Flet Olindo Shehu, Partner në Deloitte
Në datën 25 nëntor 2021, Kuvendi miratoi paketën e re fiskale për vitin 2022 e cila edhe pas miratimit, vazhdon të ngjallë diskutime e polemika ndërmjet ekspertëve të ekonomisë dhe institucioneve vendimmarrëse.
Kjo për shkak se paketa fiskale, fokusin më të madh e ka pasur tek Tatimi mbi të ardhurat personale dhe përjashtimet nga TVSH, të cilat prekin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, mirëqenien e qytetarëve dhe iniciativat e sipërmarrësve.
Olindo Shehu, Partner në Deloitte, në një intervistë për “Monitor” thotë se ligjet tona tatimore në përgjithësi kanë humbur thelbin se për çfarë qëllimi i kemi vendosur, me gjithë arnimet e bëra çdo vit. Ai shton se ne sot në Shqipëri kemi një trajtim diskriminues deri në absurd të individëve që gjenerojnë të ardhura nga punësimi dhe për të kthyer një përgjigje të drejtpërdrejtë, mendoj se tatimi mbi të ardhurat personale në Shqipëri është një dështim.
Si do ta vlerësoni tatimin progresiv mbi pagat?
Vlen për t’u theksuar se nga momenti kur paketa fiskale për vitin 2022 u miratua e deri tani, kemi pasur disa zhvillime shumë negative në vend, si rrjedhja e paprecedentë e informacioneve personale dhe patjetër që këto zhvillime kanë marrë vëmendjen që zakonisht zë paketa fiskale në këtë periudhë të vitit.
Unë shpresoj që autoritetet të jenë duke marrë masa të menjëhershme për të adresuar sigurinë kibernetike, sepse besimi tek dixhitalizimi i shërbimeve të ofruara prej qeverisë sot është në nivelin më të ulët dhe risku i të bërit biznes në Shqipëri, pas kësaj rrjedhjeje masive gjykoj që është rritur më shumë se kurrë.
Megjithatë, për t’u kthyer te pyetja në lidhje me tatimin progresi mbi pagat, që kur u prezantua fillimisht në vitin 2013, tatimi progresiv mendoj se kishte për qëllim të zbuste pabarazinë mes shtresave të ndryshme të shoqërisë.
Tatimi i sheshtë prej 10% u anatemua si shkaktari kryesor i krizës sociale dhe ekonomike që përjetonte shoqëria jonë në atë kohë dhe si rrjedhoje debati u kthye më shumë në “tatimi i sheshtë vs. tatimi progresiv”, që për mendimin tim nuk ka pasur asnjëherë asnjë kuptim.
Pavarësisht progresit në disa prej ligjeve tatimore, siç është ai për TVSH apo i Transferimit të Çmimit, ligjet tona tatimore në përgjithësi kanë humbur thelbin se për çfarë qëllimi i kemi vendosur, me gjithë arnimet e bëra çdo vit.
Debati “tatimi i sheshtë apo tatimi progresiv” bën më shumë zhurmë, të qëllimtë apo jo nuk di ta them, dhe e largon totalisht vëmendjen nga debatet e shëndetshme që mund të ishim duke bërë, duke vlerësuar se si sistemi ynë tatimor mund të ishte në funksion të zhvillimit ekonomik, social, sektorëve prioritarë, shtresave në nevojë, etj.
Unë mendoj se ne sot në Shqipëri kemi një trajtim diskriminues deri në absurd të individëve që gjenerojnë të ardhura nga punësimi dhe për të kthyer një përgjigje të drejtpërdrejtë, mendoj se tatimi mbi të ardhurat personale në Shqipëri është një dështim.
Një dështim total sa u përket të ardhurave që në fillim parashikoheshin të mblidheshin, një dështim total në lidhje me zhvillimin e shtresës së mesme, një dështim total në lidhje me harmonizimin fiskal që është i domosdoshëm për të pasur një ekosistem ligjesh që ndihmojnë njëri – tjetrin për të arritur qëllimin e duhur.
A mund ta zhvilloni pak më shumë se pse mendoni se tatimi mbi pagat nuk është i suksesshëm?
Duke zbatuar tatimin progresiv vetëm për të ardhurat nga punësimi (pagat), në shoqëri u krijua një tjetër lloj pabarazie. Të ardhurat pasive apo nga sipërmarrja tani tatohen me një shkallë tatimore më të ulët apo janë të përjashtuara nga tatimet.
Të ardhurat nga punësimi tatohen me një shkallë progresive deri në 23% dhe tatimi mbahet nga punëdhënësi. Nga ana tjetër, të ardhurat pasive (p.sh. dividendi, qiraja, të ardhurat nga të drejtat e autorit etj.) tatohen me një shkallë më të ulët midis 8% dhe 15%.
Për më tepër, disa prej tyre janë ende të padisiplinuara nga autoritetet tatimore. P.sh. tregu i qirave, si dhe ai i artistëve e sportistëve në Shqipëri janë në një masë të madhe informale dhe autoritetet tatimore ende nuk kanë një infrastrukturë të qartë dhe efektive se si deklarohen apo mblidhen këto tatime, pasi përmbushja e detyrimit për deklarimin dhe pagesën e tatimit u lihet në vullnetin e lirë përfituesve të këtyre të ardhurave.
