Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normën efektive maksimale të interesit për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore dhe intervalet e shumave të disbursuara në fund të çdo tremujori. Reagimi i shoqatës së mikrofinancës dhe sqarimet e Bankës së Shqipërisë
Ersuin Shehu
Tregu i kredive të shpejta konsumatore është rritur vrullshëm në pesë vitet e fundit, por normat e larta të interesit, që aplikojnë institucionet mikrofinanciare, kanë krijuar ndjeshmëri të lartë në opinionin publik. Edhe për të adresuar këtë ndjeshmëri, Banka e Shqipërisë propozoi në fund të shkurtit disa ndryshime në projekt-rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”.
Rregullorja e ndryshuar përcakton konceptin e ri të normës efektive maksimale të interesit (NEI maksimal). Treguesi do të llogaritet duke u mbështetur në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kredinë konsumatore dhe duke i shtuar kësaj mesatareje, një të tretën e saj.
Sipas projekt-rregullores së propozuar, Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normën efektive maksimale të interesit për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore dhe intervalet e shumave të disbursuara në fund të çdo tremujori. Këto norma do të publikohen në faqen e saj zyrtare të internetit dhe do të jenë në fuqi për tremujorin pasardhës. Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit,
Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara në tremujorin e mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara me anë të hipotekës, apo ndonjë sigurim tjetër mbi pasurinë e paluajtshme. Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme, për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare.
NEI maksimal do të ndahet gjithashtu sipas disa intervaleve të shumës së kredisë konsumatore, konkretisht për shumat deri në 200 mijë lekë, për ato nga 200.001 deri në 2 milionë lekë dhe 2.000.001 deri në 10 milionë lekë. Për secilin nga kombinimet e produkteve dhe intervaleve të mësipërme, Banka e Shqipërisë do të publikojë normat efektive maksimale të interesit me interval tremujor.
Kredia në institucionet e mikrofinancës përgjithësisht shfrytëzohet nga një segment më pak i formalizuar dhe më pak i edukuar financiarisht i publikut, faktor që edhe ky mund ta përligjë një nevojë për të vendosur kufi të sipërm për normat e interesit të kredisë konsumatore. Mekanizmi i përcaktimit të interesit tavan që ka propozuar Banka e Shqipërisë mbështetet në modelin e aplikuar nga Portugalia.
Mikrofinanca është kundër, por shpreson në një zgjidhje kompromisi
Shtysë kryesore për hartimin e një rregulloreje të tillë janë bërë normat e interesi të aplikuara nga disa institucione të mikrokredisë. Në raste të kredive në shuma të vogla dhe me afate të shkurtra maturimi, norma efektive e interesit për kredi mund të arrijë në më shumë se 250%.
Interesat e larta nga këto institucione shpjegohen kryesisht me procedurat shumë të shpejta të miratimit, me marrjen përsipër të një shkalle më të lartë rreziku dhe me kreditimin në shuma të vogla, që sjellin edhe kosto më të larta procesimi për njësi. Përfaqësuesit e institucioneve financiare të mikrofinancës shprehin një sërë rezervash ndaj projekt-rregullores së propozuar nga Banka e Shqipërisë.
Brunilda Isaj, sekretare e përgjithshme e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, thotë se vendosja e një norme interesi tavan nuk i shërben konkurrencës së lirë dhe praktikave të drejta të tregut.
“Masa do të kufizonte aksesin e publikut në produktet financiare. Janë qindra mijë klientë që iu shërbehet me kredi të vogla dhe ndoshta nuk do t’iu ofrohen më. Kufizimi i qasjes në financa është shqetësimi ynë kryesor, përpos faktit që disa institucione financiare mund të kenë pasoja të rënda” – shprehet znj.Isaj. Arlinda Muja, drejtore e përgjithshme e Kredo Finance, mendon se vendosja e një tavani të tillë mund të nxisë institucionet financiare të përdorin praktika jotransparente dhe kosto të fshehta.
“Një tavan do t’i shtyjë institucionet financiare të bëhen ‘krijues’ në kuptimin negativ të fjalës, duke u përpjekur të krijojnë kosto të kamufluara. Nuk duam që të ndodhë kjo, sepse ne këmbëngulim te transparenca me klientët. Nëse kufizohemi në normat e interesit, është e qartë se nuk mund të vazhdojmë të marrim përsipër të njëjtat rreziqe dhe kjo do të sjellë ulje të aksesit në kredi, për një pjesë të mirë të klientëve tanë” – thotë znj.Muja.
