Për shkak të situatës së krijuar pas tërmetit të datës 26 nëntor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije shtyrjen e afatit për dorëzimin e inventarit analitik për në datën 10.01.2020.
Bazuar në Ligjin nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 60 “Detyrimi i tatimpaguesve për të dhënë informacion administratës tatimore”, tatimpaguesit duhet të depozitojnë inventarin analitik të datës 31.12.2019.
Inventari duhet të përmbajë informacione në lidhje me lëndën e parë, produktet e gatshme, mallrat për rishitje, të detajuara në njësi, sasi çmim dhe vlerë.
Ky informacion duhet të ngarkohet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, brenda datës 10.1.2020.
Tatimpaguesi mund të bëhet objekt i kontrollit në vend, për saktësinë e këtij inventari.
Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit të përmbushin me korrektesë këtë detyrim ligjor brenda afateve e të shmangin penalitetet, thuhet në njoftim.
Afati i parë ishte 5 janari
Më herët, Drejtoria e tatimeve kishte bërë njoftimin për dorëzimin e inventarëve analitikë deri në datën 5 janar. Njoftimi ishte publikuar në faqen e tatimeve në 28 nëntor, pra dy ditë pas tërmetit shkatërrues. Ekspertët dhe bizneset u ankuan pranë Monitor se në kushtet aktuale, më minimalja që duhet të bëhet është që të paktën të ketë një shtyrje të afatit, pasi nuk është normale që të ushtrohet presion në një gjendje të tillë të një fatkeqësie natyrore. Në këtë situatë, kur 80-90% e të ardhurave paguhen nga bizneset e zonës-Tiranë Durrës, ekspertët pohojnë se ata nuk duhen shtrënguar e stresuar.
Ndërkohë tatimet nuk kanë bërë të ditur se si do veprohet me bizneset e dëmtuara nga tërmeti dhe a do të ketë tolerancë për ta.
Teksa bizneset bëjnë inventarin e tërmetit, tatimet u kërkojnë të dorëzojnë atë analitik!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.