Faktoringu, i përshtatur së fundmi nga sistemi ynë bankar si një formë operimi për t´u ardhur në ndihmë bizneseve në vështirësi likuidesh, nuk po gjen hapësirën e nevojshme për t´u zhvilluar në tregun financiar shqiptar. Shkaqet? As biznesi shqiptar nuk e ka vërejtur si një formë efektive për të plotësuar nevojat për likuide, ndërkohë që nuk po promovohet as nga vetë bankat, duke parë situatën e vështirë financiare që po kalojnë një seri biznesesh. “Së pari bankat konsiderojnë se nuk ekzistojnë ende kushtet e favorshme për këtë lloj operacioni, dhe së dyti, mjafton të vërejmë situatën financiare të bizneseve sot. Veçanërisht në këtë lloj shërbimi me shkallë të lartë rrezikshmërie, kur bëhet fjalë për blerjen nga ana e bankës të detyrimeve që një biznes ka ndaj një tjetri”, nënvizon Enkelejda Hashi, drejtore e Kredisë pranë Bankës Union. Nga ana tjetër shton Hasho “është një shërbim që ua ofrojmë klientëve të besuar në një farë mënyre përmes produkteve të tjera bankare, të cilat edhe pse nuk quhen faktoring, kryejnë përafërsisht të njëjtin funksion”.
Ndërkaq për njohësit e tregut është një shërbim i cili duhet të ofrohet në tregun financiar shqiptar pikërisht në këtë çast të vështirë ekonomik. “Duke parë mungesën e likuiditetit nga i cili po vuan prej 18 muajsh sektori privat por së fundi dhe ai publik më duhet të arrij në konkluzionin se është i domosdoshëm përdorimi i faktoringut si instrument financiar për të bërë të mundur balancimin e cash floë (fluksi i rrjedhjes së parasë) të kompanive si dhe për t´i dhënë atyre likuiditetin e nevojshëm për zhvillimin normal të aktivitetit”, vëren Besnik Leskaj, partner në firmën “A&B Business Consulting” dhe pedagog në Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë. Sipas ekspertit në sektorin e financës, sot kompanitë private kanë llogari të arkëtueshme në vlera të larta nga njëra anë dhe nga ana tjetër nuk kanë likuiditete për të zhvilluar një aktivitet normal dhe për të paguar furnitorët e tyre. Kështu është krijuar një rreth vicioz shumë i rrezikshëm për ekonominë shqiptare sidomos në sektorë të caktuar të saj, ku në mungesë të likuiditetit kompanitë operojnë në formën e shkëmbimit mall me mall.
Aktiviteti pothuajse zero
Sipas Bankës së Shqipërisë e cila është dhe autoriteti i mbikëqyrjes së aktivitetit të shoqërive të faktoringut, aktiviteti në këtë lloj shërbimi është pothuaj zero. Aktualisht janë 6 shoqëri të licencuara për aktivitetin faktoring; Tirana Bank, Credins, Alpha Bank, Intesa San Paolo, NBG dhe Banka Ndërkombëtare Tregtare. Për Besnik Leskaj problemi duhet kërkuar si te biznesi, i cili e njeh pak ose aspak këtë shërbim, ashtu edhe te bankat që nuk po vendosin ta promovojnë. “Si për shumë instrumente të tjerë financiare konsumatori ynë nuk është mjaftueshmërisht i informuar si dhe nuk ka ndonjë traditë në tregun shqiptar për sa i përket përdorimit të instrumenteve financiare. Mjafton të kujtojmë që deri në vitin 2002 sektori financiar ishte i tëri shtetëror dhe vinte nga një traditë jo në hapa me kohën. Kjo nuk do të thotë se nuk kishte specialistë të përgatitur por në tërësi institucionet shtetërore në Shqipëri dihet si kanë funksionuar”, thotë Leskaj.
Pra mund të themi se konsumatori e kërkon pak pasi nuk e njeh si instrument por kjo nuk do të thotë se nuk ka nevojë, përkundrazi në kushtet aktuale ky instrument është jetik sidomos për sektorë të caktuar. Nga ana tjetër, bankat akoma nuk kanë qenë të përgatitura për ofrimin e këtij instrumenti pasi ndryshimi i ligjit është bërë vetëm në vitin 2008, ndërkohë që kapacitetet njerëzore janë të limituara si pasojë edhe e zhvillimit të menjëhershëm të sektorit bankar. Kuptohet që në rastin tonë, vazhdon Leskaj, nocionet e ekonomisë së tregut sapo kanë hyrë ndaj dhe sipërmarrësve shqiptarë ndonëse janë shumë dinamikë, shpesh herë u mungojnë njohuritë bazë të menaxhimit dhe të programimit financiar. Në këto kushte, ndonëse ata kanë paguar lëndën e parë dhe punonjësit, ata kanë kryer dhe shitje pa arkëtuar faturat ndaj mund të jenë në vështirësi likuiditeti për vazhdimin e aktivitetit normal (blerjen e lëndës së parë për të prodhuar). Raste të tilla në tregun shqiptar gjen rëndom, sidomos tani me formalizimin e ekonomisë kur përditë e më tepër çdo pagese kalon nëpërmjet sistemit bankar dhe janë në masë të madhe eliminuar pagesat cash.