Akan Ajdini, drejtor i përgjithshëm i IuteCredit, thotë se kompania që ai drejton në parim është kundër ndërhyrjeve në tregun e lirë dhe konkurrencës mbi baza jo të barabarta.
“Interesi tavan që llogaritet çdo tre muaj është model regresiv dhe mund t’i nxjerrë jashtë tregut kompanitë e mikrofinancës. Nëse Banka e Shqipërisë nuk do ta dëgjojë zërin tonë dhe do të këmbëngulë të qëndrojë në linjën e propozimeve të veta, atëherë të paktën norma tavan e interesit të vendoset vetëm një herë. Në këtë mënyrë, ne mund të bëjmë planet tona, të përpiqemi të ulim kostot, që të përshtatemi me një situatë të re që do të sjellë rënie të të ardhurave” – shprehet ai.
Penalitetet do të kufizohen në 30% të detyrimit
Po në rregulloren e sipërpërmendur, Banka e Shqipërisë ka propozuar edhe vendosjen e një kufiri rregullator lidhur me shumën e penaliteteve dhe kamatëvonesave që institucionet e huadhënies mund t’u ngarkojnë kredimarrësve. Sipas ndryshimeve rregullatore të propozuara, penalitetet dhe kamatëvonesat nuk mund të jenë më shumë se 30% e detyrimit kontraktor të klientit, që nënkupton shumën e principalit dhe interesit mbi të. Ngarkesa me penalitete të pakufizuara, në disa raste, është bërë një barrë shkatërruese nga pikëpamja ekonomike për huamarrësit e vegjël.
Duke qenë se penalitetet e parashikuara në kontrata janë shumë të larta, proceset e gjata kohore të mbledhjes ligjore të detyrimeve bëjnë që shpesh këto detyrime të arrijnë shuma të papërballueshme, deri në disa herë detyrimin fillestar të klientit.
Bankat dhe institucionet e huadhënies shpesh i shesin kreditë e vogla konsumatore që i klasifikojnë si të humbura te shoqëri të specializuara për mbledhjen e borxheve, të cilat përdorin shpesh praktika moralisht dhe ligjërisht të dyshimta për mbledhjen e tyre. Penalitetet e larta mund të jenë një element që cenon të drejtat e huamarrësve dhe ushqen praktika jo morale biznesi. Nga ana tjetër, vështirëson pagesën e kredive të këqija, edhe në rastet kur klienti mund të jetë i gatshëm të paguajë.
Sidoqoftë, edhe për këtë propozim, institucionet e mikrofinancës kanë rezerva. Sipas tyre, shuma tavan e penalitetit duhet të mbështetet në analiza lidhur me ato që janë kostot e mbledhjes së kredive të këqija për këto institucione. Sidomos kur bëhet fjalë për shuma të vogla, një kufizim i penaliteteve në 30% do ta bënte të vështirë negocimin me kredimarrësin dhe mbledhjen e detyrimit.
“Nëse flasim për shuma të vogla kredie në segmentin 5 mijë – 200 mijë lekë të reja, një tavan i këtij lloji do të na kufizonte në aftësinë negociuese për të mbledhur borxhin që na detyrohet klienti. Të gjithë e dimë se penalitetet janë një formë trysnie që klienti të paguajë dhe, në fakt, kur klienti është i gatshëm të paguajë detyrimin, ne i falim pjesën më të madhe të penaliteteve. Për kreditë në shuma të vogla, deri në 200 mijë lekë, ne mendojmë se penaliteti duhet të jetë më i lartë, jo se duam të fitojmë nga penalitetet, por që të kemi një mjet për ta shtyrë klientin të paguajë” – thotë Akan Ajdini nga IuteCredit.
Pasqyrat financiare të kompanive më të mëdha të mikrofinancës, që kanë në portofolin e tyre produkte të kredisë konsumatore, tregojnë norma relativisht të larta fitimi.
Sipas bilanceve më të fundit të disponueshme, atyre të vitit 2019, kompania me marzhin më të lartë të fitimit para tatimit, në raport me të ardhurat totale, ishte IuteCredit, me 27.2%, e ndjekur nga NOA, me 24.4% dhe Fondi Besa me 17.2%.
Ndërkohë, kompania Kredo Finance deklaroi një rezultat me humbje para tatimit dhe me një marzh negativ në nivelin -13.8% të të ardhurave totale. Megjithatë, në vitin 2019, Kredo ishte ende në fazën e trevjeçarit të parë të aktivitetit dhe humbja ishte e parashikuar në planin e biznesit.
