Të dëbuar dhe të braktisur; borxhi i shpronësimeve kap vlerën 50.2 milionë euro

19/06/2019 10:48 AM 0 komente
Foto: LSA

Prej më shumë se një dekade, qeveria shqiptare ka akumuluar një borxh prej  6 miliardë lekësh ndaj qindra familjeve – prona ose toka e të cilave është shpronësuar për t’u hapur rrugë projekteve për punë publike.

Kur Halil dhe Zyhra Gjapi u martuan në vitin 1981, Komiteti Ekzekutiv i Tiranës i strehoi në një ambient 30 metra katrorë në një ish-kazermë ushtarake në zonën e Selitës. Çifti u lejua të ndërtonte një shtesë, vetëm pasi u bë me fëmijë në vitin 1983.

“Shtesa që bëmë ishte ngjitur me kazermën ku jetonim. Kemi qenë pa banjo, ngroheshim me vaj guri,” thotë Zyhraja, ndërsa kujton sakrificat ekstreme për ndërtimin e shtëpisë. “Me zor prisnim ditën që të jepnim gjak nga 300 gram secili,” shton gruaja 62 vjeçare.

Pas gjithë sakrificave ndër vite, Zyhraja dhe Halili e panë veten të pastrehë në vitin 2014, kur Inspektoriati Kombëtar i Territorit u shembi shtëpinë për t’i hapur rrugën ndërtimit të një segmenti të Unazës së Madhe të Tiranës.

Disa ditë pas shembjes, ata u kompensuan nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me 2 milionë lekë – për një pjesë të ndërtesës së shembur të barabartë me 30 metra katrorë. Për pjesën tjetër të dëmshpërblimit për truallin, kanë vite që enden dyerve të administratës.

“Mbeta gjithë kohën nëpër zyrat e institucioneve, por nuk më japin paratë e shpronësimit. Nuk e di pse nuk i japin, sepse lista ka shkuar kudo dhe nuk e di ku ka mbetur, nuk na japin asnjë lloj sqarimi,” tha Zyhra Gjapi, e cila shpjegon se kur interesohet tek Autoriteti i Rrugëve, i thonë shko te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë  , ndërkohë tek Infrastruktura i thonë të shkojë te Ministria e Financave.

Historia e çiftit Gjapi nuk është një rast i izoluar. Dy të moshuarit janë pjesë në një liste të gjatë prej qindra familjesh, që edhe përse janë shpronësuar për të ndërtuar vepra publike nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ende nuk kanë marrë paratë e shtëpisë ose tokës së tyre.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se shteti shqiptar është debitor ndaj qytetarëve për shpronësimet e kryera për dhjetëra projekte rrugësh – që në disa raste datojnë përpara 15 vitesh, të cilat të mbledhura bashkë kapin një faturë financiare prej 6.08 miliardë lekësh [50.2 milion euro].

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë gjithashtu se shkak për zvarritjet është zgjatja e procedurave të shpronësimit – me kërkesa shpesh të paarsyeshme ndaj pronarëve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, MIE.

I pyetur nga BIRN, Autoriteti Rrugor Shqiptar u shpreh përmes një përgjigjeje me shkrim se vonesat për pagesat e shpronësimeve janë të trashëguara ndër vite dhe kanë ardhur si pasojë e problemeve të pronësisë, ndërkohë që shtoi se në dy vitet e ardhshme, ARRSH kishte kërkuar akordimin nga qeveria të një fondi më të lartë për zërin e shpronësimeve.

“Pjesa e kompensimit të papaguar ka ardhur si rezultat i problematikave që kanë pasur me dokumentacionin e pronësisë. Vonesat e pagesave për mungesë fondesh i referohen një pjese shumë të vogël të tyre dhe një periudhe kohe vetëm disa mujore,” tha ARRSH.

