Teknologjia dhe e vjetra nuk shkojnë bashkë. Edhe sistemi arsimor, në kushtet e zhvillimit të vrullshëm teknologjik, duhet të reformohet dhe të përshtatet në një kontekst tregu global. Çfarë u mungon të rinjve shqiptarë të fushës së teknologjisë?
Si mund të nxitet shpirti sipërmarrës në një treg si ai shqiptar, nëpërmjet forcimit të edukimit inovativ? Tre lektorë të huaj flasin hapur për mangësitë e sistemit arsimor shqiptar, ndërsa sipërmarrësit e fushës së startup bëjnë thirrje për zgjimin e të rinjve nga ‘gjumi’, përmes metodave didaktike më bashkëkohore dhe të përditësuara me teknologjinë…
Nga Deada Hyka
Në kushtet e zhvillimit të shpejtë teknologjik, globalizimit, lulëzimit të sipërmarrjes, veçanërisht në botën dixhitale, modeli tradicional i edukimit në Shqipëri duket se po has vështirësi në mbajtjen e të njëjtit ritëm me trendet e lartpërmendura.
Mësimi i gjithçkaje, përkundrejt së veçantës, i vë nxënësit dhe gjimnazistët përballë zgjedhjeve për të cilat nuk kanë panoramën e duhur dhe mbi të gjitha, zgjidhje të cilat duhet t’u prezantoheshin më herët në jetë. Aktualisht ka një boshllëk midis përgatitjes që u bëhet studentëve dhe institucioneve në shkolla apo universitete dhe kërkesave gjithmonë e në rritje të tregut. Nga ana tjetër, programet e edukimit tradicional bëjnë pak ose aspak në drejtim të nxitjes së shpirtit të sipërmarrjes dhe inovacionit.
Në këtë kontekst, në një event të organizuar në kryeqytet, tre lektorë të huaj sjellin në Shqipëri metodat e arsimit dhe përshtatjen e tyre me nevojat në evoluim të teknologjisë. Duke njohur nga afër mjedisin arsimor në Shqipëri, ata theksojnë se duhen marrë në konsideratë forma alternative të edukimit, të cilat duke e pasur në fokus rritjen e motivimit, kreativitetit si dhe kultivimin e inovacionit apo shpirtin e sipërmarrësit, do të sillnin në ‘jetë’ individë të një gjenerate tjetër.
Si mund të edukohen fëmijët për të nxitur dhe për të forcuar talentet e tyre? Çfarë forme edukimi mund të ndjekim për 10-vjeçarët që të kuptojnë vetveten dhe zgjedhjet që u ofrohen? Si mund t’i edukojmë (apo riedukojmë) studentët për të qenë më të prirë drejt ndryshimit dhe kreativitetit? Cilat janë format më të mira për nxitjen e sipërmarrjes dhe mbështetjen e ideve?
Sipas tyre, në Shqipëri duhet përqafuar edukimi inovativ. Duke identifikuar pikat kryesore se ku çalon sistemi tradicional arsimor, sipas tyre duhet të përfshihen metoda alternative të mësimdhënies për të shmangur problematika që trashëgohen prej vitesh. Nxitja e shpirtit sipërmarrës do të ishte forca kryesore që do të shtynte inovacionin të zhvillohej më tepër.
Amir Mohammad Esmaeilakhtar, në profesion inxhinier IT dhe gjithashtu, lektor prej 7 vitesh në një universitet privat në Tiranë, është themeluesi i AME Digital Consulting me përvojë në fushën e marketingut dixhital, medias online dhe PR, e-commerce, e-learning dhe mentorimit të startup-eve. Si bashkëthemelues i shumë startup-eve në Shqipëri, ai u bën thirrje të rinjve që të ‘zgjohen’ dhe të mos mendojnë emigrimin si zgjidhje.
Realiteti shqiptar i arsimimit dhe përshtatjes me tregun e punës, me teknologjinë etj., ka mangësi por edhe janë bërë disa përmirësime të dukshme në këtë drejtim, thekson profesor Amir.
Por, ndryshe nga vendet e zhvilluara, shton ai, që kanë kapacitetet për të zbatuar një strategji, një nismë më shpejt, Shqipëria është ende në hapat e parë. “Për shembull, futja e konceptit të shkollave profesionale është një arritje. E dyta, është koncepti ‘universiteti sipërmarrës’.
