Të ardhurat nga vaksina Pfizer arritën në 3.5 miliardë dollarë në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa shtetet u përpoqën të frenonin pandeminë.
Kompania farmaceutike amerikane rriti parashikimet e shitjeve për vaksinën e saj nga 15 miliardë dollarë në 26 miliardë dollarë amerikanë këtë vit, që përbëjnë më shumë se një të tretën e shitjeve të Pfizer.
Kërkesa për vaksinën Covid të Pfizer mund të forcojë të ardhurat e saj për vite me radhë, tha Kompania.
Grupi farmaceutik i Shteteve të Bashkuara, i cili i ndan fitimet nga vaksina me partnerin e tij gjerman të zhvillimit BioNTech, rriti parashikimin e përgjithshëm të të ardhurave për vitin 2021 nga 61.4 miliardë dollarë në 72.5 miliardë dollarë, kryesisht për shkak të kontratave të nënshkruara për shpërndarjen e 1.6 miliardë dozave në 2021.
Të ardhurat e tremujorit të parë prej 14.6 miliardë dollarësh u rritën me 45 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe përpara parashikimeve të analistëve prej 13.7 miliardë dollarësh. Vaksina me dy doza e Pfizer tani shitet në më shumë se 50 shtete.
Me një normë efikasiteti prej 95 për qind, kjo është edhe vaksina më e njohur e administruar në SH.B.A., duke llogaritur më shumë se 131 milionë doza të dhëna, sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Shefi Ekzekutiv, Albert Bourla, tha se ai priste “kërkesë të qëndrueshme” për vaksinën, e ngjashme me vaksinën kundër gripit, duke reflektuar pritshmëritë që koronavirusi do të vazhdojë njësoj si gripi i zakonshëm dhe do të trajtohet si sëmundje të tjera.
“Nuk mund të isha më krenar për mënyrën se si Pfizer e ka filluar 2021”, tha ai. “Ne vazhduam të përshpejtojmë prodhimin dhe dërgesat e vaksinës tonë Covid-19, në shumë raste duke tejkaluar detyrimet tona kontraktuale për afatet kohore të dorëzimit”, vazhdoi ai.
Komentet e tij erdhën pasi BE-ja javën e kaluar tha se do të padisë rivalin europian të Pfizer, AstraZeneca, për mungesat e furnizimit të vaksinave. Pfizer dhe BioNTech po shesin vaksinën e tyre Covid-19 për përfitime, ndryshe nga Johnson & Johnson dhe Oxford / AstraZeneca. Që nga 3 maji, një total prej 430 milionë dozash të vaksinës Pfizer u dërguan në 91 shtete.
Z.Bourla tha se Pfizer është në diskutime me Neë Delhi në lidhje me shpërndarjen e vaksinave të saj në Indi, ndërsa ky shtet po përballet me një valë katastrofike të koronavirusit.
Më shumë se 350,000 raste të reja u zbuluan në Indi të hënën, duke e çuar në 20 milionë numrin total të të prekurve në vend. Bourla tha se India kishte kërkuar studime shtesë për vaksinën, por “qartësisht ne nuk ishim të gatshëm të alokonim burime për diçka të tillë kur po shpërndanim të gjitha burimet tona”.
Pfizer pret që të ketë kapacitetin për të prodhuar 2.5 miliardë doza vaksinash në 2021 dhe të paktën 3 miliardë në 2022, dhe tha se të dhënat nga provat e një vaksine përforcuese që synojnë një variant të parë të zbuluar në Afrikën e Jugut priten në fillim të korrikut.
Kompania me bazë në Nju Jork përshkroi gjithashtu planet e saj të zhvillimit, duke përfshirë një provë të vaksinës së saj të pneumonisë me qëllimin përforcues ndaj vaksinës Covid, me rezultate që priten në tremujorin e tretë të 2021.
Prodhuesi i ilaçeve po punon gjithashtu mbi një formulë të re të vaksinës që mund të ruhet në një frigorifer deri në 10 javë, të dhënat për të cilat priten në gusht./Financial Times