“ARRSH është e impenjuar maksimalisht në likuidimin sa me të shpejtë të pronarëve të shpronësuar. Për zgjidhjen e kësaj problematike të trashëguar ndër vite, për vitet 2020 dhe 2021 është kërkuar akordimi i një fondi më të lartë për ARRSH për zërin shpronësime,” shtoi Autoriteti.

Ndërkohë, MIE nuk i përgjigj një kërkesë për koment mbi gjetjet e dërguara nga BIRN.

Borxhi i shtetit ndaj pronarëve

Fadroma dhe punetore, gjate punimeve per ndertimin e Unazes se Madhe te Tiranes, ne segmentin prane Kopeshtit Botanik | Foto : Maton Dibra/LSA

Në bazë të dokumenteve të siguruara nga dosjet voluminoze të shpronësimeve dhe llogaritjeve të BIRN rezulton se vlera totale që shteti duhej t’u paguante pronarëve në 15 vitet e fundit është 11.8 miliardë lekë. Nga buxheti janë paguar vetëm 5.89 miliardë lekë, ndërsa 52 % e shumës ose 6.02 miliardë lekë nuk është paguar ende në llogaritë e pronarëve të shpronësuar.

Gjysma e kësaj shume i përket projekteve për të cilat Këshilli i Ministrave ka shpallur listën dhe vlerën e pronave të shpronësuara dhe gjysma tjetër i përket segmenteve rrugore ku ka filluar ndërtimi, por ende nuk është bërë miratimi i kërkesës për shpronësim nga autoritetet dhe publikimi i vendimeve të qeverisë.

Në listën e 83 segmenteve rrugore të ndërtuara apo në ndërtim, ku shteti vijon të jetë debitor ndaj pronarëve, më e hershmja daton në vitin 2004 për rrugën që lidh Aeroportin e Kukësit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 20 shkurt 2004 mbetet ende i paekzekutuar, duke bërë që pronarët përgjatë këtij segmenti të mos marrin asnjë qindarkë nga fondi i akorduar prej 94 milionë lekësh.

BIRN ka zbuluar edhe një listë të akseve që kanë nisur prej disa vitesh, por që ende qeveria nuk ka shpallur vendimet për shpronësim. Kështu, për lotin e parë të rrugës Korçë-Ersekë nuk ka dalë ende vendimi për shpronësim, edhe pse puna për hartimin e listës së shpronësimeve në këtë rrugë ka nisur në vitin 2016. Një fat të ngjashëm kanë pasur një duzinë projektesh publike nga Shkodra në Gjirokastër, për të cilat Këshilli i Ministrave nuk ka shpallur listat e shpronësimeve për interes publik.

Zyhra dhe Halil Gjapi bëjnë pjesë në listën e gjatë të familjeve të shpronësuara 5 vjet më parë si pjesë e ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës, që nuk janë dëmshpërblyer ende plotësisht nga qeveria. Për segmentin e Unazës së Madhe nga Komuna e Parisit tek Rruga e Kavajës, kanë dalë 4 vendime të Këshillit të Ministrave për shpronësim, dy në vitin 2014 dhe dy në vitin 2016.

Buxheti ka shlyer pronarët për vendimet e vitit 2016, ndërkohë që pagesat që rrjedhin nga vendimet e vitit 2014 nuk janë dëmshpërblyer ende. Nga fondi i akorduar për këtë segment në vitin 2014 prej 890 milionë lekësh, shteti nuk ka dhënë ende për dhjetëra familje 150 milionë lekë të mbetura.

Ndërsa lufton prej vitesh për të marrë dëmshpërblimin, Zyhraja përballet edhe me pasojat e një koleksioni sëmundjesh. Ajo vuan nga parkinsoni, sëmundje që së fundi është bërë më agresive dhe i vështirëson të ecurën, ka nisur të verbohet dhe kurohet gjithashtu nga tensioni.

Halili, bashkëshorti i saj, edhe pse 72 vjeç, është në gjendje të lëvizë. Të dy të moshuarit vuajnë edhe nga diabeti.

