Tatimet: Vëmendje të shtuar për ndërtimin

05/03/2019 2:36 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një prononcim të posaçëm për Monitor pohon se ndërtimi është një nga sektorët më me risk sa i përket përmbushjes së detyrimeve tatimore.
Në të ardhmen do të ketë një vëmendje të shtuar për këtë sektor. Administrata Tatimore pohon se bashkëpunon edhe me agjencitë e tjera ligj zbatuese për të kontrolluar burimet e financimit të tatimpaguesve të rinj.

 

Si e konsideroni sektorin e ndërtimit sa i përket riskut të informalitetit?

Sektori i ndërtimit ka qenë dhe mbetet ndër sektorët më me risk sa i takon përmbushjes së detyrimeve tatimore. Për këtë qëllim Administrata Tatimore për tatimpaguesit e këtij sektori, në vijimësi ka ndërmarrë aksione për të ulur informalitetin përmes vizitave fiskale, kontrolleve të plota tatimore etj.

Administrata Tatimore trajton risqet bazuar në fuqizimin e bazës së të dhënave, kapaciteteve analizuese. Edhe në vazhdimësi do të ketë një vëmendje të shtuar që do të konkretizohet me plane sektoriale të mirë strukturuara.

Në këtë sektor aktoret e tregut pohojnë se një pjesë e madhe punojnë me sistemin e shkëmbimit (barter). Si e kontrolloni ju këtë sistem?

Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe, që ka sektori i ndërtimit në realizimin e të ardhurave tatimore dhe njëkohësisht duke qenë se ky sektor mbetet ndër sektorët më me risk për sa i përket përmbushjes së detyrimeve tatimore, Kontrolli Tatimor mbi bazën e nivelit të riskut të përcaktuara nga analiza e riskut në DPT apo nga sektorët e analizës së riskut, ka përqendruar punën për të ulur informalitetin në këtë sektor duke:

1. Planifikuar e kryer vizita fiskale të shpeshta për deklarimin e punimeve gjatë fazave të ndryshme të ndërtimit të objekteve, për të parë saktësinë e deklarimeve të detyrimeve tatimore për faktin e punimeve të kryera.

2. Mbi bazën e analizave të sektorëve të riskut ushtrojmë kontrolle të plota tatimore për periudha të caktuara, ku qëllimi kryesor është saktësimi, vlerësimi i gjithë detyrimeve tatimore që lindin për çdo objekt të përfunduar e të shitur.

3. Duke pasur parasysh veçoritë e këtij sektori në Manualin e Kontrollit janë përcaktuar drejtimet kryesore, ku duhet përqendruar puna e inspektorëve të kontrollit sipas specifikave të këtij sektori, ku nga më të rëndësishmet mund të përmendim:

• Marrëdhëniet e pronareve të truallit ku ndërtohet objekti, me investitorët, ndërtuesit e sipërmarrësve të ndryshëm, për çdo transaksion të kryer midis tyre.

• Detajet e specifikuara të volumit të punimeve që do të kryhen apo janë kryer mbi bazën e kontratave të lidhura midis palëve me qëllim saktësimin e detyrimeve të tyre karshi organeve tatimore

• Kontroll i buxhetit dhe të dhënave mbi mënyrën e financimit të projekteve të ndërtimit dhe burimit të këtyre financimeve. Për këto njihen para fillimit të kontrollit, mbi bazën e projekteve e dokumentacioneve përkatëse duke e pasur të gatshme dhe në dispozicion

• Përveç inspektorëve të kontrollit në çdo rast në grupin e kontrollit merr pjesë dhe një specialist ndërtimi, i cili detajon gjithë bazën materiale të nevojshme për volumin e ndërtimeve të realizuara për të bërë krahasimin me lëndët e para të përdorura, gjithmonë në funksion të saktësimit të detyrimeve tatimore.

• Në çdo kontroll, objekt të rëndësishëm përbën dhe kontrolli i shitjes së objekteve sipas çmimeve të tregut, apo çmimeve të referencës të vendosura sipas zonave të ndërtimit, kontrolli i çmimeve të blerjes së lëndëve të para dhe çmimeve të përdorura në analizat e çdo njësie ndërtimi.

Të gjitha këto aspekte kanë qëllimin final për të përcaktuar, ose për t’iu afruar sa më shumë detyrimeve tatimore që këta persona të tatueshëm duhet të paguajnë.

Së fundmi janë shtuar kompanitë në sektorin e ndërtimit që kanë pasur të ardhura minimale dhe po ndërtojnë pallate të shtrenjta në mes të kryeqytetit. A i kontrolloni ju për burimet e financimit?

Sa i takon burimeve të financimit për tatimpaguesit e rinj që janë duke operuar në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore i kushton vëmendjen e duhur kontrollit të tyre, e drejtë që i buron nga zbatimi i legjislacionit tatimor, i lidhur me përcaktimin e detyrimeve tatimore. Administrata Tatimore gjithashtu bashkëpunon edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of