Për sa u takon kompanive të tjera, marzhet duket se janë relativisht të larta, por në rastin e NOA dhe të Fondit Besa, nuk lidhen vetëm me kredidhënien konsumatore. Këto dy institucione kanë në fokus kryesor kreditimin për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Deri në vitin 2019, kompanitë e vetme me biznes në volume të konsiderueshme, të mbështetur pothuajse ekskluzivisht te mikrokredia konsumatore ishin IuteCredit dhe Kredo Finance. Ndërsa rezultatet e Kredo reflektojnë ende fazën fillestare të investimit, ato të IuteCredit tregojnë për marzhe fitimi të larta dhe, në parim, duket se kompania ka hapësira për të absorbuar një ulje të të ardhurave nga vendosja e një tavani për interesat.
Megjithatë, ndikimi real do të varet shumë nga masa e uljes së tavanit dhe ndikimi i kësaj situate të re në biznesin e këtyre kompanive. Tavani i interesit efektiv mund të bëjë që kreditë me vlerë të vogël dhe ato me afate shumë të shkurtra maturimi të mos ofrohen më. Kjo mund të ndikojë edhe në shtrëngimin e politikave të administrimit të rrezikut, duke sjellë si rrjedhojë më pak kredidhënie, faktor i cili do të ndikonte ndjeshëm bazën e të ardhurave.
Praktikat e interesit tavan
Vendosja e një norme tavan interesi në huadhënie është praktikë e përhapur në shumë legjislacione, përfshi disa prej vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Arsyeja kryesore që motivon një praktikë të tillë është mbrojtja e interesit të konsumatorëve më të brishtë nga aplikimi i interesave abuzive prej huadhënësve, por në disa raste, ato mund të targetojnë direkt uljen e çmimit të huadhënies në ekonomi. Në shumicën e vendeve, një masë e tillë është ndërmarrë nëpërmjet miratimit të ligjeve të posaçme, ndërsa rregullimi me akte nënligjore, si në rastin e Shqipërisë, është rrugë e ndjekur më rrallë.
Në disa raste, normat tavan të interesit janë të vendosura për të gjitha format e huadhënies, ndërsa disa vende e aplikojnë për segmente të veçanta, kryesisht për kredinë konsumatore. Disa vende aplikojnë norma tavan fikse të interesit, ndërsa në disa të tjera, ato janë të ndryshueshme, në varësi të treguesve benchmark. Rreziku kryesor që mund të vijë nga aplikimi i këtyre normave është ulja e aksesit të publikut në huamarrje ose nxitja e tregut informal të kredisë.
Një studim i Bankës Botërore, i vitit 2018, analizonte efektin e vendosjes së normave tavan të interesit për kredinë në vende të botës. Sipas studimit, të paktën 76 vende të botës aplikojnë norma interesi tavan.
Studimi i Bankës Botërore arriti në përfundimin se vendosja e një interesi tavan ka sjellë ulje të ofertës për kredi në vendet e marra në analizë, sidomos për huamarrësit e vegjël dhe me rrezik më të lartë. Vendosja e tavanit ka sjellë rritje më të ngadaltë të huave dhe ulje të shkallës së miratimit të aplikimeve për kredi. Rritja e vlerës mesatare të huave tregon një zhvendosje të kredisë nga huamarrësit më të vegjël tek ata më të mëdhenj.
Në vendet ku tavani vendoset vetëm mbi interesin nominal dhe jo mbi atë efektiv, procesi sjell rritje të ndjeshme në komisionet dhe kostot e tjera të kredisë. Kjo dëshmon se huadhënësit menjëherë tentojnë të kompensojnë rënien e të ardhurave nga interesat, duke rritur kostot e tjera. Një rritje e komisioneve dhe tarifave është vërejtur madje edhe në vende ku kufizimet aplikohen edhe për kostot që nuk lidhen me interesin. Për sa i takon interesit nominal të kredisë, ai ka një tendencë të qëndrojë pranë nivelit tavan, sidomos në rastet kur tavani nuk mundëson diferencim të interesave bazuar në tipare specifike të huamarrësve.
Një efekt tjetër shqetësues që evidenton studimi i BB është ulja e transparencës. Sidomos përdorimi i tarifave, komisioneve apo kostove të tjera shtesë e bën më të vështirë për huamarrësin të vlerësojë saktë koston e plotë të huasë.
Norma tavan e interesit ndikon edhe në uljen e numrit të institucioneve të mikrofinancës, por edhe në dendësinë e rrjetit të tyre. Ky mund të jetë faktor me ndikim negativ në përfshirjen financiare të shoqërisë, sidomos në ato segmente të publikut, produkte apo zona gjeografike ku mungon një alternativë ndaj këtyre institucioneve. Vendosja e një tavani gjithashtu shton presionet mbi institucionet financiare, për të ulur kostot operative dhe për të rritur eficiencën.