Gruaja e sëmurë i tha BIRN se dimrin e kaluan në qiell të hapur, dhe ka vetëm disa muaj që jeton në një shtëpi me qira sociale të mundësuar nga bashkia e Tiranës, pasi fotot e tyre si të pastrehë bënë xhiron e rrjeteve sociale.

“Kam ndenjur 4 muaj te shkallët e pallatit, sepse na nxori i zoti i shtëpisë dhe shumë herë kam fjetur jashtë, sepse nuk gjeja shtëpi,” kujton Zyhraja.

E moshuara shpjegon se procedurat për shtëpi me qira sociale morën disa muaj dhe bashkia u vu në lëvizje vetëm pas protestave të qytetarëve në rrjetet sociale.

“Tre herë kam dorëzuar dokumente te bashkia, e cila më sorollati nga qershori e deri në dhjetor kur unë kam marrë bonusin e qirasë,” kujton ajo. “Kur fotot e mia u publikuan dhe erdhën e më gjetën përjashta, atëherë më bënë dokumente të përshpejtuara,” shtoi e moshuara.

E pyetur nga BIRN në lidhje me vonesat për shpronësimin e truallit të familjes Gjapi, ARRSH u shpreh se zvarritja kishte ardhur për shkak se regjistrimi i truallit të pronës në certifikatë pronësie në vitin 2014 ishte bërë disa muaj pas daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave.

“Nga ana jonë, për truallin e pasurisë … është nisur procedurë për shtesë shpronësimi,” tha ARRSH.

10 vjet pritje në Hekal

Agur Agaj nga fshati Hekal i Mallakastrës pret prej 10 vitesh që qeveria ta dëmshpërblej për tokën e shpronësuar në vitin 2009, për ndërtimin e rrugës Levan – Tepelenë | Foto nga : BIRN

Në vitin 2009 në fshatin Hekal të Mallakastrës u shpronësuan tokat e dhjetëra familjeve për ndërtimin e rrugës Levan-Tepelenë. Por një dekadë më pas, për të shkuar në fshat duhet të marrësh sërish rrugën e vjetër të Ballshit, e cila është tejet e amortizuar.

Banorët e fshatit mblidhen rëndom në një lokal ngjitur me një pikë karburanti. Një ditë të enjte në mesin e majit, ata ishin të ulur përpara ekranit të televizorit për të ndjekur punimet e seancës plenare të Kuvendit, të cilat u kujtojnë takimet e shumta me premtime të parealizuara me deputetët gjatë fushatave zgjedhore.

“Në një direktivë të kryeministrit u tha që lidhni atletet dhe shkoni poshtë në popull, pyesni çfarë halli ka populli. Por e ka të vështirë deputeti të kthehet kur nuk na i ka zgjidhur hallin që na ka premtuar,” kujtoi Agur Agaj, ndërsa dëgjonte fjalimet e deputetëve të mbledhur në seancë plenare. “Unë nuk mund të them se deputeti i ka në xhep lekët e shpronësimit, por deputeti merr hallet e popullit dhe i çon lart, se si janë gjërat atje lart, varet se kush e ka në dorë miratimin, “ shtoi ai.

Për ndërtimin e rrugës Levan- Tepelenë, në fshatin Hekal janë shpronësuar tokat bujqësore të 64 familjeve në vitin 2009. Tokat u ndanë në fillim të viteve ‘90 me ligjin 7501, dhe të gjitha kishin dokumente pronësie.

Agur Agaj thotë se vetë ai pret që të marrë një shumë të vogël prej 140 mijë lekësh si dëmshpërblim, por ka familje që presin shuma më të mëdha. “Unë kisha vetëm 350 metra katrorë, dhe ma kanë marrë metrin me 4 mijë lekë të vjetra. Por nuk bëhet fjalë për mua, këtu është një komunitet i tërë, 64 familje që i ka prekur shpronësimi,” thotë ai.