Një tjetër dimension i pabarazisë është theksuar së fundmi nga përjashtimet agresive nga tatimet për personat fizikë tregtarë duke përfshirë reduktimin apo eliminimin e tatimit mbi fitimin, por edhe daljen nga regjimi i TVSH. Ndërkohë, personat fizikë tregtarë nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat personale për të ardhurat që gjenerojne nga aktiviteti tregtar.
Qartësisht, kjo skemë, e cila zbatohet vetëm për të ardhurat nga punësimi, është një dështim dhe duhet të rishikohet në thelbin e saj sa më shpejt. Të ardhurat shtesë që shteti mbledh përmes këtij tatimi janë inferiore krahasuar me dëmin që sjell demotivimi që i bëhet kësaj kategorie të tatimpaguesve, e cila ka një rol thelbësor në aktivitetin ekonomik të vendit. Nuk mund të shtrëngohet dot nga gryka një thes që është i shpuar nga të gjitha anët.
Cili është qëndrimi juaj në lidhje me trajtimin tatimor te individëve në Shqipëri?
Patjetër që është pozitive që qytetarët të nxiten të krijojnë të ardhura pasive, por të mos harrojmë që puna dhe të ardhurat që gjenerohen prej saj janë një nga shtyllat kryesore te zhvillimit ekonomik e social duke përfshirë fuqizimin e një shtrese të mesme solide që vendit tonë i ka munguar. Prandaj, kjo kategori tatimpaguesish duhet të nxiten me lehtësi fiskale e politika zhvillimi dhe jo të trajtohen si “burim i sigurt të ardhurash” për buxhetin e shtetit ne këtë sistem tatimor të pabarabartë.
Ka ardhur koha që autoritetet tatimore të krijojnë politikat dhe infrastrukturën e nevojshme për të mbledhur tatimet nga të gjithë qytetarët dhe subjektet që kanë detyrimin për të paguar në mënyre të drejtë, dhe të lehtësojnë barrën tatimore te punëmarrësve.
Cili mendoni se do të jetë ndikimi i ndryshimeve në skemën e Tatimit mbi të ardhurat personale te cilat hyjnë në fuqi më 1 Korrik 2022?
Skema e re nuk e adreson pabarazinë midis tatimpaguesve që mbështeten në të ardhurat nga paga dhe atyre me të njëjtin nivel ose më shumë të ardhurash, por me një natyrë e burim tjetër (p.sh. dividendi, interesi, qiraja, honorarët, e drejta e autorit, etj.).
Për më tepër, kjo skemë është tepër e ndërlikuar, e vështirë për t’u kuptuar dhe akoma më shumë në aplikimin në praktikë, pasi do t’u shkaktojë punëdhënësve vështirësi dhe kosto shtesë në përllogaritjen e saktë dhe dhënien e pagave. Kjo do të jetë veçanërisht e vështirë për shoqëritë me numër të madh punonjësish të cilët nuk e kanë të automatizuar këtë proces apo në rastin e punëmarrësve të dy punësuar.
A mendoni se ndryshimet e shpeshta të ligjeve tatimore janë të arsyeshme dhe efektive?
Një nga shqetësimet që ngrihet vazhdimisht është që ligjet në Shqipëri ndryshojnë shumë shpesh dhe jo në pak raste, u lihet shumë pak kohë subjekteve të përshtaten me këto ndryshime (mjafton të përmendim këtu fiskalizimin). Kjo shkakton jo vetëm konfuzion dhe vështirëson shumë planifikimin e operacioneve të biznesit, por krijon pasiguri tek investitorët e rinj, vendas dhe të huaj, të cilët nuk e dinë se me çfarë ndryshimesh të tjera ligjore mund të përballen qoftë edhe në të ardhmen e afërt.
Cilat janë rekomandimet tuaja për politikat ekonomike dhe fiskale në të ardhmen?
Çfarë duket deri tani është se kjo paketë fiskale rëndon më së shumti punën dhe industrinë prodhuese e përpunuese dhe për më tepër, ajo çka është më shqetësuese është fakti se është tërësisht e paqartë se si këto nisma ligjore do të ndikojnë në afatgjatë në nxitjen dhe zhvillimin e ekonomisë në tërësi.
Aktualisht, qeveria nuk ka një drejtori për politikat fiskale, të pajisur me kapacitete të mjaftueshme për të arritur të draftojë politika fiskale, të cilat shërbejnë si katalizatorë të ekonomisë, kanë vizion afatgjatë dhe të qartë në qëllimin e tyre.
Kësisoj është e një rëndësie thelbësore që politikat fiskale të mos jenë më të njëanshme dhe në funksion të interesave afatshkurtra të investitorëve të caktuar, por të orientohen drejt zhvillimit afatgjatë në drejtim të sektorëve prioritarë të zhvillimit ekonomik, ndikimi i të cilave ndihet drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe shtresës së mesme, e cila duhet të jetë guri i themelit të një shoqërie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.