Bashkëpunimi i sipërmarrjeve të Shqipërisë dhe Kosovës do të duhet të ngrihet në një stad të ri, më të zhvilluar. Dhoma Shqiptare e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit organizoi një takim mbarëkombëtar të biznesit ku u diskutuan edhe problematikat që has sipërmarrja në të dy anët e kufirit.
Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës vazhdojnë të mos jenë në nivelin e duhur dhe shtimi i volumit mbetet një sfidë ende e hapur. Pengesat janë kryesisht të tipit ligjor, gjithashtu evidentohet edhe burokracia e tepërt nga ana e institucioneve qeveritare të të dyja palëve. Në këto kushte është e domosdoshme që të promovohen vlerat e bashkëpunimit midis bizneseve të një kombi pasi ekzistojnë akoma pengesa në punën e përbashkët për të sjellë vlerat shqiptare në tregun ndërkombëtar. Ishin pikërisht këto problematika që u diskutuan gjatë “Takimit mbarëkombëtar të biznesit”, që u zhvillua nga Dhoma Shqiptare e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit (ACITAD), në vazhdimësinë e projekteve të saj për të përfaqësuar biznesin dhe burimet njerëzore shqiptare. Në këtë forum morën pjesë 60 kompani nga Kosova dhe 100 anëtarë e të ftuar të ACITAD nga sektori i ndërtimit, industrisë kimike, prodhimeve ushqimore, tekstilit etj.
Qëllimi i këtij organizimi ishte vendosja e urave të reja të bashkëpunimit në fushën e tregtisë, sipërmarrjes dhe ndarjes së eksperiencave midis dy shteteve të së njëjtës kombësi.
Bizneset e të dy vendeve kërkojnë intensifikimin e kontakteve dhe të ndërtohen baza të forta për një ekonomi prodhuese, importuese dhe eksportuese të denjë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Blenard Durmishi, president i ACITAD tha se: “Gjuha, tradita, kultura, historia jonë si shqiptarë kërkojnë një bashkëpunim sa më të afërt me njëri-tjetrin. Vizioni ynë për një përfaqësim të denjë, serioz e cilësor të fuqisë prodhuese shqiptare le të jetë qëllimi i punës dhe përpjekjeve tona”. Ndërsa zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, tha se roli përkrahës i qeverisë shqiptare do të vijë duke u rritur në mbështetje të këtyre projekteve.
Bizneset e të dy vendeve e konsideruan pozitiv vendimin e qeverisë që u drejtohet të gjithë qytetarëve shqiptarë të Republikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës të cilët nuk do të kenë më nevojë të aplikojnë për leje pune për të punuar në Shqipëri kurse për sa i përket fushës së doganave, përjashtimi nga taksimi i dyfishtë.
Zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë gjatë viteve të fundit kanë mundësuar një urë të re lidhëse me tregun ndërkombëtar të marrëdhënieve mes biznesit shumëpalësh. Kjo hapësirë shkëmbimesh mirëpriti të gjithë potencialin ekonomik, kapitalin njerëzor dhe risitë në teknologjinë prodhuese të vendeve tona.
Markat shqiptare tashmë janë pjesë e tregut të huaj dhe shumë nga kompanitë shqiptare dhe kosovare prej vitesh konkurrojnë në rritjen e standardeve të cilësisë së prodhimeve.
Marrëdhëniet ekonomike mes tregjeve të Shqipërisë dhe Kosovës kanë ardhur në rritje dhe vëllimi tregtar për vitin 2013 arriti në vlerën 21 miliardë lekë, nga 17.4 miliardë lekë që ishte në vitin 2012, ku volumi tregtar u rrit me 3% më shumë nga viti i mëparshëm.
Në eksportet shqiptare, Kosova zë vetëm 8% të tyre. Tregtia me Kosovën është sa vetëm 3.5% e totalit të shkëmbimeve tregtare me jashtë të Shqipërisë. Ndërsa pesha e Kosovës në totalin e eksporteve tona llogaritet në 7%, tregtia kosovare në Shqipëri arrin në 3.5%.
Përfaqësuesi nga Kosova i kompanisë “ABI sh.p.k”, Alajdin Fusha, tha se takime të tilla të ndërsjella të biznesit janë të vlefshme për të krijuar ura bashkëpunimi në sektorët ku ata operojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.