Në 10 vjet që presin për të marrë kompensimin nga qeveria, shpenzimet për të dorëzuar disa herë dokumentet, për të shkuar e për t’u interesuar në Tiranë si dhe nxjerrja në fillim e procesverbaleve, ka bërë që këta banorë të shpenzojnë në disa raste afërsisht sa shuma që ata presin të marrin dëmshpërblimin e tokës.

“Kam shkuar shumë herë për të kërkuar të drejtën. Më mirë të na thonë këto para i kemi ngrënë e mos i kërkoni kot,” shton Aguri.

E pyetur nga BIRN në lidhje me pagesat e tokave të shpronësuara si pjesë e rrugës Levan-Tepelenë në fshatin Hekal, ARRSH tha se në 13 maj i kishte dërguar një kërkesë të re Komisionit të Shpronësimeve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Shkak për këto vonesa është fakti se për këto pasuri nuk ishte realizuar regjistrimi fillestar i tyre, dhe janë regjistruar me vonë,” u justifikua ARRSH.

Rreth 800 metra larg fshatit Hekal ndodhet parku kombëtar i Bylisit, një zonë arkeologjike me monumente Ilire. Ndonëse banorët e Hekalit kërkojnë që fshati të lidhet me autostradën Levan-Tepelenë, rruga 5 kilometra që lidh autostradën me fshatin është në gjendje të amortizuar dhe e pakalueshme nga mjetet e lehta dhe autobusët.

“Ne jemi fshati që kemi dhënë tokën për autostradën, por nuk po e gëzojmë dot se kemi rrugë shumë të keqe. Nuk shkojmë dot në tokat tona t’i punojmë,” tha Aguri.

“Kemi 10 vjet që vetëm bëjmë pagesa për dokumente, kanë ardhur deputetë nga më të ndryshmit, na kanë premtuar zgjidhje dhe nuk kanë bërë gjë,” përfundoi ai.

Banorët e Astirit

Lindita dhe Flori Protoduari në bar-kafenë e tyre në zonën e Astirit në Tiranë | Foto nga : Ivana Dervishi/BIRN

Lindita Protoduari thotë se ajo dhe bashkëshorti kanë punuar shumë për të arritur ato që kanë sot – një shtëpi 227 metra katrorë me një bar kafe, si dhe pronësi mbi një truall prej 290 metrash katrorë në zonën e Astirit në Tiranë – për të cilat gruaja 50 vjeçare nënvizon se ka dokumente të rregullta dhe të regjistruara në hipotekë.

Lindita lëviz më vështirësi sepse ka njërën këmbë të thyer; ajo tregon se u lëndua pasi një polic e shtyu gjatë protestave që ata së bashku me fqinjët kanë bërë gjatë 7 muajve të fundit kundër projektit të qeverisë për zgjerimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

“Më kanë futur dy herë në burg dhe më ka thyer këmbën policia; e kemi me video, më ka shtyrë polici 5 metra,” tregon gruaja 50 vjeçare. “Unë kërkoj të drejtën time, por le të vijë ta prishi shtëpinë, por të më japë vlerën reale të pronës,” shtoi ajo.

Për Linditën dhe bashkëshortin e saj, jeta nuk ka qenë e thjeshtë. Flori Protoduari, 60 vjeç, është me origjinë nga Berati, por është rritur në Skrapar sepse familja e tij ka qenë internuar, ndërsa babanë ia kanë burgosur. Lindita tregon se edhe babai i saj ka vuajtur gjatë në burgun famëkeq të Spaçit, ndërsa thotë se persekutimi i tyre nuk po merr fund as sot.

“Babai im ka lënë kockat në Spaç të Mirditës. Ngelëm të persekutuar gjithë jetën,” tha ajo.

Duke treguar dokumente e regjistrimit të shtëpisë në hipotekë, Flori kujton se është zhvendosur në Tiranë në vitin 1993 dhe ka jetuar tek ish-Shkolla e Partisë deri në vitin 1998 – bazuar në një vendim të qeverisë së përkohshme të kryeministrit Ylli Bufi në vitin 1991.

