Flet Rasim Gjoka, drejtori ekzekutiv i fondacionit “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve”
Për zgjidhjen e konflikteve tregtare, biznesi duket se gjithnjë e më shumë po preferon që të gjejë të “mesmen” e artë, duke minimizuar përballjen me togat e zeza. Ndërmjetësimi si një tendencë në rritje në vendet perëndimore, por nxitet edhe nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që të zhvillohet edhe në Shqipëri. Një proces i tillë siguron më pak kohë dhe para të humbura. Ekspertët thonë se edhe konfliktet që lindin brenda ndërmarrjeve mund të trajtohen me këtë “formulë”
Nga një konflikt, jo domosdoshmërisht palët mund të dalin humbëse ose fitimtare. Ekziston edhe mundësia që gjithçka të përkthehet në avantazh dhe kjo falë procesit të ndërmjetësimit. Një koncept i ri në trajtimin e tij modern për shoqërinë shqiptare, por që duket se po gjen gjithnjë e më shumë terren për t’u zhvilluar. Edhe pse jemi ende disi mbrapa nga vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi apo edhe Serbia, pritshmëritë janë për rritjen e kërkesës për këtë shërbim. Edhe pas ngritjes së Gjykatës Administrative, ekspertët shprehen se roli i ndërmjetësimit në trajtimin e konflikteve nuk ka pse të zbehet, për më tepër që askush nuk kërkon të dalë i humbur nga një “betejë”. Po çfarë është ndërmjetësimi, si i qasen shqiptarët këtij shërbimi dhe çfarë rastesh trajtohen më shumë me përfshirjen e një “arbitri”. Drejtori ekzekutiv i fondacionit “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve” (një institucion që mbështetet financiarisht nga organizmat ndërkombëtarë, si BE-ja, UNICEF-i, e deri në shtator të këtij viti edhe nga USAID-i), Rasim Gjoka, thotë se ndërmjetësimi në konceptin modern është trajtimi i konflikteve ose mosmarrëveshjeve me natyra të ndryshme, si familjare, kontraktuale e penale, duke gjetur zgjidhje përmes komunikimit të palëve në konflikt me praninë e një ndërmjetësi që është i licencuar, i akredituar, dhe që ka aftësinë për të gjetur zgjidhje, pra me pak fjalë, është një formë alternative jashtë rrugëve gjyqësore. Është një formë që ofron disa avantazhe në krahasim me trajtimin gjyqësor apo me arbitrazh, sepse kursen shumë kohë. Nëse një çështje në arbitrazh trajtohet për shumë muaj apo edhe vite, por nëse palët shkojnë në ndërmjetësim, atëherë çështja zgjidhet brenda disa seancave, që do të duan jo më shumë se një muaj kohë. Një tjetër epërsi ka të bëjë edhe me kursimin e parave, sepse në rastet e konflikteve pronësore apo kontraktuale, nuk kërkohet që të ndërpritet biznesi (siç ndodh nëse rasti shkon në gjykatë), asetet të ngrijnë e si rrjedhim biznesi përballet me humbje të konsiderueshme.
Flet Rasim Gjoka, drejtori ekzekutiv i fondacionit “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve”
Cila është tendenca e zgjidhjes së konflikteve me ndërmjetësim në Shqipëri, a ka një kërkesë në rritje dhe sa njihet ky shërbim?
