Flet Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se pasaktësia e të dhënave ose vështirësia në sigurimin e statistikave për kapitalin human po i vë në vështirësi sipërmarrjet në Shqipëri.
Sipas tij, kapitali human, arsimi profesional gjithnjë e më shumë po bëhet një nga barrierat që po vënë në vështirësi sipërmarrjen, e cila po përballet çdo ditë me fenomene si mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, plakjen e popullsisë dhe emigracionin.
Zoti Jaka, sa e rëndësishme është statistika e popullsisë në aktivitetin e një biznesi?
Në këndvështrimin e sipërmarrjes, Censi është një nga veprimtaritë statistikore më të rëndësishme, i cili siguron informacion të detajuar mbi numrin dhe strukturën e popullsisë, e krahasueshme edhe në njësi shumë të vogla gjeografike.
Censi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri.
Të dhënat e Censit shërbejnë jo vetëm për autoritetet publike përgjegjëse që të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e arsimit, shëndetësisë, punësimit, industrisë, infrastrukturës etj, por edhe për sipërmarrjen që e ndihmon në hartimin e strategjisë së qëndrueshme të zhvillimit të çdo biznesi, duke filluar nga zhvillimi i burimeve njerëzore, për studimin real të tregut, për produktin ose shërbimin që ofron.
Për më tepër të dhënat e Censit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave, duke krijuar një panoramë të qartë për vetë biznesin, duke e lehtësuar në zhvillimin e një strategjie të qëndrueshme dhe konkurruese në terma afatmesëm – afatgjatë.
Së dyti, Censi, ky informacion statistikor, mundëson hartimin e politikave sektoriale të zhvillimit, të cilat janë plotësisht të ndërvarura nga ky informacion.
Pa bashkëpunimin e të gjitha palëve, është praktikisht e pamundur të ndihmohen ato degë të ekonomisë, të cilat mund të ofrojnë avantazhe krahasuese në vend, bazuar mbi të dhëna reale dhe që pasqyrojnë plotësisht gjendjen dhe nivelin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.
Realizimi i me sukses i Censit, detyron edhe vetë sipërmarrjen duke siguruar saktësinë e informacionit dhe statistikave që ajo prodhon, me qëllim për të ndërtuar një ekonomi të shëndoshë, reale, të qëndrueshme dhe konkurruese.
Ndërkohë për aktivitetin e biznesit, çfarë problemi krijon pasaktësia e të dhënave mbi kapitalin human?
Pasaktësia e të dhënave, ose vështirësia në sigurimin e statistikave për kapitalin human, pa dyshim që sipërmarrjen do ta vinte edhe më në vështirësi.
Kapitali human, arsimi profesional, gjithnjë e më shumë po bëhen një nga barrierat që po e vënë në vështirësi sipërmarrjen, e cila po përballet çdo ditë me fenomene si: mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, plakjen e popullsisë dhe emigracionin.
Në kushtet e vendit tonë, mungesa e aftësive profesionale dhe mospërshtatja me nivelin e zhvillimit të teknologjive, bëhet shkak që të mos kemi një vlerë të shtuar në ekonomi, për rrjedhojë të mos jemi konkurrues dhe duke vënë ne pikëpyetje perspektivën e zhvillimit ekonomik. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë, me fokus për zhvillimin e arsimit profesional, ne përfaqësuesit e biznesit e provojmë në kurriz se arsimi profesional nuk është në sinkron me nevojat e tregut të punës.
Mungesa e kualifikimit të punonjësve po bëhet një barrierë kryesore për investimet në Shqipëri. Në veçanti, këtë ne e hasim në sektorët e agropërpunimit, në industritë përpunuese dhe nxjerrëse, energji, turizëm etj.
Tregut i mungojnë teknologët, kontabilistët, agronomët, menaxherët e prodhimit, inxhinierët e tekstilit, të mekanikës etj. Programet universitare janë kryesisht teorike dhe kanë mangësi sa u përket aftësive praktike. Politikat e tregut të punës duhet të fokusohen në fuqizimin e kapitalit njerëzor, si kushti kryesor për ndërtimin dhe fuqizimin e një ekonomie konkurruese.
A zhvillojnë bizneset projeksione individuale mbi popullsinë? Nëse po, çfarë tregojnë këto projeksione?
Angazhimet e biznesit në projeksionet për popullsinë, në fakt si burim kryesor informacioni përdorin statistikat zyrtare.