Ai tregon se mbijetesën fillimisht e ka siguruar duke punuar si tregtar ambulant. Në vitin 1998 është interesuar për të blerë tokë dhe është zhvendosur në zonën e Astirit, ku ka blerë një ndërtesë të vjetër që më parë i përkiste Institutit të Perimeve dhe Patateve.

“Prona i ishte dhënë dikujt me ligjin 7501 dhe ai na i ka shitur ne,” kujton Flori. “Në atë kohë e kam blerë tokën 20 milionë lekë të vjetra,” shtoi ai.

Çifti Protoduari në fillim ka hapur një kioskë dhe me fitimet e siguruara ka arritur të ngrejë shtëpinë dhe lokalin. Ndryshe nga shumë banorë të zonës ende pa dokumente legalizimi, Flori tregon se në vitin 2013 arriti që të nxjerrë hipotekën për shtëpinë dhe lokalin, për të cilin ka paguar 12 milionë lekë të vjetra.

Por leja e legalizimit dhe certifikata e pronësinë nuk i zgjidhën punë 8 muaj më parë, kur  topografët e ARRSH-së u shfaqën papritmas dhe i vendosën një kryq ndërtesës.

“Një ditë të bukur vjen topografi me ca inxhinierë dhe vendosin ca kryqe si në fashizëm! I thamë na jepni paratë me vlerë tregu dhe na japin ligjin e shpronësimeve të vitit 1999 , ku ne do të na paguhet vetëm 130 milionë lekë të vjetra,” kujton Flori.

Burrë e grua e konsiderojnë qesharake vlerën e dëmshpërblimit, ndërsa shtojnë se e kanë të pamundur të blejnë me këtë shumë një apartament të bollshëm për vete, dy djemtë dhe mbesat.

“Nuk blej dot asnjë apartament me atë që marr, kam dy djem, ku t’i çoj,” pyet ai. “Unë i jam edhe 30 mijë euro borxh bankës për të larë atë që kam ndërtuar.  Unë jam me minus, kam vetëm llaç e tulla dhe këto po m’i prishin, ku të shkoj?,” shtoi i Flori i dëshpëruar.

Flori tregon se deri më sot nuk i ka ardhur shkresa e vlerësimit nga Komisioni i Posaçëm i Shpronësimeve, por vlerën e shpronësimit për pasurinë e tij e ka mësuar nga gazetat, çka e bën të pamundur ankimin në gjykatë.

“Nuk më ka ardhur mua si qytetar në mënyrë zyrtare, të më vijë zarfi në shtëpi! Ndryshe nuk kam çfarë të ankimoj në gjykatë. Kështu më kalojnë afatet ligjore! Mund të shkoj unë në gjykatë me këtë gazetën?” pyet ai.

Ndryshe nga shumë projekte të tjera, kërkesa e ARRSH-së për shpronësim pranë Unazës së Madhe nga Pallati me Shigjeta te Rrethrrotullimi Shqiponja – e njohur gjithashtu si zona e Astirit nuk është bllokuar nga Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kërkesat e Autoritetit Rrugor Shqiptar u miratuan pa vonesë nga Komisioni i Posaçëm i Shpronësimit dhe më 17 prill, qeveria kaloi vendimin për shpronësim për një vlerë prej 12 milionë USD. Vetë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e pranoi shpejtësinë e miratimit të këtij vendimi gjatë një konference, duke arsyetuar se kjo nismë erdhi si pasojë e protestave të banorëve.

“Ne na është dashur të tkurrim shumë nga projektet e tjera, si Ministria e Infrastrukturës dhe ARRSH, kemi hequr disa nga projektet e tjera, pikërisht për të dëmshpërblyer njerëzit dhe për t’i hequr argumentin politik të gjithë atyre që po përdorin jetën e këtyre banorëve,” tha Balluku gjatë konferencës me kreun e Bashkisë së Tiranës, ku u prezantua projekti i ri i lotit të parë në afërsi të sheshit ‘Shqiponja.’

