Tatimi progresiv kundrejt i thjeshtë?! Pse fiton i dyti

20/11/2012 3:12 PM 0 komente

Një vend me sistem tatimor me kosto më të ulët, do të ishte më tërheqës (joshës) për të bërë një investim nga biznesi dhe, me logjikë, do të kishte më shumë gjasa që vendi të përjetonte një rritje ekonomike

 

 

Akademiku

Çdo lëvizje në politikën tatimore, në njëfarë shkalle, përfaqëson një hap në të panjohurën, për arsye se sistemi tatimor është jetik dhe si i tillë, ai duhet të mos e dëmtojë biznesin, gjë që nënkupton se çështje të tilla si debati për tatimin progresiv dhe tatimin e sheshtë, veçanërisht, ai për biznesin e vogël, duhet shqyrtuar me shumë kujdes duke vënë në qendër të interesit sipërmarrjen dhe sipërmarrësin, që hapin vende pune.

Debati mbi sistemin më të mirë tatimor i ka rrënjët thellë në historinë e sistemeve tatimore, në mënyrë të veçantë që prej periudhës pas Revolucionit Francez të vitit 1848, për t’u ngritur në një shkallë më të lartë në SHBA, në periudhën e viteve 1780 – 1990 e deri më sot, gjë që ilustrohet aq mirë në librin e gazetarit Steven Ëeisman “The Great Tax Ëars – Luftërat e Mëdha Tatimore”. Që nga ajo kohë dhe deri më sot, të djathtët dhe të majtët kanë paraqitur pretendimet e tyre në lidhje me përparësitë dhe kthimet mbrapa të tatimit progresiv dhe tatimit të thjeshtë; debati publik lidhur me barazinë e sistemit tatimor pasqyron një hapësirë opinionesh rreth faktit se cila nga kategoritë e tatimpaguesve duhet të paguajë tatime dhe sa i duhet vendosur barra tatimore çdo kategorie.

Nuk duhet të harrohet se tatimet vendosin kostot e eficencës, që alternojnë sjelljen e tatimpaguesit, që i nxisin ata të zhvendosin burimet nga përdorimi i vlerave më të mëdha në përdorimin e vlerave më të ulëta, në përpjekjen që synon zvogëlimin e detyrimit tatimor, ndryshim ky, që mund të shkaktojë zvogëlimin e mirëqenies së tatimpaguesit dhe mundësitë e konsumit.

Thjeshtësia e sistemit tatimor (që kërkon politika tatimore aktuale) është kohë dhe burimet e tjera që tatimpaguesit shpenzojnë për të zbatuar legjislacionin tatimor, gjë që përfshin kohën dhe burimet e shpenzuara për (i) mbajtjen e regjistrimeve dhe (ii) të mësuarit rreth detyrimeve tatimore, si dhe përgatitjes së formularëve tatimorë. Transparenca e sistemit tatimor i referohet aftësisë së tatimpaguesve për të kuptuar si llogariten detyrimet e tyre, logjikën mbrapa legjislacionit tatimor, cila është barra e tyre vetjake tatimore, si dhe barrën dhe gjasën për t’u përballur me ndëshkimet për moszbatimin e legjislacionit tatimor që u përket të tjerëve; ndërsa administrimi i sistemit tatimor u referohet kostove që tek e fundit u lindin tatimpaguesve, për përpunimin dhe bërjen e pagesave tatimore, si dhe kostot në lidhje me detyrimin e legjislacionit tatimor.

Pra, sikundër mund të kuptohet, politika tatimore nuk duhet ta privojë individin prej lirisë së tij për të bërë para ose fitim, duke prodhuar ose duke tregtuar, në rast se e shtrëngon atë me anë të një barre të rëndë tatimore, sidomos kur i detyron punëmarrësit “të ndihen një çikë më mirë se sa bletët në një koshere të madhe”.

Ja përse është e rëndësishme barra tatimore, për arsye se ajo ndikon vendimet e biznesit, në krijimin e vendeve të punës, në vendndodhjen e biznesit, në konkurrueshmëri, në transparencën e sistemit tatimor, si dhe në shëndetin afatgjatë të ekonomisë së një vendi. Me pak fjalë: tatimet ndikojnë në zvogëlimin e fitimeve në qoftë se ato u marrin bizneseve pjesën më të madhe të fitimeve në krahasim me koston që ia pasojnë konsumatorëve (nëpërmjet çmimeve më të larta), ose punëmarrësve (nëpërmjet pagave më të ulëta, ose më pak vendeve të punës), ose aksionerëve (nëpërmjet dividentëve më të ulët, ose vlerës më të ulët të aksioneve).

