Tatimet: Si funksionon furnizimi i shërbimit të përpunimit të mallrave jo-shqiptare, të destinuara për ri-eksport

05/11/2019 1:51 PM 0 komente

Në rubrikën “Tatimet Këshillojnë” u publikua informacioni ” Funksionimi i Regjimit të Përpunimit Aktiv (RPA)​”, përmes të cilës DPT informon mbi çështjet e furnizimit me nënkontraktor për përpunimin e mallrave jo-shqiptare, të cilat kryhen nga eksportuesi, të klasifikuara nën regjimin e përpunimit aktiv (punët fason).

Në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, furnizimi i shërbimit të përpunimit të mallrave jo-shqiptare, të cilat kryhen nga eksportuesi, të klasifikuara nën regjimin e përpunimit aktiv (punët fason), shërbime të cilat i shtojnë vlerën mallit të përpunuar të destinuara për t’u ri-eksportuar, janë furnizime me shkallë 0 % të TVSH-së.

Trajtimi me shkallën e TVSH-së 0 % për shërbimin e përpunimit të mallrave jo-shqiptare në regjim përpunimi aktiv, sigurohet në faturën e lëshuar nga operatori eksportues, faturë e cila i bashkëngjitet deklaratës doganore të ri-eksportit të këtyre mallrave.

Furnizimi me nënkontraktor

Në rastin kur furnizimi i shërbimit të përpunimit të mallrave jo-shqiptare të destinuara për t’u ri-eksportuar kryhet nga një nënkontraktor, i cili e kryen këtë shërbim për llogari të shoqërisë së përpunimit aktiv që e ka kontraktuar (shoqëria eksportuese), ky furnizim shërbim përpunimi, është i tatueshëm me shkallën e TVSH-së 0%.

Kushtet për nënkontraktorin

Nënkontraktori është një person i tatueshëm i pajisur me autorizimin përkatës prej autoritetit doganor. Për kryerjen korrekte të procedures, për dokumentimin e shërbimit të përpunimit për këto mallra, si edhe për dokumentimin e lëvizjes së mallrave jo-shqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv, për qëllime tatimore duhet të zbatohet procedura e mëposhtme:

  • Furnizimi i shërbimit për përpunimin e mallrave jo-shqiptare, të destinuara për t’u ri-eksportuar, të kryer nga nënkontraktorët e pajisur me autorizimin përkatës prej autoritetit doganor për llogari të shoqërive të përpunimit aktiv, është furnizim shërbimi i tatueshëm me TVSH 0%;
  • Aktivitetet e klasifikuara nën regjimin e përpunimit aktiv, konsiderohen tërësisht të destinuara për ri-eksport.

Kushtet e ekzistencës së kësaj natyre operacionesh janë:

  • Përpunuesi (nënkontraktori) asnjëherë nuk duhet të bëhet pronar i materialeve të sjella nga porositësi (shoqëria e përpunimit aktiv);
  • Materialet e sjella nga porositësi tek përpunuesi, duhet të trupëzohen tërësisht në produktin e fabrikuar;
  • Materialet e sjella nga porositësi në formën e lëndës së parë duhet t’i kthehen atij fizikisht nga përpunuesi në formën e gjysmëproduktit ose produktit të gatshëm, me përjashtim të mbetjeve teknologjike gjatë procesit të prodhimit dhe në përputhje me kartat teknologjike të prodhimit;

Kujdes!

Nëse rezulton që sasia e gjysmëproduktit ose produktit të gatshëm është më e vogël nga sa duhej të ishte kundrejt materialeve të përdorura në përpunim, diferenca konsiderohet si shitje e kryer nga përpunuesi dhe është furnizim i tatueshëm me TVSH 20%.

Për këtë qëllim shkëmbehet informacion për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Detyrime të veçanta

Midis porositësit (kontraktori kryesor i vendosur nën regjimin e përpunimit aktiv) dhe përpunuesit (nënkontraktori) duhet të jetë lidhur një kontratë në përputhje me Kodin Civil. Përpunuesit duhet të mbajnë një regjistër të veçantë, ku përshkruhet realizimi i punimeve për llogari të porositësit. Në këtë regjistër duhet të shënohet identiteti i porositësit, pra emri tregtar, NIPT, emri/mbiemri i administratorit, statusi juridik i tij, adresa e selisë.

Veprimet që shënohen për operacionet hyrje – dalje:

  • Lloji dhe sasia e materialeve objekt i përpunimit dhe data e hyrjes. Lëvizja e mallit do të dokumentohet me faturë shoqërimi;
  • Lloji dhe sasia e gjysmë produktit ose produktit të fabrikuar, si dhe data e daljes;
  • Në regjistër duhet të evidentohet edhe malli gjendje tek përpunuesi. Për këtë hartohet inventari mujor;
  • Lëvizja e  çdo  sasie  gjysmëprodukti  ose  produkti  të  gatshëm  nga  përpunuesi (nënkontraktori) tek porositësi (kontraktori), shoqërohet me faturë tatimore me TVSH 0% për vlerën e shërbimit të kryer.

Për zbatimin e këtyre rregullave çdo person i tatueshëm nënkontraktor, menjëherë me marrjen e autorizimit të autoritetit doganor, paraqet një kërkesë në Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse. Kërkesës i bashkëngjitet një kopje e autorizimit të lëshuar nga autoriteti doganor, i cili e njeh nënkontraktorin si të tillë, si dhe një kopje e kontratës së lidhur me kontraktorin (shoqërinë e përpunimit aktiv).

E drejta e zbritjes së TVSH-së

  • Nënkontraktori person i tatueshëm ka të drejtë të zbresë TVSH-në për shpenzime të ndryshme të bëra me TVSH, të lejuara në kushte të regjimit që aplikon, të cilat i shërbejnë furnizimit të shërbimeve të tatueshme të përpunimit të këtyre mallrave, për llogari të shoqërisë së përpunimit aktiv.
  • Shoqëria e përpunimit aktiv që ri- eksporton këto mallra nuk ka të drejtë të zbresë TVSH-në e ngarkuar në faturën e marrë prej saj, për furnizimin e shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare të kryera në kuadër të regjimit, pasi furnizimi nga nënkontraktori është i tatueshëm me 0 %.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of