Deri dje, studentët diplomoheshin dhe mendohej se ishin të përgatitur për vendin e punës. Ndërsa sot, universiteti është bërë edhe një qendër për furnizimin dhe trajnimin e studentëve, për kthimin nga një universitet teorik në aplikativ”, – tha z. Amir.
Por, në përvojën e tij pedagogjike, Shqipëria është ende në hapat e parë. “Ka ende hapësirë për të investuar në këtë drejtim dhe për ta zhvilluar më tej, sidomos në degët e teknologjisë. Kjo frymë e re, është shumë e pakët krahasuar me potencialin që ka, duke marrë në konsideratë numrin e lartë të studentëve. Sistemi tradicional arsimor është problematik në vetvete, kudo në botë, jo vetëm në Shqipëri. Duhen më shumë hapa për t’u përshtatur me teknologjinë”, – tha ai.
Neil Cocker është një sipërmarrës dhe mentor britanik startup-esh i cili ka punuar në Ballkan për dy vjet. Biznesi i tij i parë ishte një shtëpi diskografike, në të cilën ai ishte gjithashtu DJ dhe producent. Ai vizitoi botën për disa vjet përpara se të mbyllte shtëpinë diskografike për të qenë bashkëthemelues i Dizzyjam dhe RampTshirts.com – shërbimeve e-commerce. Si një konsulent i industrive krijuese dhe dixhitale / teknologjike, dhe zhvilluesi i ekosistemeve startup, Neil thekson se është thelbësore në ditët e sotme të dimë mirë mënyrën se si të përdorim teknologjinë për të mësuar, për të jetuar dhe për t’u bërë më të lumtur, në epokën moderne.
Prej disa muajsh, ai është angazhuar në një program të qeverisë zvicerane këtu në Shqipëri, për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë që duan që të marrin bazën e të qenët sipërmarrës dhe për të zhvilluar ekosistemin e startup-eve. Sipas tij, për të qenë një sipërmarrës i mirë, duhet të kalosh disa etapa përmes mësimit dhe kjo, mund të merret përmes arsimimit tradicional. Neil thotë se, të rinjtë shqiptarë duhet të jenë më të ndërgjegjshëm për potencialet që kanë.
“Që të hapësh një biznes, të jesh një sipërmarrës sigurisht nuk është për të gjithë, jo të gjithë të rinjtë mund ta bëjnë, por unë i nxis ata. Ka vështirësi por duhen gjetur mënyrat për t’i lehtësuar gjërat më shumë. Të rinjtë shqiptarë kanë frikë nga dështimi, që në fakt nuk është gjë negative sepse nga to, mund të mësosh. Megjithatë, patjetër duhet pasur në konsideratë edhe ekosistemi për ta vlerësuar këtë gjë”- tha ai, duke shtuar se në vende si Shqipëria ka ende fusha ku ti mund të ndërtosh startup-e të suksesshme.
Hanna Lenkola është një mësuese finlandeze, e cila ka punuar mbi 15 vjet në fushën e arsimit me fëmijët parashkollorë deri te të rriturit. Në Shqipëri, prej disa muajsh, jep mësim në ciklin e parë të arsimit, Ajo thekson se të nxënit i bazuar në fenomene (phenomena-based learning) dhe kompetencat transversale që mbështesin objektivat e lëndëve të ndryshme, janë e ardhmja në këtë moshë dhe zhvillimit të individit të së nesërmes.
Duke dhënë shembullin e reformës arsimore finlandeze, ajo bën thirrje se një edukim i mirë nis që në vegjëli. Duke qenë më shumë se 15 vjet në kontakt me këtë grupmoshë, e së fundmi, prej një viti në një shkollë jopublike në Shqipëri, Hanna thotë se fëmijët në Finlandë janë shumë më të pavarur se ata shqiptarë. “Mund të jetë edhe një ndryshim kulture, megjithatë duhet që të gjejmë format e duhura që t’i mësojmë fëmijëve që në fillim të edukimit si të jenë të pavarur, të bëjnë gjëra vetë, jo të mësohen gjithnjë nga të tjerët”, – thotë ajo.