E pyetur nga BIRN se pse nuk i është dërguar shkresa e vlerësimit për shpronësim familjes Protoduari, ARRSH tha se grupi i vlerësimit ishte penguar të bënte matjet.

“Gjurma e shpronësimit prek edhe objektin e kombinuar, por për të cilin nuk janë hedhur të dhënat në tabelë, pasi grupit të vlerësimit nuk i janë lejuar matjet dhe verifikimi i objektit,” tha Autoriteti. “I kemi kthyer përgjigje z. Flori Protoduari që grupi i punës është i gatshëm të vijë në terren për të kryer verifikimet, matjet dhe fotografitë për të vijuar më tej me përllogaritjen e vlerës së shpronësimit, por deri në këtë moment nuk kemi marrë njoftim nga ana e tij,” shtoi ARRSH.

Vlera e shpronësimit të pronës së tyre nuk është i vetmi problem që e rëndon familjen Protoduari. Lindita dhe Flori presin dita- ditës që djali i tyre Doriani, të lirohet nga burgu, pasi është arrestuar gjatë një proteste që kanë zhvilluar banorët e Astirit kundër projektit të Unazës. Ndërkohë, projekti për zgjerimin e rrugës ka ndikuar negativisht edhe në biznesin familjar, çka i ka bërë burrë e grua ta shohin të ardhmen me pesimizëm.

“Djalin tim e akuzojnë për përplasje, por ja ku janë fotot që e akuzojnë, djali me duart lart, kurse këtu me cigare në dorë. Ka ndonjë dhunë këtu?” pyet Flori.

“Këtu çdo gjë është shkatërruar, qiraxhinjtë po ikin,” shprehet Lindita. “Është bërë si Kabul, na hoqën ndriçimin e rrugëve, hoqën pemët, nuk po pastrojnë, është bërë pisllëk kudo, nuk jetohet!” përfundoi ajo.

Pingpong institucional

Djali i Linditës dhe Florit, Dorian Protoduari është arrestuar gjatë protestave kundër zgjerimit të Unazës së Madhe të Tiranës dëmshpërblyer pronarët që preken nga projekti | Foto : Ivana Dervishi/BIRN

Korrespondenca e siguruar nga BIRN mes Komisionit të Posaçëm të Shpronësimit në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar dëshmon për situatën e rëndë dhe vonesat e kompensimit të shumë pronarëve në pasuritë e të cilëve janë ndërtuar dhe po ndërtohen rrugë kombëtare.

Dosjet voluminoze të korrespodencës tregojnë kthimin pambarim dhe zgjatjen e procedurave nga komisionet e ngritura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në një letër dërguar më datë 4 korrik 2018, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, në cilësinë edhe të kryetarit të Komisionit të Posaçëm të Shpronësimeve, kthen për rishqyrtim pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhjetëra dosje për 37 akse kombëtare, paratë e të cilave nuk janë dhënë prej vitesh.

“Nga shqyrtimi i deritanishëm i dokumentacionit të dosjeve për shpronësim, ku subjekt kërkues është ARRSH, Komisionet e Posaçme të Shpronësimit të ngritura me urdhër Ministri, në të gjitha rastet kanë konstatuar mangësi e pasaktësi në dokumentacion,” thuhet në letër, ku pranohet se shumë pronarë kanë vite që nuk kanë marrë paratë për pronat e shpronësuara.

“Referuar faktit se të gjitha dosjet për shpronësim, ku Ju jeni subjekt kërkues, janë të disa viteve më parë (deri edhe më shumë se 10 vjet) dokumentacioni shoqërues nuk është sipas përcaktimeve në nenin 10, “Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese të kërkesës për shpronësim”, të ligjit nr 8561 datë 22.12.1999 Për Shpronësimet,” vijon argumentimin Shkreli.

Burime pranë sektorit të shpronësimeve në Autoritetin Rrugor Shqiptar treguan për BIRN se kthimi i dosjeve dhe vonesat kanë prodhuar procedura Kafkeske për pronarët e shpronësuar, të cilët duhet të dorëzojnë disa herë në vit dokumentacion të ri duke shpresuar se do të marrin kompensimin.