Pra, sikundër mund të shihet qartë, përfundimi është: një vend me sistem tatimor me kosto më të ulët, do të ishte më tërheqës (joshës) për të bërë një investim nga biznesi dhe, me logjikë, do të kishte më shumë gjasa që vendi të përjetonte një rritje ekonomike. Por nuk duhet harruar se çdo ligj tatimor, në njëfarë mënyre, do të ndryshonte pozicionin konkurrues lidhur me vendet e tij fqinjë në rajonin e tij gjeografik dhe madje më gjerë; tek e fundit fare, legjislacioni tatimor ndikon qëndrimin e qytetarëve të tij si për sa i përket vendit ku ata do të jetojnë ashtu dhe për të bërë biznes. Pra, një vend që inkurajon sipërmarrjen mund dhe duhet të marrë përparësinë e rritjes ekonomike në raport me fqinjët e tij, sepse bizneset kanë prirjen të largohen nga ato vende ku barra tatimore është e lartë.

 

 

Reformimi i tatimit mbi biznesin e vogël

Kur vjen fjala për reformimin e tatimit mbi biznesin e vogël, nuk ka dyshim se drejtimet kryesore të tij janë: (i) inkurajimi i formalizimit dhe (ii) rritja ekonomike e biznesit të vogël; por reformimi i sistemit tatimor për bizneset e vogla është i komplikuar dhe ende nuk ka ndonjë përvojë, që në praktikë të njihet si më e mira, si dhe që i ka zgjidhur të gjitha çështjet që ngre zbatimi i një sistemi tatimor të thjeshtë, të administrueshëm dhe me trajtim të paanshëm të tatimpaguesve.

Kur merret në konsideratë tatimi mbi biznesin e vogël për vendet në tranzicion vetëm nga perspektiva e të ardhurave, shpesh, potenciali i tij shihet në kuadër të përfitimit të një baze më të gjerë tatimore, e cila në një periudhë afatmesme deri afatgjatë, nuk mund të ketë të ngjarë të kompensojë kostot e larta të administrimit të tatimpaguesve të biznesit të vogël. Një sistem i mirë tatimor për biznesin e vogël është mjeti kyç i politikës tatimore për t’i hapur rrugën daljes nga “kurthi i informalitetit” dhe rritjes së ulët ekonomike, së drejtës së kufizuar të hyrjes në tregje dhe përjashtimit nga shërbimet financiare; sektori formal i biznesit të vogël çon përpara marrëdhëniet reciproke ndërmjet shtetit dhe pjesës më të madhe të qytetarëve të tij, të përfshirë në veprimtari ekonomike të shkallës së vogël.

Prandaj, kur bëhet fjalë për zgjedhjen ndërmjet sistemit tatimor progresiv dhe atij të thjeshtë, ekspertët argumentojnë me fakte se të tatuarit progresiv, në mënyrë të natyrshme, i dekurajon njerëzit nga të punuarit më fort dhe nga të qenit më të suksesshëm, për arsye se me anë të shkallëzimit progresiv të tatimit, përfitimet monetare shtesë do të pakësohen nga një barrë tatimore më e lartë dhe në njëfarë pike njerëzit vijnë në përfundimin se të bësh më shumë para nuk ka vlerë për arsye të përqindjeve më të larta tatimore.

 

Progresiv apo i thjeshtë?

Kur bëhet fjalë për zgjedhjen ndërmjet sistemit tatimor progresiv dhe atij të thjeshtë, ekspertët argumentojnë me fakte se të tatuarit progresiv, në mënyrë të natyrshme, i dekurajon njerëzit nga të punuarit më fort dhe nga të qenit më të suksesshëm, për arsye se me anë të shkallëzimit progresiv të tatimit, përfitimet monetare shtesë do të pakësohen nga një barrë tatimore më e lartë dhe në njëfarë pike njerëzit vijnë në përfundimin se të bësh më shumë para nuk ka vlerë për arsye të përqindjeve më të larta tatimore

Kësisoj, në krahasim me tatimin e thjeshtë, tatimi progresiv u jep njerëzve më shumë se një nxitës për të mos i paguar tatimet, thjesht, për shkak të shkallëve tatimore, për arsye se me përqindje tatimore më të larta njerëzit kanë një prirje të natyrshme më të madhe për të mos paguar tatime me qëllim që të kursejnë para; nga ana tjetër, kur vjen fjala në lidhje me evazionin tatimor përqindja e tatimit të thjeshtë ka gjithnjë të njëjtin risk.

