Kjo lloj kontrate miqësore paraprake, siç quhet prej të dy palëve, po vërehet më së shumti në sektorin e prodhimit të konservave të perimeve.
Krahasuar me vetëm një vit më parë, sipërfaqet e mbjella për industrinë janë rritur disa herë. Sipas të dhënave të agropërpunuesve, gjatë vitit janë mbjellë rreth 25 hektarë me domate që do të nevojiten për prodhimin e salcës. Krahasuar me vitin e kaluar, sipërfaqja e nënkontraktuar nga dy prodhuesit kryesorë në vend është rritur mbi 8 herë. Për të prodhuar trangullin për këtë industri, rezulton të jenë mbjellë këtë vit rreth 30 ha, ose 6 herë më shumë se një vit më parë. Për këtë sipërfaqe kanë shfaqur interes dy fabrika të konservimit të perimeve.
Po për këto fabrika, fermerët rezulton të kenë angazhuar rreth 40 hektarë për të prodhuar specin e kuq, ose 8 herë më shumë se vitin që shkoi.
TABELA NR.1 |
|
|
|
Krahasimi i sipërfaqeve të kontraktuara paraprakisht nga agropërpunuesit në dy vitet e fundit |
|||
(në ha) |
Spec i kuq |
Domate |
Trangull |
viti ’08 |
5 |
3 |
5 |
viti ’09 |
40 |
25 |
30 |
Burimi:Industritë e përpunimit |
|
Gjatë këtij viti, ekspertët e ministrisë së Bujqësisë vlerësojnë se ka patur një rritje të interesit të industrisë agropërpunuese (kryesisht të prodhimit të konservave) për të siguruar më shumë lëndë të parë në vend. Megjithatë, interesi nga ana e përpunuesve nuk duket të ketë munguar as gjatë viteve të kaluara.
Enver Ferizaj, President i Këshillit të Agrobiznesit dhe prodhues i konservave të perimeve “Fervi” sh.p.k. tregon se praktikën e blerjeve paraprake të perimeve e zbaton prej më shumë se 7 vitesh me fermerët. Duke i furnizuar një pjesë të inputeve, Ferizaj tregon se kërkon nga fermerët sasinë e duhur dhe përmasat standarde të perimeve për t´i konservuar. Por ai shton se kjo formë e furnizimit të lëndës së parë ka ardhur duke u zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit dhe duke u bërë më e qëndrueshme.
Nga përvoja e tij në këto vite ai tregon se ndërgjegjësimi i fermerëve në këtë drejtim është rritur ndjeshëm. Edhe pse në grupe të vogla një pjesë e fermerëve, kryesisht në tokat më prodhuese të Shqipërisë së mesme kanë arritur të grupohen, duke rritur mundësinë për të siguruar sasinë e kërkuar nga agroindustria.
Ky vit paraqitet më i mirë edhe për përpunuesit e Sejegës. Sipas Genci Mitës, sipërmarrës i kësaj industrie, ky vit është shumë më mirë se vitet e tjera përsa i përket sigurimit të lëndës së parë. Ai tregon se po punon kryesisht me prodhim vendas (80-90% të perimeve të përpunuara) dhe krahasuar me katër vite më parë, prodhimi i kompanisë është rritur disa herë. Rreth 75% e sipërfaqes së mbjellë me spec të kuq (shumë të kërkuar në tregjet e huaja të konservave) rezulton të jetë parablerë nga kjo kompani.
Drejtuesit e industrisë së konservimit të perimeve tregojnë se krahasuar me 5 vite më parë sigurimi i lëndës së parë në vend ka arritur në masën 90% të prodhimit, ose 20% më shumë. Ndërkohë, shtimi i kontratave paraprake sipas tyre, mundëson rritjen më tej të prodhimit edhe për eksport. Vetëm këtë viti Sejega parashikon të eksportojë rreth 500 mijë kavanoza me tranguj në Maqedoni.
Kontratat paraprake të blerjes duken ende të largëta për sektorët e tjerë të industrisë ushqimore. Ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se pengesa është mungesa e sasisë së mjaftueshme të lëndës së parë në vend por edhe mungesa e standardeve të prodhimit (kryesisht ato blegtorale), pengesë për eksportin e përpunimin e tyre.
Nevojiten detyrime të kontratave paraprake
Kontratat e blerjeve paraprake janë një lloj kontrate mirëbesimi mes sipërmarrësve të industrisë përpunuese, tregtarëve dhe fermerëve dhe si të tilla ato nuk shoqërohen nga ndonjë detyrim, sipas kryetarit të KASH z.Enver Ferizaj.
