Nga 1 janari 2019, norma e kompensimit për prodhuesit bujqësorë nga 20% që është aktualisht bëhet 6%. Shkak për uljen e nivelit të kompensimit u bë dështimi i skemës së re të rimbursimit të TVSH që qeveria nisi të aplikojë pas vitit 2014. Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, e kundërshtoi këtë masë ligjore, duke rekomanduar se Parlamenti mund të korrigjonte skemën e rimbursimit të TVSH-së në vend që të reduktonte përfitimet e kompensimit të fermerëve.
Ligji i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, edhe në paketën fiskale të 2018-s thelloi përjashtimet fiskale.
Hyn në fuqi më 1 janar 2019 aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH në nivelin 6%, për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive. Aplikimi i një shkalle të reduktuar të TVSH në nivelin 10%, për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me autobus me dhjetë vende ose më shumë, vetëm me motor elektrik. Hyn në fuqi përjashtimi nga TVSH-ja edhe atë të furnizimit të makinave bujqësore, i cili aktualisht është furnizim i përjashtuar vetëm në import. Përfshirjen në listën e furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja, edhe të nënkontraktorëve, të cilët nënkontraktohen për kryerjen e një ose disa operacioneve përpunuese.
Hyn në fuqi përjashtimi nga pagesa e TVSH-së në import të lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave me përjashtim të lëndëve të para me përdorim të dyfishtë. Për shkak të shtimit të lehtësive fiskale që ky projektligj synon të mundësojë, parashikohet të ketë një efekt buxhetor në masën minus 300 000 000 lekë, por nga ana tjetër ndryshimet vlerësohet të sjellin efekte pozitive për zhvillimin e sektorëve që stimulohen dhe lehtësohen.
Përfaqësues të disa shoqatave i sugjeruan Komisionit të Ekonomisë aplikimin e shkallës 0% të TVSH-së, jo vetëm për subjektet e autorizuar nën regjimin e përpunimit aktiv, por edhe për nënkontraktorët e tyre, rishikimin e përjashtimit për furnizimin e librit dhe rishikimin e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë bashkë me përjashtimin e TVSH–së për të gjitha inputet bujqësore në import dhe në transaksionet e brendshme.
Furnizimi i inputeve bujqësore siç janë plehrat kimikë, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të NKM-së. Lista e kategorive të inputeve bujqësore përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.