Një sistem tatimor progresiv, natyrshëm, është më kompleks dhe më i vështirë për ta administruar me masa shtrënguese, për arsye se ligjet dhe rregullat e domosdoshme janë më komplekse se sa ato të përqindjes së thjeshtë tatimore, gjë që ka treguar se konsumohet më shumë kohë për mbajtjen e kontabilitetit, regjistrimeve, llogaritjeve për bizneset dhe individët në lidhje me zbatimin e legjislacionit tatimor, gjë që do të thotë se zbatimi i legjislacionit tatimor do të jetë më i kushtueshëm, veçanërisht, në rastin e masave shtrënguese.

Nuk duhet harruar se kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor janë shumë të mëdha dhe i marrin biznesit të vogël burime të rëndësishme, ndërsa në rastin e tatimit të thjeshtë i ofrojnë biznesit të vogël kursime të rëndësishme; shumë studime të kryera në vendet anëtare të BE kanë treguar se kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor janë shumëfishi i kostove të administratës tatimore, duke mos harruar njëkohësisht se rritja e kostove të zbatimit të legjislacionit tatimor zvogëlon konkurrueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare.

Të analizuara nga një këndvështrim tjetër, kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor kanë një efekt shpërndarës të padëshirueshëm, për arsye se gjatë ndodhjes së tyre ato janë kapriçioze dhe, veçanërisht për biznesin e vogël, ato janë agresive (për arsye se bien me ashpërsi mbi të) dhe ky lloj agresiviteti është shumë i theksuar sidomos kur ai zbatohet për çdo tatim, për arsye se ka efekt grumbullues. E fundit, por jo nga rëndësia: kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor mund të gjenerojnë pakënaqësi të veçantë te tatimpaguesit, gjë që ndikon në mënyrë të kundërt, krahasuar me zbatimin vullnetar të legjislacionit tatimor.

Për ta parë qartë problemin e zgjedhjes ndërmjet tatimit progresiv dhe tatimit të thjeshtë, duhen marrë në konsideratë të ardhurat e mbledhura nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke filluar që prej 1 korrikut 1995 e deri më sot (kundrejt totalit të të ardhurave tatimore), të cilat dëshmojnë se ky tatim përbën një prej burimeve më domethënëse të të ardhurave tatimore. TVSH është jo vetëm një tregues ekonomik kyç, si dhe një udhërrëfyes i zbatimit të ligjeve të tjera tatimore; për arsye se tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe taksa mbi biznesin e vogël, varen nga volumi i shitjeve me TVSH, ose nga kërkesa agregate që përfaqëson nivelin e blerjeve/shitjeve të mallrave dhe shërbimeve për konsum; pra, TVSH është një mjet ekonomik që kërkon përdorimin e duhur, nga i cili duhet të përfitojë vendi dhe të gjithë njerëzit, por kur TVSH kombinohet me tatimin progresiv, dihet se si do të ndikojë ai te të gjithë njerëzit.

Nga ana tjetër, zgjedhja ndërmjet tatimit progresiv dhe atij të thjeshtë lidhet pazgjidhshmërisht me të bërit më të lehtë për për të paguar tatimet nga ana e bizneseve, gjë që do të rezultonte në kursime të kostos, do të inkurajonte rritjen e bizneseve ekzistuese, si dhe ritmin e shtimit të bizneseve të reja. Tatimi progresiv, në raport me tatimin e thjeshtë, për sa i përket kostove, ka dëshmuar se mungesa e një klime më të mirë për biznesin e vogël, nuk e dekurajon informalitetin, por rezulton në një situatë ku të gjithë palët e interesuara humbin, për arsye se ashtu sikundër biznesi e rrit performancën, administrata tatimore mund të mbledhë të ardhura tatimore më të mëdha nga biznesi i vogël.

