Tatimet u kërkojnë institucioneve financiare të raportojnë për regjistrin e llogarive bankare, ose do ketë penalitete

13/07/2021 10:00 AM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se ka filluar zbatimin e detyrimit ligjor të raportimit të llogarive bankare, bazuar në ligjin Nr. 154/2020 “Për Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare”, në kuadër të përafrimit të legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian.

Sipas këtij përcaktimi është ngritur edhe regjistri mbartës i të dhënave të këtij detyrimi ligjor. Subjekt raportues i të dhënave janë të gjitha institucionet financiare banka dhe jo banka, të cilat kanë në administrimin e tyre llogari bankare dhe kaseta sigurie.

Administrata Tatimore që prej Janarit 2021 ka inkurajuar të përmbushin detyrimet që lindin nga ky ligj, të gjitha institucionet financiare të lartpërmendura.

Insitucionet financiare, të cilat ende nuk kanë raportuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke mos përmbushur detyrimet e tyre ligjore, do të jenë subjekt për penalitete të mëtejshme, sipas dispozitave që parashikon ky ligj, thuhet në njoftimin e tatimeve.

 

Ligji

Ligji i ri për regjistrin e llogarive bankare hyri në fuqi në fund të muajit janar. Ligji ka si qëllim krijimin për herë të parë të një regjistri qendror të llogarive bankare dhe kasetave të sigurisë në Republikën e Shqipërisë.

Sipas ligjit, regjistri do të krijohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Informacioni i ruajtur në regjistër do të jetë konfidencial dhe i padisponueshëm për publikun e gjerë. Ligji përcakton se të dhënat e mbajtura në regjistër përbëjnë sekret bankar e profesional dhe duhen trajtuar e ruajtur si të tilla nga të gjitha autoritetet që kanë akses në to. Ato gjithashtu përjashtohen nga dispozitat e legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit. Regjistri elektronik në fjalë, megjithatë, nuk do të përmbajë të dhëna për gjendjen e llogarive, por do të funksionojë vetëm si listë e llogarive bankare që zotëron çdo person apo subjekt.

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave do të ketë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, ndërsa subjekteve të tjera të interesuara u garantohet e drejta e aksesit vetëm për ato të dhëna të regjistrit që janë të nevojshme për përmbushjen e detyrave të tyre funksionale. Në këto institucione përfshihen Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, drejtoritë e taksave dhe tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria e Përgjithshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë institucionet që kanë akses të plotë në llogaritë bankare.

Bazuar në këtë ligj, bankat duhet të krijojnë dhe të administrojnë sisteme që sigurojnë raportimin e të dhënave në regjistër, në mënyrë elektronike, duke përdorur mekanizmin qendror të automatizuar. Ato janë përgjegjëse për saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara. Nëse ato zbulojnë se ndonjë prej të dhënave të raportuara është e pasaktë ose e paplotë, njoftojnë në jo më vonë se 72 orë, njësinë përgjegjëse për regjistrin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke marrë masa njëkohësisht për korrigjimin e të dhënave të pasakta ose të paplota dhe duke i raportuar ato sërish. Mbikëqyrja e zbatimit të detyrimit për raportim dhe e përputhshmërisë së të dhënave bankare të raportuara do të realizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Pak ditë më parë qeveria miratoi dhe vendimin për përcaktimin e nivelit të aksesimit të subjekteve të interesuara në bazën ë të dhënave të regjistrit qendror të llogarive bankare. https://kryeministria.al/newsroom/vendime-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-date-8-korrik-2021/

Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve garanton funksionimin e përditësuar të Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare dhe i kasetave të sigurisë. Institucionet financiare janë përgjegjëse për saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara në Regjistër.

Subjektet që kanë akses të plotë, të menjëhershëm dhe të pafiltruar në të dhënat e regjistrit, nëpërmjet përdoruesve të aurorizuar prej tyre janë:

a) Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave;

b) Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm;

c) Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

ç) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;

d) Byroja Kombëtare e Hetimit;

dh) Shërbimi Informativ i Shtetit;

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of