Nga ecuria e rasteve që ne trajtojmë në fondacion, nga viti 2009 janë përfshirë në program zgjidhjet e mosmarrëveshjeve tregtare dhe familjare të lidhura ngushtësisht me gjyqësorin dhe është krijuar një model që ka rezultuar funksional. Pra, gjyqtarët, pasi vlerësojnë rastet, i referojnë në zyrën e ndërmjetësimit. Ky është një model i krijuar në dy gjykata, në atë të Durrësit dhe të Korçës, ku u nis me mbështetjen e IFC-së dhe u vazhdua nga programi “Just” i USAID-it deri në shtator të vitit 2013. Nëse u referohemi të dhënave mund të themi se ka pasur rritje rastesh të referuara nga gjyqtarët që llogariteshin nga 8-15 raste në muaj në secilën gjykatë, e në tërësi rreth 75% e tyre janë zgjidhur. Në bashkëpunim me donatorët u përgatit një mekanizëm për të kaluar rastet nga gjykata në ndërmjetësim dhe pastaj sërish në gjykatë, nëse marrëveshja nuk arrihet. Çdo marrëveshje e firmosur në prani të ndërmjetësit është një titull ekzekutiv, për këtë arsye ato kanë çliruar shumë energji pozitive në kuptimin e vazhdimësisë së biznesit, të futjes së fondeve sërish në aktivitet. Ndërmjetësimi ka edhe një aspekt tjetër që është mirëkuptimi i palëve, nuk ka një palë që humbet dhe një që fiton, ndaj aspekti human është një tjetër vlerë e shtuar për këtë shërbim.
Si mund të arrihen shërbimet që ofron ndërmjetësi?
Instrumentet janë të parashikuara edhe në ligj. Në të përcaktohet roli i gjyqtarit apo edhe i prokurorit për ta referuar rastin te ndërmjetësi apo tek institucioni që është i akredituar. Ne e kemi realizuar këtë me marrëveshjet që kemi pasur me sistemin gjyqësor, kryesisht në tetë rrethe, aty ku më shumë ka zyra të shërbimit të provës. Në momentin që rasti referohet, procedimi ka një afat që diku përcaktohet nga gjyqtari e diku nga procedura, palëve iu jepet koha e mjaftueshme dhe ndërmjetësi propozon zgjidhje. Pas disa seancash mund të kemi një marrëveshje ose në të kundërt, çështja i rikthehet gjykatës për të vazhduar procesin. Pra, ka një bashkëveprim të ndërsjellët mes palëve. Ka edhe çështje që nuk vijnë nga gjykata, policia apo edhe shërbimi i provës, por nga vetë komuniteti. Edhe në këtë rast, është e ligjshme që ndërmjetësi ta pranojë rastin të bëjë regjistrimin dhe të negociojë. Si në zyrën e Durrësit, edhe të Korçës, rastet nuk kanë munguar, madje 15-20% e tyre kanë ardhur nga jashtë gjyqësorit. Rastet tregtare kanë qenë më shumë të fushës së biznesit, të ndarjes së partnerëve, të sektorit të ndërtimit, ndërsa ato familjare kanë të bëjmë kryesisht me rrjedhojat e divorcit, si me kuotën e ushqimit të fëmijëve apo edhe të ndarjes së pasurisë.
Megjithatë, në çdo rast, palët janë të lira të zgjedhin për formën e zgjidhjes së konfliktit, por ndërmjetësimi ofron më pak kohë dhe kosto.
A mendoni se me krijimin e Gjykatës Administrative, biznesi do të priret që t’i zgjidhë çështjet aty dhe ta lërë në “hije” ndërmjetësimin?
Gjykatat administrative do të përshpejtojnë zgjidhjen e rasteve që kanë të bëjnë me biznesin, por edhe nga përvoja e vendeve të tjera, ato nuk e zbehin rolin e ndërmjetësit, pra sërish palët do të ftohen nga gjyqtarët për ta paraqitur si mundësi. Çështja shtrohet sesa të gatshëm janë gjyqtarët për të referuar rastet, por tek e fundit, do të jenë palët që do të vendosin nëse do të zgjedhin ose jo ndërmjetësimin. Por, edhe në rastin e gjykatave administrative, njëra palë do të dalë e humbur, ndërsa në ndërmjetësim, palët kanë në dorë t’i gjejnë vetë zgjidhjet.
Sa e lehtë apo e vështirë është të konfirmohesh si ndërmjetës?
