikulli tek konsumatori final.
Euro vendos tjetër rekord, zbret në nivelin më të ulët në 11 vjet, çfarë po ndodh!
Monedha e përbashkët ka humbur sërish pikë në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 122.61 lekë, duke rënë me 0.23 lekë në raport me ditën e mëparshëm, duke u këmbyer në nivelin më të ulët nga dhjetori 2008.
Ekspertët e këmbimit valutor shpjegojnë ka disa arsye për nënçmimin e monedhës së përbashkët në tregun vendas.
Tendenca rënëse euros e javëve të fundit po ndikohet nga kushtet atmosferike, të cilat kanë ulur qarkullimin e biznesit, por edhe nga kriza politike ku është zhytur vendi, e cila është reflektuar te rënia e konsumit. Rënia e parasë në qarkullim dhe oferta e lartë në valutë ka bërë që euro të shënojë rekorde të njëpasnjëshme të ulëta.
Ndër të tjera, ekspertët shtojnë në dy ditët e fundit, njëra nga bankat e nivelit të dytë po shet euro në treg poshtë nivelit të kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Niveli më i ulët në 11 vjet
Ky është një tjetër rekord i ri minimal, teksa euro ka zbritur sot në nivelin më të ulët në 11 vjet, që prej dhjetorit të vitit 2008, kur këmbehej me 122.5 lekë, për t’u forcuar më pas ndjeshëm, duke u ngjitur në nivele rekord prej gati 143 lekësh në qershor 2011.
Më pas, euro është dobësuar gradualisht, por nënçmimi i monedhës së përbashkët u përshpejtua vitet e fundit. Që nga mesi i vitit 2016, euro ka humbur vazhdimisht pikë, duke u nënçmuar me gati 16 lekë, ose 11.3%.
Oferta e shtuar në euro në njërin kah, ndërsa në kahun tjetër ka një ngadalësim të qarkullimit të monedhës vendase është arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë afatgjatë nënçmuese të euros. Kjo tendencë përkon me rritjen e aktivitetit informal të kultivimit të kanabisit në vend, që më pas u shoqërua me tregtinë e drogave më të forta, çka solli shtim të valutës në vend, e kanalizuar kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme. https://www.monitor.al/ne-ndjekje-te-parase-nga-po-financohet-bumi-i-ndertimit/
Të gjitha valutat me rënie
Gjatë ditës së sotme, rënia e euros tërhoqi të gjitha valutat e tjera. Në tregun vendas dollari amerikan u këmbye me 109.93 lekë, rreth 0.09 pikë më pak se dje. Po ashtu, edhe paundi, është nënçmuar ndaj lekut me 0.73 pikë, duke u këmbyer në nivelin e 139.5 lekësh.
Referuar kursit mesatar ditor të Bankës së Shqipërisë, franga zvicerane u këmbye me 108.86 lekë, rreth 0.21 pikë më pak se një ditë më parë.
Dhe në tregjet ndërkombëtare, monedha e përbashkët europiane ka humbur pikë përballë dollarit. Politika ka qenë një ndër faktorët kryesore që i kanë dhënë goditje euros gjatë javës së shkuar. Komentet e Kryeministrit italian dhe zgjedhjet në Parlamentin Europian tkurrën kërkesën për euro. Megjithatë nënçmimi i euros në tregjet ndërkombëtare ka një ndikim të ulët në tregun vendas, duke qenë se niveli i këmbimit në Shqipëri i përgjigjet kryesisht faktorëve të brendshëm. Aktualisht monedha e përbashkët europiane po këmbehet poshtë nivelit të 1.12 dollarëve, ndërsa është nënçmuar në 12 muajt e fundit me më shumë se 5.4%.
Edhe paundi britanik nuk po kalon një periudhë të mirë, për shkak të daljes së Britanisë nga BE-ja. Sterlina preku nivelin më të ulët që prej muajit janar duke u këmbyer me 1.27 dollarë.
Kosova premton të heqë pagesat e terminalit doganor për bizneset nga Shqipëria.
Denaj: Do negociojmë për të hequr tarifën e skanimit për kompanitë e Kosovës
Ministrja e financave Anila Denaj tha objektivi është te thjeshtimi i burokracive dhe procedurave mes dy vendeve. “Por kemi akoma rrugë për të bërë. Një sistem i informatik i ri do të shmangë shumë procedura në dogana”.
Ajo premtoi se do të negociojnë me kompaninë e skanerit për tarifën e skanimit për sipërmarrjet e Kosovës. “E mendojmë që nuk është i pamundur. Kërkesat e Kosoves për procedurat doganore, skanerin, taksën e rrugës janë të negociueshme”.
Ajo shtoi se duhet të harmonizojmë rregullat për investimet e huaja direkte, pasi mund të bëhemi më konkurrues se Serbia, sepse kemi popullsi më të re dhe kosto më të lira pune.
Bizneset e Kosovës “kryqëzojnë” autoritetet shqiptare: Ne ju kemi hapur tregjet, nga ju kemi një mal me pengesa, po paguajmë haraç
Përfaqësues të sipërmarrjeve të Kosovës kanë paraqitur sot në një konferencë të përbashkët me Dhomën e Tregtisë, – ku pjesëmarrëse ishte dhe ministra e financave Anila Denaj dhe zv/kryeministri i Kosvës, Fatmir Limaj, – një sërë problematikash me të cilat ata hasen gjatë aktivitetit të biznesit që ata ushtrojnë në Shqipëri.
