Të enjten do të protestohet për Trustin, në mënyrë që qytetarët të lejohet të tërheqin deri në 30% te mjeteve të tyre.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
“Të enjten protestohet për Trustin, qytetarët kërkojnë tërheqjen deri në 30%. Pasi që shumicës në grup iu përshtat ora 12:00 për të protestuar të enjten, ashtu e vendosëm! Pra të enjten protestojmë në mënyrë paqësore para Kuvendit të Kosovës, dhe ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të votojnë Projektligjin për tërheqje 30 % të Trustit”, ka shpërndarë Haxhiu njoftimin e grupit organizues.
Moto e protestës do të jetë “Dil protesto për paratë e tua”, thuhet në njoftim ndër të tjera.
Deputeti Haxhiu prej kohesh ka dorëzuar në Kuvend një projektligj përmes miratimit të së cilit qytetarët do të mund të tërhiqnin mjete tjera nga Trusti i kursimeve pensionale.
Iniciativa është mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare LDK e AAK por deri më tani ka hasur në kundërshti të shumicës, pa votat e të cilëve nuk mund të kalojë projektligji.
Dy partitë opozitare PDK dhe AAK kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë ta sjellin në Kuvend, Projektligjin që u mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve nga Trusti
Shefi i Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se deputetët e PDK-së, në mbledhjen e Kryesisë kishin pritur të diskutohet projektligji i propozuar nga PDK për tërheqjen e kursimeve personale të qytetarëve nga Trusti
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri kërkoi që ky Projektligj të vie sa më parë në Kuvend.
Tahiri tha se çështja e Trustit duhet të sillet në Kuvend, sipas tij edhe deputetët e shumicës e kanë kuptuar rëndësinë e tërheqjes së kursimeve personale nga Trusti, në këtë kohë krize ekonomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.