Sipas sipërmarrësve të industrisë së konservimit në vend, që ky lloj tregu të funksionojë siç duhet, është e nevojshme që kontratat të kenë më shumë fuqi ligjore dhe të shoqërohen edhe me penalitete në rast se marrëveshja shkelet nga prodhuesi, përpunuesi apo tregtari. Agropërpunuesit përmendin raste konkrete të mosrespektimit të marrëveshjeve nga ana e fermerëve, veçanërisht kur çmimi i prodhimit në treg është më i lartë se ai i paravendosur me përpunuesit. Në fakt nga të dhënat e tregtarëve ndërmjetës, por edhe vetë fermerëve, çmimet e ofruara nga agropërpunuesit shpesh janë më të larta se çmimi i prodhimit në tregun e pakicës në pikun e prodhimit. Sipërmarrësi i serës (model izraelit) në Fushë-Krujë tregon se çmimi i trangullit për të cilin ka rënë dakord me agropërpunuesin është 40 lekë/kg, ndërkohë që në një pjesë të mirë të tregut të pakicës ai gjendet edhe me 30 lekë. Megjithatë, krahasuar me mundësinë e prodhimit të hershëm, norma e fitimit nga prodhimi për industrinë është shumë më e ulët.
Nga ana tjetër, mungesa e një detyrimi ligjor, mund të bëjë që blerja paraprake të mos respektohet as nga agropërpunuesit, të cilët mund të gjejnë të njëjtin prodhim me një çmim më të ulët, duke bërë fermeri të humbasë gjithçka nga angazhimi i tij për të prodhuar për industri.
Kështu, sipas ekspertëve të bujqësisë, në kushtet e mungesës së një mbështetjeje ligjore të blerjeve paraprake, ajo që mund të ishte një garanci për shitjet e fermerit dhe garanci për sigurimin e lëndës së parë për industrinë mund të kthehet në një dështim për të dy palët.
Serat familjare, prodhuesit më të përshtatshëm për industrinë
Problemi i furnizimit të industrisë me prodhim vendas duket i gjerë. Edhe në rastin kur fermerët janë të angazhuar të përmbushin kontratat, kostoja e lartë e prodhimit dhe problemi i strukturës së prodhimit bëhet pengesë.
Mehmet Loci, sipërmarrës i serës me teknologji izraelite në Fushë Krujë tregon se duhej të prodhonte rreth 700 kuintal trangull për industrinë e konservimit, por nuk mendon se do të arrijë ta realizojë këtë sasi. Deri tani ai ka prodhuar vetëm 400 kuintal. Ai tregon se në serën e tij rendimenti i prodhimit të perimeve arrin deri në 800 kuintal/ha dhe prodhimi për industrinë nuk duket me interes. 16 të punësuar, sipas Locit, bëjnë që kostoja e prodhimit të jetë shumë e lartë për prodhimin e perimeve për industri.
Më të përshtatshme për të furnizuar industrinë duket të jenë serat familjare, të punësuarit janë vetëm pjestarët e familjes, ndërsa sasia e prodhimit në një sezon mund të përmbushë një porosi të industrisë.
2008: Dyfishohet prodhimi i perimeve të konservuara
Sasia e konservave të perimeve të prodhuara në vend është dyfishuar, sipas të dhënave të ministrisë së Bujqësisë. Vitin që shkoi u prodhuan rreth 1.8 mijë ton konserva perimesh, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Statistikave pranë MBUMK-së, me një vlerë prej 153 milion lekësh. Rritje më gati dy herë më shumë vlerësohet të ketë patur edhe prodhimi i salcës së domates
Bursa e fjalës
Blerjet e prodhimeve bujqësore në të ardhmen janë shumë të përdorura në tregun ndërkombëtar. çmimet e kësaj forme blerje janë të kuotuara në bursat ndërkombëtare. Në tregun botëror blejret ‘in future´ janë kontrata të mirëfillta blerjesh. Madje, për shkak të reailizimit të blerjes në një kohë shumë më të hershme se realizimi i prodhimit, kushtet si për prodhuesit edhe agropërpunuesit janë më të shumta. Dëmshpërblimi është i parashikuar në për të dyja palët në rast të mospërmbushjes së kontratës. Në vendin tonë, nuk kjo formë blerje nuk sjell asnjë detyrim ligjor për fermerët apo agropërpunuesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.