Përveç bizneseve individuale që mund të ndërmarrin studime tregu rreth nevojave për kualifikimin e burimeve njerëzore, edhe vetë institucionet e biznesit, në veçanti DHTI-Tiranë ka implementuar projekte, që kanë pasur në fokus zhvillimin e konkurrueshmërisë dhe inovacionit, duke kontribuar në zhvillimin e burimeve njerëzore të kompanive që janë anëtare të DHTI-Tiranë.
DHTI-Tiranë siguron bashkëpunim të ngushtë me anëtarësinë e saj, me organizata të tjera lokale dhe shoqërinë civile, duke ofruar shërbime mbështetëse lidhur me kualifikimin e burimeve njerëzore në përputhje me nevojat e tregut të punës; Nëpërmjet departamentit të trajnimeve ofrohen tema kualifikimi që kontribuojnë në rritjen e informacionit për konkurrueshmerinë dhe inovacionin.
DHTI-Tiranë, në panairin “Work and Study” që organizohet çdo vit, jep një kontribut për rritjen e aftësive dhe kualifikimit për nevojat e biznesit. Për studentet në veçanti, panairi shërben si një pikë takimi shumë e mirë me përfaqësuesit e burimeve njerëzore të kompanive të pranishme në këtë panair.
Punëkërkuesi, punonjësi apo çdo individ i lirë është një tjetër fokus i panairit “Work & Study”, duke ofruar mundësi për t’u përballur me tregun e punës, për të prezantuar veten nëpërmjet intervistave pranë këtyre kompanive.
Në kuadër të projeksioneve për popullsinë, do ta konsideroja si një mangësi serioze mungesën e të dhënave për fuqinë blerëse të tregut. Është tepër e vështirë për të siguruar të dhëna statistikore për tregun, fuqinë blerëse, aq më shumë kur duhet të flasim për dinamikën e shitjeve për produkte specifike, qofshin industriale apo bujqësore të prodhuara në vend!!!
Mungesa e një informacioni të tillë statistikor e vë në vështirësi çdo sipërmarrës, aq më shumë nëse gjykojmë sa konkurrues është në treg produkti që ofrohet, kur sipërmarrësi nuk është në gjendje të orientohet dhe aq më shumë që të planifikojë, nëse duhet të investojë për rritjen e kapaciteteve prodhuese, për investime në teknologji, marketing, apo edhe për kapitalin human.
Si po e ndikon emigracioni aktivitetin e bizneseve në vend, si nga pikëpamja e konsumit, por edhe burimeve njerëzore?
Sipas INSTAT, 7,5% e popullsisë së vendit ka emigruar në 10 vitet e fundit. Në vitin 2021, u regjistrua dhe niveli më i lartë i të larguarve neto nga vendi në një dekadë, me gati 33 mijë persona që ikën pa kthim. Ritmet e ikjes u përshpejtuan ndjeshëm pas frenimit në periudhën e pandemisë, në 2020-n.
Flukset migratore për azil ekonomik drejt BE-së, më shumë se një shok psikologjik për shoqërinë, duket se kanë vënë në vështirësi edhe aktivitetin e shumë sipërmarrjeve në vend.
Vala e ikjeve nga Shqipëria nuk ka infektuar vetëm sektorin privat. Administrata është vënë në vështirësi për të kryer funksionet për shërbimet publike. Ministria e Shëndetësisë është alarmuar se personeli i kualifikuar, mjekë dhe infermierë, pasi mbarojnë studimet në Shqipëri, zgjedhin të emigrojnë.
Industria e teknologjisë së informacionit është një tjetër sektor që po vuan ikjen e të talentuarve, që po tentojnë të gjejnë një punë jashtë vendit në profesionin që kërkohet nga të gjithë.
Shoqëria, në tërësi, e ka përjetuar më shumë si dhimbje fenomenin, por bizneset e call center dhe ato të fasonit kryesisht në rrethe janë në vështirësi për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
Veç të tjerash, rritja e fenomenit të emigracionit ka ndikuar në rënien e konsumit, por pakësimi i forcës punëtore, nga ana tjetër, ka vënë në vështirësi zhvillimin e bujqësisë në disa rrethe të vendit, ku flukset emigratore kanë qenë të larta, si në drejtim të Gjermanisë, Britanisë, Italisë etj.
Niveli i lartë i emigrimit të njerëzve të kualifikuar është një tjetër karakteristikë e migrimit shqiptar, që e ka vënë në vështirësi sipërmarrjen shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.