 

Pragu ndarës i TVSH

Dihet se janë vendimet politike ato që çojnë në vendosjen e pragut ndarës në trajtimin e biznesit të vogël dhe në kualifikimin e tij për qëllime të TVSH–së, shqetësim ky që mund të kompensohet nga konsiderata praktike në lidhje me biznesin e vogël: tatimpaguesit e vegjël diskriminohen nga kërkesat e zbatimit të legjislacionit tatimor, për arsye se kosto e zbatimit të legjislacionit tatimor dhe përqindja tatimore janë të njëjta si për bizneset e vogla ashtu dhe për ato të mëdha. Humbja e të ardhurave të TVSH–së, ashtu sikundër raportohet nga studimet e FMN–së, në pjesën më të madhe të vendeve, ka qenë jo domethënëse që nga ajo kohë që tatimpaguesit e vegjël kanë kontribuar minimalisht për sistemin e TVSH–së; thjeshtëzimi i taksës për biznesin e vogël dhe sistemit të TVSH–së, do të gjeneronin të ardhura shtesë për qeverinë, që nga ajo kohë që, historikisht, do të rritej zbatimi i legjislacionit tatimor.

Ekonomia në hije, vë në dukje profesor Friedrich Schneider i Universitetit të Linz–it në Austri, po rritet në mënyrë dramatike në të gjitha vendet e Europës (përfshi këtu faktin që kjo dukuri shihet edhe në vendet e OECD–së), prandaj për të kuptuar këtë prirje, është e domosdoshme të shihen ndërlikimet e saj shoqërore dhe politike; një dukuri e tillë simbolizon revoltën e njerëzve kundrejt ndërhyrjes së qeverisë në jetët e tyre, gjë që, në pjesën më të madhe, bazohet në barrën e madhe tatimore që është vendosur mbi shpatullat e tyre, e cila gjatë viteve është bërë kaq e rëndë sa që njerëzit gjithnjë e më shumë kanë ndjenjën reale të të qenët të rënduar dhe kufizuar. Kjo dukuri të çon në një rreth vicioz, për arsye se baza për një vlerësim të vërtetë të kontributeve tatimore të individëve fillon të erodohet gjithnjë e më shumë për aq sa njerëzit e fitojnë jetesën e tyre në ekonominë në hije.

Si rezultat, tatimet rriten për ata që mbeten në sistem, me qëllim që të balancojnë humbjen e të ardhurave, për arsye se këto shëtitje tatimore ndezin madje një tërheqje të mëtejshme drejt ekonomisë në hije dhe, në një skenar ekstrem, ky proces grumbullues mund të çojë në krizë akute qeveritare dhe financiare (gjë që u pa me rastin e Greqisë dhe Italisë, etj).

Rritja e madhësisë së ekonomisë në hije (dhe për pasojë rritja korresponduese e evazionit tatimor) mund të shihet si një kundërveprim gjithnjë e më shumë i qytetarëve për përshkallëzimin e shkapërderdhjes së shtetit në shpenzimin e të ardhurave tatimore dhe kjo prirje mund të paraqitet si një lloj “demokratizimi” i kundërshtimit të gjatë, për të mos paguar tatime; më saktë duhet që politikanët kurajozë të ecin përpara për këto sfida për të vendosur masa shumë të nevojshme për të luftuar influencën e rritur të ekonomisë në hije. Në dritën e këtyre vlerësimeve, duket se shtrëngimi i kontrolleve dhe sanksioneve për të kontrolluar veprimtaritë e paligjshme është një sukses vetëm i një natyre të kufizuar dhe një gjë e tillë është e vërtetë për arsye se një shtrëngim i tillë do të inkurajonte përpjekjet e tyre të mundimshme për të gjetur mënyra të reja për t’iu shmangur legjislacionit tatimor.

Përveç rënies së të ardhurave tatimore dhe kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, rritja e veprimtarive në ekonominë në hije, nxjerr në dritë, gjithashtu, probleme të tjera dhe një prej tyre është statistika ekonomike që keqparaqet gjendjen aktuale të ekonomisë dhe, që hap pas hapi, rezulton në mbivlerësimin e të dhënave në lidhje me rritjen ekonomike dhe punësimin; kësisoj politikat fiskale që nxisin shmangien dhe evazionin tatimor, të çojnë në rrugë të shtrembër, si rezultat i informacionit të gabuar dhe problemi që mbetet është nëse ndëshkimet më të ashpra dhe kufizimet më të forta mund ta zvogëlojnë me të vërtetë veprimtarinë në ekonominë në hije. Është e dukshme se ekzistenca e ekonomisë në hije përfaqëson një sfidë të rëndë ekonomike dhe politiko–shoqërore dhe suksesi do të arrihej vetëm atëherë kur investigimi i shkaqeve – rrënjë të ekonomisë në hije, vërteton se janë: barra e rritur tatimore si dhe rregullat dhe praktikat e gjëra të legjislacionit tatimor.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of