Blerja e një shtëpie mund të realizohet edhe duke u bërë vetë një “agjent” imobiliar. Në këtë mënyrë do t’i kurseni vetes ca para më shumë
Maturi, një dozë e mirë durimi, por mbi të gjitha ndjeshmëri ndaj teknologjive të reja. Këto janë tri aftësitë me të cilat duhet të pajiseni për të blerë një shtëpi pa kaluar nga dera e agjentit të pasurive të patundshme. Kush mendon se mund t’ia dalë mbanë, do të duhet të merret me klientë potencialë, shitës, noterë, zyra bashkie, por edhe profesionistë të ndryshëm si inxhinierë teknikë, arkitektë etj., në mënyrë që të arrijë një vlerësim të duhur të shtëpisë. Shpesh, për të shmangur të gjitha këto “kokëçarje”, njerëzit u drejtohen agjencive imobiliare, të cilat marrin përsipër rastin, por me anë të një pagese e cila është e ndryshme si për rastin kur blihet ashtu edhe kur shitet. Është çmimi që duhet të paguhet për mundin
“e bëje mirë, bëje vetë”, që ndryshon në varësi të apartamentit, vilës etj. Dhe jo gjithmonë shërbimi është cilësor. Nuk mungojnë rastet kur agjentët fshehin defektet ose japin një informacion të cunguar mbi pronën, por natyrisht kjo nuk ndodh në rastin e agjencive profesionale.
Atëherë nëse dëshironi të mbani për vete tarifën e agjentit, atëherë duhet të përvishni mëngët dhe të ndizni kompjuterin sepse gjatë viteve të fundit, uebi është kthyer në një ndihmës të vërtetë. Megjithatë ka disa gjëra që duhet të merren në konsideratë.
Çfarë duhet të bëni përpara sesa të nisni shitblerjen?
Në radhë të parë duhet të gjeni një noter. Ai do t’ju ndihmojë që të verifikoni pronën, në mënyrë që të mos ju dalë ndonjë gjë e paparashikuar, por edhe për aktin e shitblerjes.
Kontrolloni gjendjen e pasurisë, të gjitha dokumentet dhe më pas bëni verifikime kadastrale dhe hipotekore online. Tashmë këtë e bën edhe noteri. Mund të shkoni edhe në bashki për të bërë verifikimet e mundshme, në Zyrën e Urbanistikës.
Kë duhet të pyesni dhe për çfarë?
Pronarin: Gjendjen e pronës, nëse ka probleme me rrjetet dhe me izolimin. Nëse ka detyrime të papaguara për shërbimet utilitare dhe për shërbimet e përbashkëta të pallatit, nëse është një apartament.
Hipotekën: Të verifikohet se cili është pronari i shtëpisë që do të blihet. Çfarë gjendje juridike ka ajo. Të nxirren të dhëna për 10 vitet e fundit, në mënyrë që të shihet nëse janë bërë transaksione.
Bashkinë: Të bëhen verifikime për gjendjen e pagesës së taksave dhe detyrimeve të tjera mbi pronën.
Si të gjeni shtëpi jashtë vendit online?
Në të tilla raste, interneti është një ndihmës shumë i mirë. Me pak durim do të arrini të gjeni web-e që mund t’ju ndihmojnë edhe nëse kërkoni të blini një shtëpi jashtë. Ja disa propozime që mund t’i merrni në konsideratë.
Në vendet anglosaksone ligji nuk e lejon shitblerjen mes privatëve. Në Gjermani, blerësi paguan mesatarisht një komision të barabartë me 7% dhe nuk mungojnë faqet e internetit ku mund të hyhet në negociata mes privatëve. Më i klikuari është zweitehan.de.
Një tjetër mënyrë për të gjetur një shtëpi, duke anashkaluar agjencitë është edhe ankandi. Nuk është e lehtë të bëhesh pjesë e tyre, por gjithsesi janë një mënyrë për t’u marrë në konsideratë. Nëse nuk keni në dispozicion para “cash”, atëherë do të duhet t’iu drejtoheni bankave për një kredi të shpejtë.
Të blesh mirë, nuk do të thotë të blesh shtëpinë me të cilën “dashurohesh”
Ekspertët e kësaj fushe japin shumë këshilla për rrugët që mund të ndjekë dikush në blerjen e një shtëpie. Ndër to është edhe një teori e cila në dukje mund të duket e çuditshme, por që mund të jetë vërtet e frytshme. Ka të bëjë me faktin se ka njerëz që “bien në dashuri me shikim të parë” me një shtëpi dhe ky bëhet lajtmotivi kryesor për zgjedhjen e saj. Ekspertët thonë se elementi pëlqim nuk duhet të kthehet në parametrin referues për blerjen e një shtëpie. Në përgjithësi, individi ose një familje në 99% të rasteve zgjedh një banesë sipas shijeve personale dhe nevojave, duke anashkaluar një faktor kyç që është dhe që përsëritet shpesh edhe nga ekspertët, siguria e pasurisë së patundshme.
Ata thonë se kjo është një rrugë e gabuar që ndiqet, pasi nëse ndiqet ekskluzivisht ky parim, gabimet që mund të bëhen janë të mëdha dhe që në të ardhmen mund të përkthehen në humbje në mijëra euro. Në çdo rast, thonë ekspertët, është e udhës që të blihet një shtëpi ku mund të jetohet në stabilitetit dhe që investimi të jetë i sigurt.
Nëse në të ardhmen, për çdolloj motivi (transferim pune, probleme financiare, zgjerim familjeje, nevoja të tjera) bëhet e domosdoshme shitja e pasurisë së patundshme, ideale do të ishte një banesë që kërkohet nga tregu, pra që mund të shitet lehtë dhe me çmimin e duhur. Këshilla është që në rastin kur dëshironi të blini një shtëpi, atëherë informohuni se cilat zona apo tipologji imobiliare janë më të kërkuara në vitet e fundit në qytetin tuaj. Flisni me persona që e njohin këtë treg, lexoni gazetat ose revistat që merren me këto çështje, ose kërkoni informacione të detajuara mbi kushtet e tregut. Natyrisht që arritja më e madhe do të ishte po të përmbusheshin të dyja kushtet, atë të kënaqësisë personale për blerjen e shtëpisë dhe tipologjia e duhur sipas kërkesës së tregut.
Pasi ta keni blerë, si t’i ndryshoni dizajnin
Pasi ta keni blerë shtëpinë që dëshironit, mos harroni t’i jepni asaj prekjen tuaj. Konsultohuni me portalet më të mira të internetit për të mësuar se cilat janë tendencat e duhura, se cili do të ishte stili që do t’ju përshtatet. Po ju sugjerojmë disa. Në faqen “Yoox”, për shembull, mund të gjeni përveç modës më glamour dhe tendencave të fundit, edhe objekte të stiluara nga markat më në zë. Shumë interesant është edhe portali “Madeindesign”, që propozon stile arredimi për çdo ambient të shtëpisë. Mund të vizitoni edhe “DcStore” që ofron zgjidhje vërtet shumë origjinale dhe që mund t’i përdorni për të arreduar çdo stil dhome. Janë të pafundme edhe idetë e dizajnit që ofrohen. Edhe tek “Dalani” mund të gjeni shumë propozime arredimesh ideale për shtëpinë tuaj të re. Por, nëse po kërkoni pajisje me kosto të ulët për shtëpinë tuaj, mësoni se vetëm pak kohë më parë, “Ikea” ka hapur një dyqan online me çmime vërtet interesante, veçanërisht nëse porositen objekte të vogla dhe që nuk zënë shumë hapësirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.