Intervistë me Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana Bank
Tirana Bank, për vitin 2021, shënoi rritje të aktiveve totale me 18%, rritja më e lartë në historinë e bankës.
Në një intervistë për “Monitor”, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Dritan Mustafa, shprehet se banka synon të vijojë rritjen organike edhe në vitin 2022, duke qenë paralelisht e hapur për të marrë në konsideratë mundësi zgjerimi nëpërmjet të blerjeve të reja në tregun financiar.
Ai mendon se sfidat kryesore për bankat këtë vit lidhen kryesisht me pasojat që mund të sjellë në ekonominë reale vala e rritjes së çmimeve, në veçanti të produkteve energjetike.
Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj gjatë vitit 2021? Cilat ishin sfidat dhe arritjet kryesore, për sektorin bankar në tërësi dhe bankën tuaj në veçanti?
Viti 2021 përkoi me 25-vjetorin e aktivitetit të Tirana Bank, që konsiderohet një nga institucionet financiare më të rëndësishme në tregun shqiptar. Gjatë këtij viti, Banka realizoi rritjen më të madhe vjetore të Totalit të Aseteve (+18%) përgjatë historikut të aktivitetit.
Strategjia e zhvillimit ka vijuar të realizohet me sukses, duke raportuar performancë shumë pozitive në indikatorët kryesorë komercialë (Depozita dhe Kredi, në segmentin e klientëve Individë dhe Biznes), me normë rritje më të lartë sesa mesatarja e sektorit bankar lokal.
Kemi rikonfirmuar praninë aktive të bankës sonë në treg, në drejtim të rritjes së bazës së likuiditetit (rritja vjetore +11%), të volumit të transaksioneve, si dhe të qarkullimit monetar, emetimi me sukses, për herë të parë, i bondit afatgjatë korporativ, që janë tregues të qartë të besimit të klientëve tek Banka jonë dhe të strategjisë efektive për rritje të qëndrueshme të aktivitetit.
Tirana Bank është një nga bankat më aktive në drejtim të financimit të ekonomisë lokale (rritja vjetore +21%), në mbështetje të nevojave për kreditim për investime dhe konsum të individëve, si dhe qasje dinamike për financimin e bizneseve në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve, ndërtimit, hotelerisë, si dhe aktivitetet prodhuese dhe përpunuese.
Tregu bankar ka vijuar rritjen dhe performancën pozitive në përgjithësi. Situata relativisht më e qetë, referuar efekteve të pandemisë, mundësoi rikthimin e tendencave për konsum dhe investime nga individët dhe bizneset.
Rritja e kërkesës konsumatore për produkte dhe shërbime qëndron në themel të rigjallërimit dhe rritjes ekonomike në vitin 2021, duke përfshirë edhe rigjallërimin e sektorit të turizmit dhe shërbimeve të lidhura. Situata shumë e favorshme e likuiditetit në tregun lokal u stimulua edhe nga rritja e nivelit të remitancave të emigrantëve, që raportohet të jetë vlera më e madhe e 10 viteve të fundit.
Burimet e furnizimit me energji elektrike dhe rritja e theksuar e kostove përkatëse përbëjnë një sfidë specifike për ekonominë në tërësi në tremujorin e fundit të vitit 2021, në themel të tendencave inflacioniste, të cilat vijojnë edhe gjatë vitit aktual.
Ekonomia botërore po përballet më rreziqe të reja, të lidhura me inflacionin e lartë dhe luftën në Europën Lindore. Çfarë pasojash mund të kenë këto zhvillime në ekonominë shqiptare dhe në sektorin financiar në Shqipëri?
Zhvillimet politike dhe ekonomike aktuale kanë adresuar sfida të rëndësishme, kryesisht të lidhura me nivelin e rritur të inflacionit, si dhe referuar alternativave të furnizimit për lëndët e para, mallrat e konsumit bazë, si dhe për produktet energjetike me origjinë importi.
Rritja e çmimeve të mallrave të konsumit dhe kostove të furnizimit me energji, e cila aktualisht rezulton të jetë tendencë globale, edhe nëse do të jetë me efekte relativisht të shkurtra në kohë, vlerësohet që do të ndikojë në reduktimin e kërkesës konsumatore, apo për investime. Turizmi mund të jetë një nga sektorët me ndjeshmëri të lartë nga kjo situatë, referuar sidomos mungesës së flukseve hyrëse të turistëve me origjinë kryesisht nga Europa Lindore, apo edhe më gjerë.
Për ekonominë lokale, kjo mund të adresojë sfidat e rritjes së pritshme makroekonomike në nivel të reduktuar në vitin 2022. Në mënyrë të veçantë, kriza energjetike, e ndikuar edhe nga thatësira e muajve të fundit, mund të kufizojë aftësinë e Qeverisë Shqiptare për të vijuar mbështetjen e sektorit energjetik, apo ruajtjen të pandryshuar të çmimeve me pakicë, sikurse edhe vijueshmërinë e investimeve publike.
Efekte të pritshme negative nga kjo situatë mund të jenë zvogëlimi i kërkesës konsumatore, si dhe vështirësi të mundshme në aftësinë paguese të kredive, sidomos në segmentet e individëve dhe të biznesit të vogël, që mbeten më të ndjeshme nga koniunktura ekonomike aktuale.
Nisma e Qeverisë Shqiptare për të ofruar garanci sovrane për kreditë bankare në favor të sektorit privat, që operon në fushat e importit të mallrave të konsumit, do të mundësojë hapësira financimi shtesë dhe vijueshmërinë e zinxhirit të furnizimit të tregut lokal me këto produkte.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit gjatë vitit 2022?
Tirana Bank do t’i përmbahet strategjisë së rritjes së aktivitetit. Ne vijojmë të rritemi në mënyrë organike dhe të qëndrueshme, referuar bazës së klientelës dhe depozitave, me përqasje të kujdesshme referuar cilësisë së portofolit të kreditimit, por me orientim të qartë për të vijuar mbështetjen ndaj klientëve të Bankës.
Si pjesë e Grupit Balfin, grupit ekonomik privat më të madh në tregun shqiptar, me prani edhe në rajon, do të vlerësojmë çdo mundësi dhe sinergji biznesi për zgjerimin e aktivitetit të Bankës. Bazuar në situatën e konsoliduar të likuiditetit dhe të kapitalit të Bankës, do të marrim në konsideratë çdo mundësi investimi që do të paraqitet, si rezultat i konsolidimit të tregut bankar apo financiar.
Gjithashtu, do të vijojmë të investojmë në teknologji dhe të adresojmë përpjekjet tona për rritjen e shkallës së penetrimit të klientëve drejt shërbimeve dixhitale, me besimin që kjo është tendencë e pashmangshme globale në industrinë financiare në vitet në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.