Sipas Hanna-s, mënyra se si mësohen fëmijët, bën atë që çfarë do të jenë në të ardhmen. Një sistemi arsimor kudo, shton ajo, jo vetëm në Shqipëri, i nevojiten metoda bashkëkohore didaktike. “Në gjykimin tim, mungojnë tre elemente, duhet konsideruar se sa e rëndësishme është një gjë për fëmijët me të cilët po bisedon, marrëdhënia që ndërton me ta dhe rigoroziteti për ta bërë sfiduese dhe jo teorike”- përfundon Hanna.
Tomi Kallanxhi, drejtuesi disa startup-eve dhe i njohur në këtë komunitet për shkak të nismave në fushën e teknologjisë, tregon se si një ish-student i një programi arsimor inovativ dhe si një sipërmarrës i ri, se ku çalon sistemi arsimor dhe të rinjtë. Problemi kryesor janë profesorët e vjetër, thotë ai.“Nuk jam kundër moshës, por jam kundër mungesës së përditësimit. Nuk mund të japësh një libër të vitit 1980 në ditët e sotme. Sidomos jo në degët teknologjike.
Një gjë e 2006 konsiderohet e vjetër në 2018. Problematika e dytë është kurrikula mësimore. Është e papërditësuar. Dega që ndoqa pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore, ishte relativisht e re, e krijuar në 2004. Bëhet fjalë për Inxhinieri Matematike dhe Informatike. Nuk mundet që të bësh një kurrikulë dhe ta mbash për vite me radhë të papërditësuar. Duhen përfshirë ndryshimet dhe risitë në çdo fushë.”
Një gjë tjetër, që mungon në universitetet shqiptare, sipas tij, është nxitja e studentëve që të krijojnë. “Shumë universitete në botë, i bëjnë studentët që të krijojnë aplikacione ose të ngjashme dhe këto mbeten në pronësi të fakultetit. Pra, integron praktikën e duhur për studentët dhe njëkohësisht krijon një databazë të pronësisë intelektuale nga vetë studentët për shkollën”.
Sipas Tomit, një tjetër problematikë është laboratori padyshim, i cili mbetet një ‘ëndërr’. “Por, le të shtiremi se kjo e fundit nuk është aq e rëndësishme sa të parat, duke marrë në konsideratë se një student për një degë teknologjie e ka mundësinë që të blejë/ketë një laptop dhe me të të vijë në universitet”, – shton ai.
Tomi thekson se, studentët duhet të nxiten që të punojnë nëpër ekipe dhe të kenë ide sipërmarrëse. “Këtë gjë e pohoj si një ish-student teknologjie dhe njëkohësisht sipërmarrës i ri.
Nga nis? Kjo gjë nis nga shkolla. Po shoh që vitet e fundit po rriten breza shumë konsumatorë dhe mund të them me bindje se do të jetë e vështirë që në 10 vitet e ardhshme të dalin breza sipërmarrësish. Kjo, sepse do të mendojnë se çdo gjë është krijuar, është sjellë në treg tashmë dhe s’do të ketë më asgjë tjetër për të sjellë. Ai brez do të punojë dhe do të konsumojë atë çfarë i jepet”.
Në vijim, ai shton: “Mjedisi për të bërë biznes në Shqipëri mund të mos jetë i lehtë për një të ri, por kjo s’do të thotë se është e pamundur. Çfarë do të thotë kjo? Çfarë të mirash shoh unë në tregun e të bërit biznes në Shqipëri është se ende ke hapësira për të bërë diçka. Konkurrentët në fushën e teknologjisë nuk janë aq të egër sa janë në tregti, restorante etj.
Duhet konsideruar se me teknologjinë s’duhet të kesh detyrimisht një dyqan fizik, nuk po them që të bëhen të gjithë programues. Po them që dyqanin e luleve ti në vitin 2018 nuk ke pse ta marrësh në Bllok, ndërkohë që me një ambient larg qendrës së Tiranës dhe me punën online, porositë online, ti mund të funksionosh shumë mirë. Një qira më e ulët objekti të jep mundësi të kesh një buxhet më të favorshëm për marketingun dhe një website komercial.”
