Në zbatim të Planit kundër Informalitetit, Administrata Tatimore njoftoi se ka vijuar fushatën ndërgjegjësuese për deklarimin real të pagave, ndërsa vazhdon verifikimi në terren për punonjës të paregjistruar, specifikisht në sektorë të identifikuar me risk si ndërtimi, call center dhe fasoneri.
Nga analiza e riskut mbi nivelin e pagave, u identifikuan 7200 punëdhënës që nëndeklarojnë pagat e punonjësve të disa profesioneve të mirëpaguara dhe 13400 individë që ndikohen nga kjo, edhe për të ardhmen e tyre (vlera e pensionit).
Administrata Tatimore ka komunikuar në mënyrë të personalizuar me tatimpaguesit punëdhënës dhe vetë individët e nënpaguar, për t’i ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e deklarimit korrekt dhe të vetëkorigjimit.
Qëllimi i Administratës Tatimore është të komunikojë tek punëmarrësit përfitimet që kanë nga deklarimi korrekt i pagës së tyre dhe të ndërgjegjësojë punëdhënësit se mosdeklarimi i pagës reale përbën shkelje dhe dënohet sipas legjislacionit tatimor.
Administrata Taimore nxit të gjithë tatimpaguesit të vetëdeklarojnë në mënyrë korrekte e në respektim të ligjit, duke ju siguruar se monitorojmë në vazhdimësi deklarimet dhe ndryshimet që reflektohen në përmbushje. Për çdo parregullsi, për të cilën nuk janë ndërmarrë veprime vetëkorrigjuese, do të vijojmë me masat që parashikon ligji.
Plani kundër Informalitetit synon së pari ndërgjegjësimin e të gjithëve, se respektimi i ligjit është detyrim i njejtë për të gjithë dhe në të mirën e përbashkët, thuhet në njoftimin e tatimeve.
Rritet tatimi mbi të ardhurat për individët që kanë më shumë se një punë, preken 35 mijë persona
Individët, që punojnë në më shumë se një punë, duhet të përgatiten që të paguajnë më shumë tatim mbi të ardhurat. Kjo do të ndodhë, pasi ata do të jenë të detyruar të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave në fillim të vitit pasardhës, çka do të ndryshojë tërësisht mënyrën sesi llogaritet tatimi mbi pagat e tyre, duke bërë që individët të përfitojnë vetë një herë nga përjashtimi për të ardhurat deri në 30 mijë lekë, ndërsa nëse shuma e dy pagave të tyre i kalon 150 mijë lekët, do të tatohen për shtesën me 23%. Numri i punëmarrësve që janë të punësuar në më shumë se një vend pune për vitin 2018 është 31, 737 dhe për 9-mujorin e vitit 2019 është 35, 558, sipas të dhënave zyrtare.
Me një ndryshim në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, Ministria e Financave parashikon që individët që janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës do të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave, edhe nëse ai nuk i kalojnë 2 milionë lekët në vit.
Më herët, detyrimin për të bërë deklarimin vjetor e kishin vetëm individët që kishin të ardhura prej më shumë se 2 milionë lekësh. https://www.monitor.al/rritet-tatimi-mbi-te-ardhurat-per-individet-qe-kane-me-shume-se-nje-pune-do-tatohen-si-me-nje-page-te-vetme/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.