Nevoja e sofistikimit të tregut
Për Bledar Leskaj, përdorimi i faktoringut si instrument financiar do të ishte një ndihmë e madhe ndaj biznesit vendas si dhe do të rriste qarkullimin e likuiditetit, e do të pakësonte format e rrezikshme të transaksionit siç janë ato të shkëmbimit mall me mall. Sidomos për rastin e shkëmbimit mall me mall një sipërmarrës më mirë do të lëshonte një faturë të pagueshme mbas 90 apo 120 ditësh, me të cilën mund t´i drejtohej një shoqërie faktoringu, sesa të shkëmbente mall me mall duke rrezikuar të mos arkëtonte asgjë.
Normalisht kompanitë kane dy lloj ciklesh, shpjegon Leskaj, ciklin ekonomik dhe ciklin financiar. Një kompani me cikël ekonomik të mirë jo domosdoshmërish ka dhe një cikël financiar të mire apo pozitiv. Kjo për faktin se kompania mund të ketë realizuar shumë shitje dhe me çmime fitimprurëse por po nuk arkëtoi në kohë ajo mund të shkojë dhe drejt falimentimit pasi ka pagesa për të bërë ndaj furnitorëve të saj por në të njëjtën kohë nuk ka arkëtuar faturat. Kjo është dhe arsyeja pse planifikimi financiar dhe përgatitja e cash flow është jetike për një kompani.
Për Leskajn “Kompanitë e faktoringut janë rregullatori që bëjnë të mundur kthimin në likuiditet/cash menjëherë të këtyre aktiveve financiare (llogarive të arkëtueshme), ndaj shpesh herë ato sigurojnë një aktivitet normal për kompanitë e disponojnë këtë aset financiar pse jo dhe shpesh herë duke i shpëtuar nga falimentimi”.
Faktoringu
Faktoringu është një transaksion financiar përmes të cilit një kompani ia shet llogaritë e arkëtueshme (detyrimet që i kanë klientët) një të treti (I quajtur Faktor) kundrejt një pagese të menjëhershme me zbritje, pra jo me vlerën totale, e cila i shërben për vazhdimin normal të aktivitetit. Besnik Leskaj shpjegon se Factoringu ndryshon nga kreditë bankare në tre elemente: pikë së pari e rëndësishme është vlera e llogarive të arkëtueshme dhe jo kapaciteti kredimarrës i kompanisë; së dyti faktoringu nuk është kredi por është blerja e një aktivi financiar (llogaritë e arkëtueshme); së treti, kredia bankare përfshin dy palë ndërsa në rastin e factoring-ut përfshihen tre palë.
Tre palët e përfshira janë: kompania që shet llogaritë e arkëtueshme, klienti (borxhliu) dhe faktor-i. Llogaria e arkëtueshme është një aktiv financiar i lidhur me mundësinë dhe aftësinë e klientit (borxhliut) për të paguar/shlyer kompaninë për një shërbim apo për një mall të shitur. Shitësi shet një ose më shumë nga faturat e pa arkëtuara me një çmim me zbritje kompanisë së specializuar (faktor-it) në këtë mënyrë realizon të ardhura në cash.
Për Leskaj, arsyeja kryesore e një veprimi të tillë qëndron në nevojën për likuiditet që ka kompania. Teorikisht një kompani mund të jetë shumë e suksesshme në aktivitetin e saj pra të rezultojë me fitim të lartë por në momente të caktuara mund të gjendet përpara një mungese likuiditeti që mund ta çojë edhe drejt falimentimit. Pra cash flow i saj në periudha të caktuara mund të jetë negativ ndaj ka dhe nevojë që të arkëtojë llogaritë e arkëtueshme qoftë dhe duke hequr dorë nga një pjesë e këtyre të ardhurave në këmbim të cash-it. Nga ana e faktor-it, së pari verifikon nëse ekzistojnë premisat për të realizuar një transaksion të tillë, pra nëse klienti (borxhliu) ka një historik pagesash duke respektuar dhe afatet? Risku që merr përsipër faktori varet nga lloji i kontratës së faktoringut.
Në rast se klienti (borxhliu) njoftohet se detyrimin tashmë duhet t´ia shlyej faktorit atëherë ky i fundit merr përsipër dhe rrezikun e mospagimit nga klienti. Në një rast të tillë meqë rreziku është më i madh dhe faktoringu është me i shtrenjtë, pra zbritja nga llogaritë e arkëtueshme është më e madhe. Por ka dhe raste kur klienti nuk njoftohet dhe në rast mosshlyerje të detyrimit nga ana e tij faktori i drejtohet shitësit të faturave. Në këtë rast rreziku është më i ulët dhe zbritja do jetë më e ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.