Sipas Tomit, sot teknologjia jep shumë mundësi, por mungojnë nismat në Shqipëri. Të rinjtë zhgënjehen shumë shpejt, kanë pak besim te vetja. “Them se shkolla ka një rol të madh në këtë drejtim, sepse jemi rritur me idetë e imponuara nga profesorët. Një tjetër problem edukimi që ka sistemi ynë arsimor është mungesa e lirisë. Një i ri sot e ka shumë të vështirë që të punojë në mënyrë të pavarur. Qoftë për një kërkim të thjeshtë shkencor. Duhet t’i thuhet çdo gjë me detaje.
Kjo është një mangësi që vjen që në nisje të arsimit, që në atë fillor. Modelet e huaja arsimore kanë tjetër qasje në këtë drejtim. Mendoj se sipërmarrja duhet futet si lëndë në çdo fushë studimi. Marrim shembullin e arkitekturës. Që të jesh një arkitekt i zoti në treg, nuk të nevojiten vetëm aftësitë profesionale të asaj dege. Jo, duhet të dijë mbi tregun global, tendencat e tregut, modelet e sipërmarrjes etj. E njëjta logjikë është edhe për degë të tjera. Lidhur me këtë, duke i shtuar edhe një tjetër problematikë sistemit arsimor, është fakti që profesorët që japin mësim në degë të ndryshme, janë vetëm profesorë dhe jo profesionistë në atë degë në treg. Mund të flasin për sipërmarrje por askush prej tyre s’ka qenë apo nuk është një i tillë”, – përfundon Tomi Kallanxhi.
Shqipëria e fundit për zhvillim teknologjik dhe inovacion në Europën Juglindore
Shqipëria është vendi më pak efikas për inovacione në rajon dhe me zhvillimin më të ulët të TIK, duke zënë respektivisht vendin e 89-të në botë dhe të fundit në EJL, sipas një raporti të fundit të SEE News. Sllovenia dhe Kroacia kryesuan në listën e shteteve të Europës Juglindore, në drejtim të zhvillimit të TIK, sipas një raporti të fundit të SEE News (një njësi e biznesit të inteligjencës në Europën Juglindore), që i referohet edhe të dhënave nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit.
Kroacia ishte vendi që regjistroi përmirësimin më të madh vjetor në rajon, në vendin e 36-të nga vendi i 42-të në renditjen 2016. Bullgaria, Rumania dhe Moldavia gjithashtu u ngjitën në renditje globale, secila duke marrë një vend midis 50 dhe 60. Mali i Zi ishte humbësi më i madh, duke rënë në vendin e 61-të nga ai i 56-të, ndërsa në fund u rendit, por ende brenda Top 100 të botës, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Shqipëria, respektivisht në vendin e 83-të dhe 89-të.
Në shumicën e vendeve, faktorët kryesorë për zhvillimin e sektorit të TIK ishin penetrimi dhe përdorimi i internetit nga popullata dhe politikat qeveritare. Vendet me përqindjen më të lartë të përdoruesve të internetit në popullsinë e përgjithshme (mbi 72%), ishin Sllovenia dhe Kroacia, të cilat renditen si ekonomitë më të zhvilluara të TIK në EJL. Megjithatë, Bullgaria dhe Rumania me përqindje të internetit në 60% për shkak të popullsisë në moshë, pati përsëri renditje më të mirë krahasuar me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjë-Hercegovinën, ku normat e përdorimit tejkalojnë 70% dhe por kishin zhvillim më të ulët të TIK në rajon.
BB: Qeveritë të kthejnë vëmendjen tek arsimi
Arsimi ndërton kapitalin njerëzor, që përkthehet në rritje ekonomike. Nëse përmirësimet janë më të shpejta, me shumë gjasë, vendet që ndërtojnë një sistem arsimor produktiv kanë më shumë shanse të përmirësojnë nivelin e jetesës, të ulin varfërinë dhe të ndërtojnë një sistem demokratik qeverisës. Banka Botërore, në një raport të vitit të shkuar, “Lexo për t’u edukuar” arrin në përfundimin se vendet e varfra dhe ato zhvillim po bëjnë hapa më të ngadaltë në arsimin e fëmijëve se SHBA në vitet 1800-1900.
