Rimbursimi i TVSH shënoi rekordet historike në 8-mujorin 2021, si rrjedhojë e arkëtimeve të mbara që po vijnë nga rritja e sasive dhe çmimeve të mallrave të importit.
Për gjatë periudhës janar-gusht 2021 tatimet rimbursuan 17.8 miliardë lekë TVSH (144 mln euro) me një rritje 75 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu shifrat e rimbursimit kanë thyer rekordin që kur skema ka nisur të aplikohet.
Vetëm në muajin gusht u rimbursuan 1,7 miliardë lekë TVSH ose më shumë se 35 për qind e TVSH së arkëtuar këtë muaj nga tatimet (rreth 4.3 miliardë lekë).
TVSH bruto e arkëtuar nga tatimet në 8 mujor ishte 36 miliardë lekë, por gati gjysma e saj (17 miliardë lekë) është rimbursuar.
Tatimet e kanë lëshuar dorën me rimbursimin e TVSH si pasojë e arkëtimeve të larta nga doganat.
Sipas të dhënave zyrtare nga Financat të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 119.1 miliardë lekë, 23 miliardë lekë ose 23.9% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 9.2 miliardë lekë ose 8.4% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 8 mujorin e vitit 2021.
Të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 79.4 miliardë lekë, 16.8 miliardë lekë ose 26.8% më shumë se një vit më parë, si dhe 6.9 miliardë ose 9.5% më shumë se plani për 8 mujorin 2021.
Rimbursimet e larta kanë shuar detyrimet e prapambetura në këtë zë. Në fund të vitit 2020 Ministria e Financave raportoi 9,7 miliardë lekë detyrime të prapambetura në zërin “Nga rimbursimi i TVSH”-së. Deri në muajin mars 2021 këto detyrime u përgjysmuan dhe tani janë shuar të gjitha.
Shlyerjet e larta e kanë ndikuar pozitivisht detyrimet e prapambetura, ku historikisht TVSH e parimbursuar kishte rreth 30 % të peshës.
Në fund të tremujorit të dytë u bë likuidimi total për tatimpaguesin Trans Adriatic Pipeline AG Albania, i cili ka patur pjesën më të madhe të stokut të rimbursimit të TVSH-ë gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, kërkesat e tjera u rimbursuan të gjitha duke mos krijuar stok në fund të këtij tremujori.
Detyrimet e larta në rimbursimin e TVSH-se u krijuan nga investimet në projektet e mëdha, kryesisht në gazsjellësin TAP dhe investimet në HEC-et mbi lumin Devoll. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nënshkruar një marrëveshje me kompanitë e mëdha të investimeve për të paguar me këste, borxhin e akumuluar ndaj tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.