“Kthimi është absurd dhe i pabazuar në ligj, pasi kërkohen shtesa dhe detajime të hartave për të cilat neni ku është referuar kthimi i dosjes nuk i përmban,” shpjegoi një zyrtari i ARRSH-së për BIRN.

Përmes një verifikimi të kryer në ligjin dhe nenin ku është mbështetur kthimi i dosjeve për 37 akse rrugore nga BIRN, rezulton se kërkesat e bëra nga ky Komision janë të pabazuara.

Komisioni i Shpronësimeve kërkon ndarjen e projektit ku do të kalojë rruga në harta sipas zërave kadastralë, si dhe rifreskimin e kartelave të pasurisë për të gjithë pronarët, ku kërkohen që ato të jenë të lëshuara jo më parë se 3 muaj nga data e dërgimit në ARRSH të kërkesës për shpronësim.

Të dy këto kërkesa, jo vetëm nuk kanë bazë ligjore siç citohet në shkresë, por po ashtu janë kontradiktore dhe të kushtueshme për qytetarët, të cilët duhet të paguajnë shuma parash për tërheqjen edhe njëherë të kartelave të pasurisë dhe dorëzimin e tyre sërish pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

“Për ndërtimin e rrugëve të reja paguhen me miliarda lekë për studime fizibiliteti, projekt – ide e projekt- zbatime, dhe tek pjesa më sensitive ajo e kompensimit të pronarëve me atë që iu takon me të drejtë, ose nuk ka më fonde, ose krijohen vonesa pafund në të gjithë procedurat e shpronësimit,” shpjegoi zyrtari i ARRSH-së, që foli në kushte anonimati.

Sipas të njëjtit zyrtar, ka vite që portalet e “bashkëqeverisjes” mbushen plot me ankesat e këtyre pronarëve “pa pronë”, të cilët kërkojnë të drejtën e tyre, por edhe përgjigjet që i dërgojnë këto portale janë ping-pong që bëjnë institucionet me njëri-tjetrin për të justifikuar se kush e ka fajin.

“Në tre vite, ministria kompetente për këto shpronësime nuk bën gjë tjetër vetëm i paketon të gjitha dosjet e prapambetura dhe i kthen pas ato te Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili i rishikon dhe njëherë nga fillimi dhe pas verifikimeve dhe plotësimeve të kërkuara, ia dërgon ato sërish për të vazhduar me procesin e publikimit të VKM-së,” tha zyrtari i ARRSH-së.

“Nëse nuk kompensohen një nga një të gjithë pronarët që kanë vite që zvarriten dyerve të institucioneve, nuk duhet të hapet më asnjë kantier për interes ‘fushate’,” shtoi punonjësi i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

E pyetur nga BIRN për vonesat në shpalljen e vendimeve të Këshillit të Ministrave për shpronësimet për interes publik, ARRSH tha se kishte kërkuar rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Për zgjidhjen e kësaj problematike, ARRSH ka zhvilluar një sërë takimesh ndërinstitucionale, me të gjithë faktorët të cilët janë pjesë e procedurave të shpronësimit, për një rakordim efikas mes tyre dhe ndjekjen me përparësi të kërkesave që lidhen me shpronësimet,” tha Autoriteti.

Por ndërsa autoritetet rakordojnë me njëra-tjetrën, familjet e shpronësuara, vuajnë pasojat rrënuese që vonesat në pagesat e shpronësimeve kanë sjellë në jetën e tyre.

“Kam 5 vjet që po robërohem! Shtëpinë ma kanë grabitur,” tha Zyhra Gjapi. “Edhe lekët po i morëm do t’i fusim në bankë, që të na varrosin,” shtoi e moshuara, e ndërgjegjshme se dëmshpërblimi nuk do të mjaftonte për një shtëpi tjetër.

 

/reporter.al/

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of