Ka një kërkesë në rritje për të marrë licencën si ndërmjetës, por me aq sa jam në dijeni, Komisioni i Licencimit pranë Ministrisë së Drejtësisë prej disa muajsh nuk po funksionon, pasi duhet të rizgjidhen kandidatë pas largimit të disave. Ndërsa niveli i dytë ka të bëjë me faktin se për të ushtruar profesionin duhet të bëhet regjistrimi pranë organeve tatimore. Numri i këtyre ndërmjetësve është i ulët dhe mund të jetë në rreth 80 nga rreth 200 ndërmjetës që ka Shqipëria. Për funksionimin e duhur të këtij profesioni duhet që të bëhen edhe disa ndryshime në legjislativ, ku të përcaktohet në mënyrë taksative se përpara sesa një çështje të shkojë në gjykatë, duhet të ndërmjetësohet. Në ligjin aktual nuk është, në të thuhet se gjyqtarët apo institucionet e tjera kanë si detyrim t’i ftojnë palët. Ka vende që e kanë të detyrueshme kalimin te ndërmjetësimi përpara sesa të shkohet në gjykatë, si për shembull Mali i Zi, Italia etj. Megjithatë në tregun shqiptar ka një ngërç, pasi palët nuk janë shumë të bindura për rezultatin e ndërmjetësimit. Duhet t’u shpjegohet se, nëse arrihet një marrëveshje në ndërmjetësim, ai është titull ekzekutiv, pra është i barasvlefshëm me një vend të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Çfarë pritshmërie ka shërbimi i ndërmjetësimit në Shqipëri?
Nga pikëpamja e situatës së tregut në Shqipëri mendoj se ndërmjetësimi ka të ardhme, sepse palët janë të interesuara të marrin një zgjidhje të shpejtë, me sa më pak kosto dhe mirëkuptuese. Modeli i ngritur në struktura, si ai i shërbimit të provës, tregon pozitivitet. Nga një anketim që ne kemi bërë, rreth 90% e personave të anketuar kanë preferuar që përpara sesa të shkojnë në gjykatë të gjejnë zgjidhje te ndërmjetësimi. Por, nga ana e institucioneve ka rezistencë, madje nuk mungojnë edhe rastet kur ndërmjetësimi nuk njihet. Nga ana tjetër, edhe Dhoma e Ndërmjetësve duhet të punojë shumë për të promovuar këtë mundësi zgjidhje, që është ligjore edhe në Shqipëri. Ka edhe një arsyetim që ka të bëjë me faktin se prokurorët apo gjyqtarët priren më shumë që t’i zgjidhin konfliktet nga pikëpamja gjyqësore. Është e nevojshme që edhe aktorë të tjerë që kanë mundësi të referojnë raste, ta bëjnë këtë.
Po rastet e konflikteve mes shtetit dhe privatit, a mund të zgjidhen me ndërmjetësim?
Ligji shqiptar nuk e shpreh këtë, por as e ndalon dhe aty ku nuk ndalohet, mund të lejohet. Nga pikëpamja praktike institucionet shtetërore nuk janë të predispozuara që konfliktet që kanë t’i çojnë në ndërmjetësim. Megjithatë, ka pasur disa raste pozitive kur është kërkuar që të bëhet ndërmjetësimi, kur palë kanë qenë institucione ndërkombëtare, pra donatorë të ndryshëm. Me ndërmjetësim mund të trajtohen çështjet në sektorin privat të biznesit.
Numri
Në Shqipëri ka rreth 200 ndërmjetësues që janë të licencuar nga Ministria e Drejtësisë
Handikapi
Megjithatë, në tregun shqiptar, ka një ngërç pasi palët nuk janë shumë të bindura për rezultatin e ndërmjetësimit. Duhet t’u shpjegohet se nëse arrihet një marrëveshje në ndërmjetësim, ai është titull ekzekutiv, pra është i barasvlefshëm me një vend të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Shifra
49 raste tregtare me ndërmjetësim të lidhura me gjykatën janë trajtuar në Durrës dhe Korçë
275 kanë qenë familjare
75% të zgjidhura me sukses
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.