Tatimet kanë dhënë informacion lidhur me menyrën e përfitimit të ndihmës financiare të disa prej kategorive kryesore të ndërmarrjeve, të cilat zbatojnë protokollet e sigurisë, në kuadër të parandalimit e të kontrollit të pandemisë Covid – 19.
Vendimi vjen pasi në Fletoren Zyrtare u publikuar lista e kategorive të bizneseve që do të përfitojnë 2,000 lekë për punonjës për dy muaj (gjithesej 4 mijë lekë). Lista në link: https://www.monitor.al/hyn-ne-fuqi-vendimi-lista-e-plote-e-llojeve-te-bizneseve-qe-perfitojne-ndihmen-financiare-per-zbatimin-e-protokolleve-anti-covid-19/
Në bazë të VKM Nr.856 datë 04.11.2020 “Për ndihmën financiare të disa prej kategorive kryesore të ndërmarrjeve, të cilat zbatojnë protokollet e sigurisë, në kuadër të parandalimit e të kontrollit të pandemisë Covid – 19”, i cili ka hyrë në fuqi prej datës 09.11.2020, ju informojmë se ky vendim synon dhënien e ndihmës financiare për ndërmarrjet e kategorizuara të vogla dhe të mesme në sektorin e prodhimit sipas Nenit 4, të Ligjit Nr. 8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar, me qëllim që të mbulojnë një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet, në kuadër të pandemisë COVID-19, bazuar në numrin e të punësuarve.
Sipas VKM Nr. 856 janë përfitues ndërmarrjet:
- të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin Qershor 2020, të dorëzuara përpara datës 09.11.2020.
- për çdo të punësuar në më tepër se një listëpagesë ndërmarrja përfiton vetëm një herë ndihmën financiare.
- në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para.
- Ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listëpagesë.
- Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar me 0 lekë në listëpagesë.
Nuk janë përfitues sipas VKM Nr. 856:
- ndërmarrjet, të cilat nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit dhe që nuk kanë dorëzuar deklaratën vjetore për vitin 2019 (tatim i fitimit ose tatim i thjeshtuar mbi fitimin).
Mënyra e aplikimit:
Aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare kryhet nga ana e ndërmarrjeve në sistemim e-filling, duke deklaruar:
- NIPT-in e përfituesit;
- numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti;
- bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
- IBAN-in e llogarisë bankare.
Duke klikuar në linkun Aplikimi nga eFiling, mund të njiheni me mënyrën e aplikimit për përfitim të ndihmës financiare sipas VKM Nr. 856.
Ndihma financiare shtrihet për periudhën Nëntor – Dhjetor 2020.
Përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme në masën 4 000 lekë për çdo punonjës, e llogaritur për dymujorin Nëntor – Dhjetor 2020, respektivisht 2 000 lekë për çdo muaj.
Pas verifikimit të të dhënave të dërguara nga aplikuesit, nga Drejtoritë Rajonale Tatimore ku subjektet janë të regjistruar, lista përmbledhëse me të dhënat e individëve përfitues të ndihmës financiare, paraqitet nga DPT, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, e cila, sipas VKM Nr.856, datë 04.11.2020, kryen transfertat në llogaritë bankare të ndërmarrjeve përfituese sipas këtij vendimi.
SHKAKO DOKUMENTIN SQARUES TE APLIKIMIT:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.