Tranzicioni i brendshëm demografik, ku popullsia e rretheve po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt Tiranës, ka ndryshuar edhe profilin ekonomik të rajoneve të vendit.
Sipas përllogaritjeve të Eurostat mbi rajonet të publikuara këto ditë, të ardhurat për frymë në Rajonin e Qendrës (Elbasan e Tiranë) janë rritur me vetëm 1.6% gjatë periudhës 2007-2016, ndërsa në rajonet e tjera, Veriut dhe Jugut, të ardhurat për frymë në dhjetë vitet e fundit janë rritur me ritme më të shpejta se në rajonin e qendrës.
Sipas Eurostat gjatë periudhës 2007-2016, të ardhurat për frymë në rajonin e Veriut (Dibër, Durrës, Kukës, Lezhë, Shkodër) janë rritur me 4.4%, ndërsa rritjen më të lartë e ka pasur rajoni i Jugut (Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë) me 8.9%.
Gjatë kësaj periudhe, ekonomia e Veriut dhe Jugut është rritur me ritme më të ngadalta se ajo e qendrës, por shpopullimi i qarqeve sjell një rritje artificiale të të ardhurave për frymë.
Në tre dekadat e fundit, disa qarqe të vendit sidomos ato periferike kanë humbur më shumë se gjysmën e popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga viti 1989 deri në vitin 2018 Qarku i Gjirokastrës ka pësuar tkurrjen më të madhe të popullsisë me rreth 60%. Më tej qarku i Kukësit, me rreth 53%, ai i Dibrës dhe Beratit, përkatësisht me 46 dhe 43%. Në qarqet e tjera humbjet kanë qenë mesatarisht 20-30%. Vetëm Qarku i Tiranës, pothuajse është dyfishuar pasi popullsia është rritur me rreth 98% dhe në Qarkun e Durrësit, 32%.
Rritja e popullsisë me ritme më të shpejta se ekonomia e rajonit të qendrës i ka bërë që të ardhurat për frymë në këtë rajon të rriten në mënyrë të moderuar.
Pavarësisht ritmeve të rritjes së të ardhurave për frymë, përllogaritjet e INSTAT për të ardhurat për frymë sipas qarqeve deri në vitin 2016 tregojnë se Tirana ishte në krye të qarqeve për nivelin e lartë të të ardhurave për frymë, me 669 mijë lekë për person.
PBB për frymë në Tiranë ishte 36,4% mbi mesataren e vendit. Më pas u rendit Qarku i Fierit, me 530 mijë lekë. PBB për frymë e këtij qarku ishte 3,3% mbi mesataren e vendit.
Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 në vitin 2016, u vlerësua në Qarkun e Kukësit me rreth 314 mijë lekë. PBB për frymë e këtij qarku ishte 38,8% nën mesataren e vendit.
Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku i Elbasanit me rreth 360 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 3,8% ndaj vitit 2015. PBB për frymë e këtij qarku ishte 29,9 % nën mesataren e vendit” vlerëson INSTAT.
Për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, në vend të 102 nga 191 shtete, duke u përmirësuar me katër vende në raport me 2017-n, kur ishte në pozicionin e 106. Kosova, me të ardhura për frymë prej 4,324 dollarësh, renditet e 112-a.
Në rajon, të ardhurat më të larta i ka Mali i Zi, me 8,644 dollarë për frymë, duke u renditur i 79-i në botë, i ndjekur nga Serbia me 6,815 dollarë (vendi 88); Maqedonia, me 5,953 dollarë (95) dhe Bosnjë-Hercegovina me 5,704 dollarë (e 100).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.