Duke analizuar njohuritë arsimore në disa vende dhe ndikimin që ato kanë në zhvillimin ekonomik të tyre, Banka ka gjetur se popullatat e varfra gjithashtu janë të varfra edhe në mësimnxënie. Në vendet e Afrikës, tre të katërtat e nxënësve në klasën e tretë nuk e dinin kuptimin e fjalisë “Qeni im quhet Pupi”, ndërsa në Indinë rurale, tre të katërtat e nxënësve në klasën e tretë nuk mund të bënin një zbritje me dy numra.
Në vlerësimin për nivelin arsimor nëpërmjet PISA 2015, Banka Botërore pohon për Shqipërinë se, megjithëse niveli i arsimimit është rritur, veçanërisht për arsimin e lartë, ku shkalla e regjistrimit është rritur më shumë se dy herë krahasuar me fillimin e viteve 2000, cilësia e arsimit mbetet e ulët, duke çuar në zvogëlimin e përfitimeve nga arsimi dhe uljen e cilësisë së kapitalit njerëzor.
Sipas vlerësimit të Bankës Botërore në Shqipëri, më shumë se gjysma e studentëve nuk arritën aftësitë minimale në lexim dhe matematikë në testin PISA. Hendeku i aftësive është identifikuar si një problem veçanërisht i rëndë në rajon. Banka thotë se shkollimi zvogëlon shumicën e llojeve të krimit të kryera nga të rriturit, si dhe nivelin e krimeve në adoleshencë.
16 dhe 17-vjeçarët në Mbretërinë e Bashkuar që braktisin shkollën kanë tre herë më shumë gjasa të kryejnë krime se sa ata që qëndrojnë në shkollë. Ndërsa në Meksikë, studimi gjeti se ata që kishin braktisur arsimin e mesëm ishin aktivizuar më së shumti me grupet kriminale të krimit dhe drogës. Banka thotë se arsimi siguron të ardhura më të larta dhe gjithashtu i zvogëlon disa fenomene negative sociale. Aborti ka shanse të jetë më i kontrolluar te fermat e arsimuara dhe planifikimi familjar të jetë më i lartë.
Një krizë mësimi është edhe një krizë morale vlerëson BB. Edukimi shëron një mori sëmundjesh shoqërore. Për individët, ajo promovon punësimin, të ardhurat, shëndetin dhe zvogëlimin e varfërisë. Për shoqëritë, ajo nxit inovacionin, forcon institucionet dhe nxit kohezionin social. Por këto përfitime varen kryesisht në mësim. Shkollimi pa të mësuarit është një mundësi e humbur.
Koreja e Jugut e kuptoi se arsimi ishte mënyra më e mirë për t’u tërhequr nga mjerimi ekonomik. Kështu që u përqendrua në rregullimin e shkollave dhe u angazhua për edukimin e mirë të çdo fëmije. Sot jo vetëm që Koreja ka arritur rezultatet universale në arsim, por studentët e saj gjithashtu kapin nivelet më të larta në vlerësimet ndërkombëtare të të mësuarit. Është një vend me të ardhura të larta dhe një model i zhvillimit të suksesshëm ekonomik.
Pse janë të suksesshme shkollat e Finlandës?
Arritjet e vendit në arsim krahasuar me vende të tjera, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, janë të mëdha, sepse ata i kanë bërë mirë ‘detyrat e shtëpisë’. Ndryshimi i sistemit arsimor finlandez filloi rreth 40 vjet më parë si helikë kryesore e planit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit.
Mësuesit kishin pak ide se ai ishte aq i suksesshëm deri në vitin 2000, kur u publikuan rezultatet e para nga Programi Ndërkombëtar i Vlerësimit të Studentëve (PISA), një provë e standardizuar dhënë 15-vjeçarëve në më shumë se 40 vende në botë, e cila tregoi se të rinjtë finlandezë ishin lexuesit më të mirë në botë.
Tre vjet më vonë, ata shkëlqyen në matematikë. Deri në vitin 2006, Finlanda ishte e para nga 57 vende në shkencë. Në rezultatet e PISA të publikuara në vitin e kaluar, Finlanda renditej e dyta në shkencë, e treta në lexim dhe e gjashta në matematikë në mesin e pothuajse gjysmë milion studentëve në mbarë botën. “Jam ende i befasuar”, tha Arjariita Heikkinen, drejtor i një shkolle gjithëpërfshirëse të Helsinkit.