Astri Panxha , drejtor i forumit mbarëkombëtar Kosovë- Shqipëri tha se marrëdhëniet ekonomike Shqipëri- Kosovë janë në rritje, por përfitimet më të mëdha të rritjes i ka pasur Shqipëria.
Kosova i ka lënë tregjet e hapura me Shqipërinë, tha ai. Në të kundërtën, bizneset e Kosovës hasen me një sërë pengesash jo tarifore.
Ndër këto pengesa u përmendën zbatimi i normës më të lartë të akcizës, për produkte të prodhuara nga plastika në krahasim me normën e akcizës së aplikueshme për produktet e njëjta të prodhuara në Shqipëri.
Tjetër problem është mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga dogana në Shqipëri, çka bën që bizneset e Kosovës të paguajnë më shumë TVSh në doganë, duke mos qenë konkurrues me çmimet.
Mungesa e harmonizimit të legjislacioneve ka qenë një problem i kahershëm i ngritur nga bizneset e të dy vendeve, së bashku me mosnjohjen e dokumenteve dhe procedurave respektivë që mbahen nga agjencitë doganore në dy kahet e kufirit (psh nga autoritetet sanitare dhe fitosanitare).
Bizneset e Kosovës paguajnë dhe 20 euro për çdo ngarkesë fitosanitare për mallrat që destinacion kanë Kosovën, dhe që në Shqipëri kalojnë vetëm tranzit.
Kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin jaka tha se janë bërë 6 mbledhje qeverish Shqipëri- Kosovë, por problematikat në bashkëpunim janë prezente dhe gjithashtu bizneset nuk janë të mirëinformuar për potencialet dhe problematikat mes dy vendeve.
Limaj: Koha për spektakël ka mbaruar
Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha se koha për spektakle ka mbaruar. Ai shtoi se nuk ka pasur rezultate nga mbledhjet mes dy qeverive. “Kemi vërejtur burokraci në punën e grupeve për marrëveshjet”, tha ai, duke shtuar se bizneset nga Kosova kanë problem skanimin dhe taksën në kufi.
“Tarifa e skanimit duhet të jetë vetëm për Shqipërinë, është absurde të aplikohet për Kosovën”, shtoi z.Limaj. “Për 5 lloje produktesh duhet paguar nga 22 euro, kjo është haraç“.
Ai pranoi se edhe taksa e parkimit në Kosovë është absurde, por u tregua i gatshëm për të hequr dhe pengesën e fundit me Shqipërinë.
Limaj shtoi se bizneset e Shqiperise she kosoves jane mendje ngushte
Çmimet e energjisë për familjarët, Shqipëria jo dhe aq e lirë, renditet e 14-a në Europë, më e shtrenjta në rajon
Familjet shqiptare paguajnë për 1,140 lekë për 100 kËh energji të shpenzuar. E matur sipas fuqisë blerëse, të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se ata e paguajnë energjinë më shtrenjtë se Islanda, Norvegjia, Finlanda, Luksemburgu, Serbia, Holanda, Malta, Franca, Suedia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Austria, Mbretëria e Bashkuar (mungon informacioni për Kosovën dhe Bosnjën, por Kosova në vlerë absolute në euro ka energjinë më të lirë në Europë).
Shqipëria renditet në këtë mënyrë e 14-a më e lira, nga 35 shtete të Europës, me 18.4 PPS për 100 kËh ( PPS është një referencë e përbashkët që eliminon nivelet e përgjithshme të çmimeve midis vendeve). Më e shtrenjtë, sipas fuqisë blerëse, energjia është në Turqi, Gjermani dhe Portugali (shiko tabelën).
Të matura në vlerë absolute, çmimet e energjisë në Shqipëri janë të pestat më të lirat në Europë, (9.1 euro për 100 MË) pas Kosovës (6.4 euro), Serbisë (7.1 euro), Maqedonisë së Veriut (7.9 euro), Turqisë (8.6 euro). Por, për shkak të të ardhurave të ulëta, familjeve shqiptare u duhet një pjesë më e madhe e buxhetit të tyre për të paguar faturat e energjisë.
Pesha e taksave në çmimin mesatar të energjisë në Shqipëri është 17%, ndër më të ulëtat në Europë, përveç Maltës (6%) dhe Maqedonisë së Veriut (15%) dhe 37% që është mesatarja e BE. Të dhënat janë për 6 mujorin e dytë të vitit 2018. Në këtë periudhë çmimet e energjisë nuk kanë shënuar rritje në Shqipëri.
Europa
Sipas Eurostat, në vendet e BE-së, çmimet mesatare të energjisë elektrike në gjysmën e dytë të vitit 2018 ishin më të ulëtat në Bullgari (10.1 euro për 100 kËh), Lituani (11.0 euro) dhe Hungari (11.2 euro) dhe më e larta në Danimarkë (31.2 euro), Gjermani (30.0 euro ) dhe Belgjikë (€ 29.4). Çmimi mesatar i energjisë elektrike në BE ishte 21.1 euro për 100 kËh.
Shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS), një referencë e përbashkët që eliminon nivelet e përgjithshme të çmimeve midis vendeve, mund të shihet që çmimet më të ulëta të energjisë elektrike shtëpiake janë në Finlandë (13.7 PPS për 100 kËh) dhe Luksemburg (13.8) Holandë (15.2), Maltë (15.7), Francë (16.4), Suedi (16.5) dhe Lituani (17.3). Çmimet më të larta të shprehura në PPS u regjistruan në Portugali (28.2), Gjermani (28.0), Spanjë (27.4), Belgjikë (26.6), Rumani (26.3), Qipro (24.5) dhe Poloni (24.3).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.