Tatimi i pagave për të dypunësuarit: Çfarë është dhe përse paguhet në këtë moment

30/04/2021 11:49 AM 0 komente

Të shumtë kanë qenë personat që këto ditë të fundit të afatit, kanë kërkuar informacion për këtë deklaratë, e siç mund të pritet, shumë prej tyre janë surprizuar kur u është komunikuar që kanë detyrim për të paguar

Nga Armand Mala

Kontabilist

Me ndryshimet ligjore të vitit të kaluar, të dy punësuarit pavarësish që kanë një nivel të ardhurash vjetore më të ulëta se 2 000 000 duhej që brenda datës 30 Prill të plotësonin Deklaratën Individuale e të Ardhurave (DIA).

Të shumtë kanë qenë personat që këto ditë të fundit të afatit, kanë kërkuar informacion për këtë deklaratë, e siç mund të pritet, shumë prej tyre janë surprizuar kur u është komunikuar që kanë detyrim për të paguar, duke u ankuar që ata kanë paguar gjatë vitit tatime e sigurime, e nëse sërish duhet të paguajnë, përse ky tatim nuk i është mbajtur gjatë vitit, duke i kursyer një pagesë të konsiderueshme në këtë moment, pagesë për të cilën ndoshta marrin borxh për ta shlyer.

Por çfarë është ky tatim dhe përse paguhet në këtë moment?

Sipas “ligjit nr. 8438 për Tatimin mbi të Ardhurat” të gjithë personat e dypunësuar, pra që marrin paga në më shumë se një qendër pune, tatimi i pagës llogaritet në mënyrë të pavarur në secilën qendër pune. Pra secili punëdhënës përllogarit dhe mban tatimin e pagës sikur ky punonjës të mos punonte ne vend tjetër. Por duke ditur që ne kemi një tatim page të përshkallëzuar, logjikshëm rrjedhin diferenca. Këto diferenca përllogariten pikërisht me këtë deklaratë të fundvitit.

Sjellin në vëmendje që niveli i tatimit të pagës është:

-Për pagat 0-30000 tatimi 0%.

-Për pagat 30000-150000 tatimi 13%. (Page – 30000) x 13%

-Për pagat mbi 150000 tatimi 23%.  (Page – 150000) x 23% plus 15600.

Pra, secili punëdhënës ka përllogaritur tatimin si me lart. Ndërkohë me plotësimin e Deklaratës vjetore të Tatimit të te Ardhurave, paga do trajtohet sikur të ishte një. Tabela e mëposhtme është rasti i një të punësuari ne dy qendra pune, ku ne njërën kompani paguhet 130,000 leke bruto, ndërsa ne tjetrën 30,000 leke bruto.

Referuar përllogaritjeve ne tabelën e mësipërme, ky individ me plotësimin e DIA duhet të paguajë një detyrim në vlerën 58800 lekë.

Në rast se të njëjtin nivel te ardhurash do e kishte përfituar në të njëjtën qendër pune, sërish tatimi i paguar do ishte i barabartë, por do i ishte mbajtur çdo muaj, në këtë mënyre: e para nuk do kishte detyrimin e një pagese të menjëhershme prej 58 800 lekësh, e dyta, në sytë e punëdhënësit do kishte një page neto më të ulët (aq sa realisht fiton) sesa duket gjatë muajve kur punëdhënësi xhiron pagat.

Për punëdhënësin e pare paga neto mujore e këtij punonjësi është 102 440 lekë, ndërsa për punëdhënësi e dytë, paga neto 29 270 (i është zbritur vetëm pjesa e sigurimeve), dhe nëse i përkthejmë në page vjetore kemi (102 440 + 29 270) x 12= 1 580 520 lekë por në fakt, pasi individi paguan dhe tatimin e përllogaritur në deklaratën vjetore, paga neto mbetet 1 580 520 – 58 800 = 1 521 720 lekë.

Pa hyrë në diskutime nëse është apo jo i drejtë ky tatim, në total ky individ i paguan shtetit ne formën e tatimeve e sigurimeve 214 800 tatim + 183480 sigurime = 398 280, e shprehur në përqindje ndaj pagës neto (398280/1521720=26.17%).

Nëse shtojmë edhe pjesën e sigurimeve që paguan punëdhënësi për këtë punonjës (270 804), totali i ndalesave për tatime e sigurime për këtë individ është 669 084 leke, ose 43.96% e pagës neto. Ne opinionin tim, duhet medoemos një ndërhyrje për te ulur tatimin për këto nivel page, të gjithë jetojmë ne realitetin qe ky nivel page, vetëm page luksi nuk mund të jetë. Në të kundërt, do gjenden forma për të bërë evazion (p.sh. Regjistrimi si i vetëpunësuar dhe lëshimi i faturave mujore ndaj kompanisë).

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of