Administrata Tatimore e Kosovës këtë vit pritet të grumbullojë 367 milionë euro ose 22% më shumë se viti i kaluar. Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, thotë se do të arrihet objektivi edhe pse është shumë sfidues.
Drejtori i ATK-së Behxhet Haliti thekson se kanë plane konkrete për zvogëlimin e evazionit fiskal, por edhe për trajtimin e borxheve të grumbulluara.
“Në fakt për Administratën Tatimore gjatë gjithë këtyre viteve çdo vit ka qenë më sfidues sesa tjetri. Në radhë të parë bazuar në planet për arritjen e objektivave të planifikuara, në të njëjtën kohë gjatë gjithë këtij procesi ATK-ja ka zhvilluar aktivitete, ka ngritur njësi funksionale për t’iu ofruar shërbime kualitative të gjithë tatimpaguesve, në mënyrë që ata t’i inkurajojë për përmbushjen e obligimeve të tyre tatimore”, tha Haliti.
Gjatë vitit që lamë pas, ATK-ja ka tejkaluar planin për grumbullimin e të hyrave për 1 për qind, kurse krahasuar me vitin paraprak rreth 8 për qind. Kjo, sipas Halitit, i bën optimist se do ta realizojnë edhe planin e këtij viti. Ai thekson se ATK-ja angazhohet në vazhdimësi për zvogëlimin e evazionit fiskal, në përputhje me strategjinë dhe planin e veprimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.