Nga 1 korriku 2022 pagat deri 40,000 lekë në muaj nuk do të tatohen.
Aktualisht tatimi mbi të ardhurat është 0% për pagat deri në 30,000 lekë. Ndryshimet në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat e pagave” janë propozuar me paketën fiskale 2022. Drafti i Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë, propozon ndër të tjera reduktim të normës tatimore me 50% për tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë deri në 50,000 lekë/muaj. Këta tatimpagues do paguajnë 0% tatim deri në shumën 30,000 lekë të ardhura mujore nga paga, dhe mbi këtë shumë do paguajnë gjysmën e normës tatimore prej 13%.
Kontabilisti Sotiraq Dhamo vlerëson se parimi i vendosjes të kufirit të pagave ka tendencë për informalitet, por ndryshimet pritet të rrisin deklarimin real të pagave të ulëta.
“Pagat mbi 30,000 lekë dhe 150,000 lekë deri tani në vend kanë qenë shumë pak. Me ndryshimet e propozuara për rritjen e tavanit të patatueshëm të pagës deri më 40,000 do të ndikojë në rritjen e deklarimit real të pagave të ulëta. Nëse më përpara një pagë ka qenë 35,000 apo 38,000 me ndryshimet e propozuara do të deklarohet më shumë, pasi edhe presioni për mostatim do të ulet”.
Projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon që tatimi 23% të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht. Sipas z. Dhamo rishikimi i fashës së sipërme të taksimit progresiv do të mbështesë rritjen e deklarimit real të pagave të drejtuesve te bizneset e mesme. “Ndryshimet do të çojnë në rritjen e deklarimit edhe të pagave të larta, pasi kalimi nga 23% në 10% do të ndihmojë në rritjen e deklarimit të pagave mbi 150,000 lekë. Ky nivel pagash në Shqipëri është për menaxherët në biznesin e mesëm që janë kontribuues të ekonomisë. Ndërsa pagat e drejtuesve të kompanive të mesme kanë paga në nivelin e 220,000 apo 230,000 lekëve. Trendi i rritjes është pozitiv. Mund të ishte llogaritur edhe deri në 250,000 lekë”, pohon Dhamo.
Në relacionin e projektligjit thuhet se tatimpaguesit që përfitojnë nga rritja e tavanit të patatueshëm është rreth 71,500 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 7,800 lekë për tatimpagues/vit ose rreth 557 milionë lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit.
Nga përgjysmimi i normës tatimore për pagat nga 40,000 deri në 50,000 lekë përfitojnë rreth 5,900 tatimpagues dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit ose në total 135 milionë lekë për të gjithë tatimpaguesit.
Nga zbatimi i ndryshimeve ligjore rezulton që efekti negativ në buxhetin të shtetit të jetë prej -1.37 miliardë lekë në vit, ndërsa sa i takon vitit 2022, duke qenë se ky parashikim nis të zbatohet në korrik të vitit 2022, efekti negativ për vitin 2022 parashikohet të jetë -685 milion lekë./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.