Studimi tregon se tavanet e vendosura në nivele të larta sipër mesatares së tregut ndikojnë vetëm huadhënien tepër të shtrenjtë dhe nuk kanë shumë ndikim te tregu në tërësi. Limite të tilla mund të mbrojnë huamarrësit nga kostot e tepërta dhe nga mbingarkesa me borxh. Megjithatë, edhe kur tavanet janë të larta, sërish kjo mund të sjellë humbjen e aksesit në kredi për huamarrësit me rrezik të lartë.
Alternativat ndaj interesit tavan
Duke parë efektet e shumta anësore negative të vendosjes së interesit tavan, studimi i Bankës Botërore (BB) sugjeron që vendimmarrësit të marrin në konsideratë edhe mënyra alternative për të ulur kostot e kreditimit. Këto alternativa duhet të trajtojnë shkaqet që sjellin norma “të tepruara” interesi, siç mund të jetë mungesa e konkurrencës, perceptimi i lartë i rrezikut apo kostot e larta të huadhënies.
Studimet e Bankës Botërore tregojnë se rritja e konkurrencës ka ndikuar direkt në uljen e normave të interesit në tregje si Bosnja, Bolivia, Nikaragua apo Kamboxhia. Konkurrenca e kufizuar mund të mos lidhet detyrimisht me sjelljen e institucioneve me fuqi të madhe tregu, por edhe me dobësitë në kuadrin ligjor dhe institucional.
Nëse interesat e larta vijnë për shkak të rrezikut të lartë të perceptuar nga mungesa e aksesit në informacion rreth profilit financiar të huamarrësit, zgjidhja mund të jetë pikërisht adresimi i kësaj mungese të informacionit. Promovimi i byrove të kredisë mund të jetë mënyra e duhur për të lehtësuar aksesin e institucioneve financiare në të dhënat e huamarrësve potencialë, duke ulur primet e rrezikut dhe kostot e mbledhjes së informacionit në rrugë të tjera. Shoqata Shqiptare e Bankave, me asistencën e BERZH, nisi punën tre vjet më parë për të përgatitur një projekt të ngritjes së një byroje të tillë, por, deri tani, nuk ka rezultate konkrete.
Sipas Bankës Botërore, kostot e kreditimi mund të ulen gjithashtu duke thjeshtuar procedurat dhe duke nxitur përdorimin e kanaleve dixhitale në procesin e kreditimit. Në disa raste, kosto e fondeve mund të jetë një element me ndikim në interesat e huadhënies, sidomos në vende me tregje të pazhvilluara të borxhit dhe me akses të paktë në tregjet ndërkombëtare.
Studimi nënvizon se për të mbrojtur konsumatorët nga normat abuzive të interesit, autoritetet duhet të punojnë për të rritur edukimin financiar dhe të përmirësojnë mekanizmat e mbrojtjes konsumatore të lidhura me detyrimet e transparencës. Një edukim më i mirë financiar do t’i bënte konsumatorët më të mbrojtur ndaj praktikave abuzive, por edhe do t’i orientonte më mirë në tregun e kredisë.
Interesat e sektorit bankar janë në nivelet minimale historike
Interesat e kredisë konsumatore në lekë, vitin e kaluar, pësuan një rënie të lehtë. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kredia në lekë për mallra të qëndrueshëm u dha me një interes mesatar 7.58%, nga 7.62% një vit më parë. Ndërsa kredia në monedhën vendase për mallra jo të qëndrueshëm u dha me një interes mesatar prej 7.52%, nga 7.75% që kishte qenë mesatarja e vitit 2019. Për sa u takon overdrafteve në lekë, për vitin 2019, interesi mesatar ishte 11.5%, në nivele të njëjta me vitin 2019.
Në euro, normat mesatare të interesit janë edhe më të ulëta, përkatësisht 3.19% në kredinë për mallra jo të qëndrueshëm, 4.24% për mallra të qëndrueshëm dhe 9.13% për overdraftet. Interesat e kredisë konsumatore ngelen pranë niveleve minimale historike, si për shumicën e produkteve dhe instrumenteve të tregut financiar, të mbështetura nga politika monetare stimuluese dhe gjendja likuide e sektorit bankar.
Megjithatë, interesat e mësipërme u referohen vetëm kredive të dhëna nga sektori bankar. Institucionet financiare jobanka aplikojnë norma interesi shumë më të larta. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit janar, portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 59 miliardë lekëve, ose rreth 480 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, kredia konsumatore është rritur me 2.2%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.