“Nuk e kuptoja se ishim kaq të mirë”. Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët qeveritarë janë përpjekur të fusin konkurrencën në treg në shkollat publike. Në vitet e fundit, një grup i financuesve dhe filantropistëve të Wall Street si Bill Gates kanë financuar paratë e tyre në sektorin privat siç janë bonot, kurrikula të bazuara në të dhëna dhe shkolla charter, të cilat janë dyfishuar në numër gjatë dekadës së fundit. Presidenti Obama në atë kohë duket se vuri bast për konkurrencën.
Ai ftoi shtetet të konkurrojnë për lehtësi, duke përdorur teste dhe metoda të tjera për të vlerësuar mësuesit, një filozofi që nuk u praktikua në Finlandë. “Nëse shikoni vetëm statistikat, ju mungon aspekti i njeriut”, tha Timo Heikkinen, drejtues i një shkolle në Helsinki, me 24 vjet përvojë në mësim. Nuk ekzistojnë teste të standardizuara në Finlandë, përveç një provimi në fund të vitit në shkollën e mesme. Nuk ka renditje, asnjë krahasim apo konkurrencë ndërmjet nxënësve, shkollave apo rajoneve. Shkollat e Finlandës financohen publikisht.
Njerëzit në agjencitë qeveritare që i udhëheqin ata, nga zyrtarët tek autoritetet lokale, janë edukatorë, jo njerëz biznesi, udhëheqës ushtarakë apo politikanë karriere. Rezultati është se një fëmijë finlandez ka të njëjtën mundësi për të marrë të njëjtën arsim cilësor, pavarësisht nëse ai ose ajo jeton në një fshat ose në qytetin universitar.
Sipas studimit të fundit nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), dallimet mes nxënësve më të dobët dhe më të mirë janë shumë të vogla. “Barazia është fjala më e rëndësishme në arsimin finlandez. Të gjitha partitë politike në të djathtë dhe të majtë bien dakord për këtë”, tha Olli Luukkainen, president i një shoqate mësuesish në Finlandë.
93% e finlandezëve diplomohen nga shkollat e mesme akademike ose profesionale, 17.5 pikë përqindje më i lartë se në Shtetet e Bashkuara dhe 66% vazhdojnë arsimin e lartë, shkalla më e lartë në Bashkimin Europian. Megjithatë, Finlanda shpenzon rreth 30% më pak për studentë sesa Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ekziston një mungesë e veçantë e krenarisë në mesin e finlandezëve të famshëm. Ata janë të etur për të festuar kampionatin e tyre të fundit të hokejit botëror, por rezultatet PISA, jo aq shumë. “Ne i përgatitim fëmijët si të mësojnë, jo se si të marrin një provim”, tha Pasi Sahlberg, një ish-mësues i matematikës dhe fizikës, i cili është tani në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të Finlandës.
Mësuesit në Finlandë shpenzojnë më pak orë në shkollë çdo ditë sesa mësuesit amerikanë. Mësuesit përdorin kohën shtesë për të ndërtuar kurrikulat dhe për të vlerësuar nxënësit e tyre. Fëmijët shpenzojnë më shumë kohë duke luajtur jashtë, madje edhe në temperaturat e dimrit. Detyrat e shtëpisë janë të pakta. Shkollimi i detyrueshëm nuk fillon deri në moshën 7 vjeç. “Nuk kemi nxitim”, tha Louhivuori.
“Fëmijët mësojnë më mirë kur janë gati. Pse t’i nxitojmë ata?” Është pothuajse e panjohur që një fëmijë të jetë i uritur ose i pastrehë. Finlanda ofron tre vjet leje lindjeje dhe kujdes ditor të subvencionuar për prindërit dhe në parashkollor për të gjithë 5-vjeçarët, ku theksi është te loja dhe socializimi.
Përveç kësaj, shteti subvencionon prindërit, duke i paguar ata rreth 150 euro në muaj për çdo fëmijë deri sa ai ose ajo të mbushë 17 vjeç. 97% e 6-vjeçarëve ndjekin ciklin parashkollor. Shkollat ofrojnë ushqim, kujdes mjekësor, këshillim dhe shërbim taksi nëse nevojitet. Kujdesi shëndetësor i studentëve është i lirë. Parajsë apo jo?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.