Ndryshimi i legjislacionit të tatimit mbi të ardhurat përmban dispozitat e mëposhtme: Në nenin 1, të projektligjit, propozohet të riformulohen dispozitat e nenit 4 “Burimi i të ardhurave”, të ligjit, që lidhen me të ardhurat nga pronësia dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e paluajtshme, duke zgjeruar bazën e tatueshme në vend, nëpërmjet përfshirjes në këtë kategori edhe të të ardhurat nga të drejtat për shfrytëzimin e pasurive minerale, hidrokarbure apo burimeve natyrore tokësore dhe ujore, si dhe aksioneve ose interesave të ngjashme me to.
Në nenet 2, 7 dhe 8, të ligjit, lehtësohet barra fiskale për 20 mijë biznese nëpërmjet uljes së normës së tatimit mbi dividentin, të të ardhurave që rrjedhin si fitim i ortakut dhe nga ndarja e fitimit nga 15% në 8%.
Në nenin 4, të ligjit, është shtuar mosnjohja si shpenzime të zbritshme në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, të shpenzimeve për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore, edhe kjo masë në kuadër të angazhimeve për minimizimin e shmangieve dhe ruajtjen e bazës së tatueshme.
Në nenin 5, të ligjit, shtohet një nen i ri në ligjin aktual, i cili vendos detyrim personin juridik për të paguar tatimin mbi fitimin, në rastin e ndryshimit më shumë se 20% në vlerë, të pronësisë direkte dhe/ose indirekte të kapitalit aksioner, kuotave ose të drejtave të votimit, njoftimin e administratës tatimore brenda 45 ditëve për detajet e ndryshimit, si dhe përjashtimin nga pagimi i tatimit për çdo ndryshim.
Gjithashtu, në këtë nen vendoset detyrimi për njoftimin e administratës tatimore brenda 45 ditëve edhe për ndryshimet e pronësisë prej 10%, ose më shumë, të kapitalit ose të drejtave të votës të personit juridik, duke përcaktuar më pas edhe aplikimin e penaliteteve konform ligjit të procedurave tatimore për rastet e mosnjoftimit.
Neni 6 shtohet i ri dhe synon përfshirjen e personave jorezidentë në personat që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin për fitimet e realizuara nga shitja e aksioneve apo interesave të ngjashme, vlera e të cilave buron nga pasuri të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë. Këta individë pastaj do të detyrohen të plotësojnë deklaratën e të ardhurave të tatueshme, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.