Vlera e tatueshme e furnizimit të mallrave ose shërbimeve, përbëhet nga të gjitha shumat, vlerat, pagesat, mallrat ose shërbimet e marra, apo që do të merren, nga furnizuesi i mallit apo shërbimit si kundërvlerë e këtyre furnizimeve, përcaktuar kjo në dispozitat e Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Në këtë vlerë përfshihen dhe subvencionet që lidhen drejtpërdrejtë me çmimin e këtyre furnizimeve, sipas një informacioni të publikuar nga tatimet.
Këmbimi në natyrë
Nëse furnizimi këmbehet në mallra/shërbime, ose pjesërisht në para dhe pjesërisht në mallra/shërbime (natyrë), vlera e tatueshme e furnizimit duhet të jetë vlera e tregut e mallrave ose shërbimeve të pranuara, e llogaritur në datën, në të cilën tatimi bëhet i kërkueshëm. Nëse përveç mallit, bëhet edhe pagesë shtesë në para për mallin e furnizuar, atëherë vlerës së tregut të mallit/shërbimit të pranuar, i shtohet edhe vlera e arkëtuar. Të gjitha pagesat, monetare apo në natyrë, janë pjesë e vlerës së tatueshme. Në vlerën e tatueshme, bëjnë pjesë gjithashtu dëmshpërblimet e derdhura që lidhen me një furnizim, kur përbëjnë kundërvlerën direkte, apo indirekte, të një furnizimi të tatueshëm. Për këtë, është e rëndësishme të provohet lidhja e dëmshpërblimit me furnizimin, i cili mund të jepet për një furnizim të ri, ose si pjesë e vlerës së shërbimit të kryer.
Trajtimi i subvencioneve
Përfshirja e subvecionit në vlerën e tatueshme Subvencionet që lidhen drejtpërdrejtë me çmimin e një furnizimi malli ose shërbimi, janë gjithashtu elemente të vlerës së tatueshme te furnizimit. Kështu subvencioni është element i vlerës së tatueshme në rastin kur:
- a) I jepet një personi të tatueshëm që furnizon mallin ose shërbimin me një çmim, i cili nuk i mbulon kostot e furnizimit;
- b) Subvencioni përbën kundërvlerën e një furnizimi.
Mos përfshirja e subvencionit në vlerën e tatueshme Që subvencioni të mos përfshihet në vlerën e tatueshëm të një furnizimi, duhet të verifikohet rast pas rasti që:
-shumat e derdhura si subvencion, nuk përbëjnë kundërvlerën e një furnizimi shërbimi (apo furnizim malli), që hyn në fushën e zbatimit të TVSH. Si provë mund të shërbejë ekzistenca ose konstatimi i një angazhimi nga marrësi i subvencionit, për furnizimin e një malli apo shërbimi të përcaktuar për dhënësin e subvencionit.
Raste të tilla të mungesës së shërbimit të drejtpërdrejtë, sipas të cilave kemi të bëjmë me një subvencion që nuk përfshihet në vlerën e tatueshme përmenden:
- Subvencionet globale të derdhura nga një qytet ose dhomë tregtie, në funksion të “perspektivave të përgjithshme të veprimit” për një organizëm, i cili duke pasur si qëllim favorizimin e ekspansionit ekonomik të një rajoni, kryen studime, informon dhe këshillon komunat dhe ndërmarrjet e këtij rajoni;
- Financimi i një organizmi (i një shoqate), vetëm nga qëllimet e përgjithshme që ai ka, apo nga angazhimi për t’i plotësuar ato, nuk përbën kundërvlerën e një furnizimi shërbimi. Kërkesa e dhënësit të subvencionit, për një raport në lidhje me përdorimin e fondeve, nuk tregon ekzistencën e një furnizimi shërbimi;
- . Subvencionet e derdhura nga një ent publik për organizimin e një aktiviteti, përderisa marrësi nuk ka përcaktuar asnjë detyrim si kundërvlerë të këtyre subvencioneve.
Subvencione që nuk përfshihen në vlerën e tatueshme:
- Kompensimet si ndihmë për punësimin, që merren nga ndërmarrjet, përderisa ato nuk përbëjnë kundërvlerën e një furnizimi shërbimi;
- Ndihma apo subvencioni i caktuar për të mbuluar sigurimet shoqërore;
- Ndihmat që përbëjnë thjesht një nxitje të pastër të punësimit (për shembull ndihma për krijimin e vendeve të punës me iniciativën lokale);
- Subvencionimi për ndihma, e caktuar për pagën e edukatorëve, të punësuar nga ndërmarrjet ndërmjetëse ose qendrat e ndihmës, për punën e kryer ndaj personave me aftësi të kufizuar;
- Ndihmat që derdhen nga shteti për të kompensuar kostot shtesë, që rrjedhin nga punësimi i punëtorëve me kapacitet profesional të reduktuar; etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.