Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka formuluar një skemë grafike (shih më poshtë) ku jepen detaje se do të funksionojnë kontrollet me bazë risku.
Si hap i parë përcaktohen listat e përzgjedhura nga risku.
Më pas për çdo kategori të tatimpaguesve janë përgatitur njoftime specifike sensibilizuese dhe informuese, në vartësi të problematikës së tatimpaguesit.
Pas përcaktimit të listave krijohet grupi i punës, nga Drejtoria e Riskut. Grupi i punës i dërgon njoftim subjekteve për paraqitje në Drejtorinë e Riskut. Subjekti paraqitet dhe informohet për situatën.
Më pas ndryshohet përgjegjësia tatimore dhe bëhet vlerësim i situatës sipas rastit. Nëse palët (tatime dhe subjekt) nuk bien dakord nis verifikimi fizik dhe vlerësimi i situatës. Më tej saktësohen përgjegjësitë tatimore.
Drejtoria e Rriskut në tatime ka seleksionuar deri më tani 10 lista me tatimpagues të identifikuar me risk të lartë për fenomene specifike.
Modeli i Riskut Tatimor është model shumëdimensional, i cili shqyrton risqet e mos-përmbushjes në tre perspektiva:
– Në perspektivën e parë, rregullat e riskut analizojnë performancën relative të çdo tatimpaguesi ndër vite për deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore te regjistruara.
– Në perspektivën e dytë performanca e çdo tatimpaguesi krahasohet me mesataren e performancës së sektorit ku tatimpaguesi ushtron aktivitetin ekonomik.
– Në prespektivën e tretë performanca e sektorit ekonomik krahasohet me performancën e të njëjtit sektor në rajone të ndryshme dhe në rang kombëtar.
Strategjia e BE-së për menaxhimin e riskut të përmbushjes rekomandon se përpjekjet për uljen e evazionit tatimor duhet të përqendrohen në të gjithë sektorët, tatimet ose proceset ku ka rreziqe të dukshme dhe jo mbi një përzgjedhje të pastrukturuar të tatimpaguesve individualë për kontroll, bazuar vetëm në pikët e riskut nga një model kompjuterik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.