Nga 1 janari i vitit 2014, biznesi, sidomos ai i madh, duhet të bëjë planet duke u bazuar në një sërë ndryshimesh të legjislacionit fiskal, duke filluar që nga tatimfitimi e deri te rritja e akcizës (për ato sipërmarrje që preken), apo dhe shtimin e kostove të karburanteve. E gjithë kjo në një mjedis ku konsumi mbetet i ulët dhe nuk pritet rritje pagash për buxhetorët, çka do të gjallëronte disi blerjet në vend. Por, sipërmarrjet, sidomos ato të fushës së ndërtimit dhe eksporteve, mund t’i gëzohen premtimit të qeverisë se do të shlyejë borxhet e prapambetura dhe do të rimbursojë TVSH-në.
Për bizneset e vogla pritet një periudhë më pozitive, me taksa të lehtësuara’ që mund të shoqërohet me rritje të numrit të bizneseve të vogla në vend, apo dhe tendencë të sipërmarrjeve të mëdha për të copëzuar aktivitetin dhe për të kaluar në të vogla.
Monitor zbardh të gjitha ndryshimet e taksave, në kuadër të një prej paketave më të rëndësishme fiskale të viteve të fundit.
NDRYSHIMET NË LIGJIN PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT
Tatimfitimi për biznesin e madh, 15% nga 1 janari
Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, në Ligjin Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, Neni 28 “Shkalla tatimore” ndryshohet me këtë përmbajtje: “Tatimi mbi fitimin është 15%, nga data 1 janar 2014”.
Sipas financave, ky propozim është në koherencë me formulën e taksimit progresiv në Shqipëri dhe me logjikën që në rast se individi që fiton më shumë, paguan më shumë taksa. E njëjta gjë është edhe me bizneset: bizneset e vogla do të paguajnë 7.5% tatim mbi të ardhurat e tyre personale, ndërsa bizneset e mëdha do të paguajnë 15% tatim mbi fitimin e tyre vjetor të tatueshëm.
Struktura e tatimfitimit në Shqipëri është e ngjashme me atë që shumica e vendeve e quan tatimi mbi të ardhurat e korporatave (Corporate Income Tax). Ndryshimi thelbësor me praktikën ndërkombëtare është se të qenët apo jo subjekt i tatimfitimit në Shqipëri varet nga xhiroja vjetore e biznesit dhe jo nga forma juridike e organizimit të aktivitetit të biznesit. Norma prej 10%, është në fuqi që nga 1 janari 2008. Politika e asaj kohe reflektoi orientimin e këtyre vendeve drejt uljes së barrës tatimore për bizneset, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja, bërjen e rajonit më atraktiv për IHD, si një i tërë dhe uljen e evazionit fiskal.
Sipas relacionit të financave, ende nuk ka një qëndrim unik sesa realisht ulja në nivele kaq të ulëta të kësaj norme ka ndikuar në tërheqjen e investitorëve të huaj në vend, përkarshi përqasjeve: taksa të ulëta versus krahu i lirë i punës në Shqipëri e vendet e Ballkanit Perëndimor.
Po sipas relacionit, sa për uljen e evazionit fiskal, në Shqipëri ky reduktim i taksave nuk e dha efektin e dëshiruar. Nga 2.3% e PPB që ka qenë kjo taksë mesatarisht gjatë 4 viteve para uljes drastike, në 7 vitet e zbatimit të kësaj norme të ulët, të ardhurat nga kjo taksë janë ulur në 1.4% të PPB dhe vetëm për vitin 2013 pritet të jetë 1.1% e PPB.
Financat theksojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu nën “erën” e rritjes së tatimit mbi korporatën p.sh., Serbia do ta rrisë në janar të 2014-s.
Sipas Ministrisë së Financave, masa të tjera administrative do të ndërmerren paralelisht me këtë rritje norme, që të sigurohet mirëmenaxhimi i subjekteve të tatimit mbi fitimin, me qëllim minimizimin e evazionit fiskal për këtë taksë.
Kështu, së shpejti, menaxhimi i tatimpaguesve të mëdhenj do të bëhet nga kompani të veçanta auditimi, të cilat do të përllogarisin detyrimet tatimore në emër të tyre. Kjo masë synon, ndër të tjera, të heqë praktikën disavjeçare në Shqipëri të bizneseve shqiptare, të cilat mbajnë dy bilance, një për shtetin për të paguar taksa dhe një për vete me fitimin e tyre real tregtar.
Efekti financiar në të ardhurat e shtetit për vitin 2014 vlerësohet të jetë 3.5 miliardë lekë.
Destinimi i fitimit, deri më 31 mars
Sipas relacionit të financave, propozohet heqja e detyrimit për mbledhjen e organit vendimmarrës për miratimin e pasqyrave financiare dhe destinimin e fitimit brenda 6 muajve nga mbyllja e vitit financiar. Ky ndryshim është në përputhje me legjislacionin tregtar në fuqi. Propozohet edhe ndryshimi i afatit për dorëzimin e vendimit të organit vendimmarrës të shoqërive tregtare, për destinimin e fitimit pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi, nga data 31 korrik që është aktualisht, në datën 31 mars. Me ndryshimin e propozuar synohet që të ulen barrierat administrative, duke njehsuar momentin e dorëzimit të vendimit të organit vendimmarrës për destinimin e fitimit pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi, me kohën e dorëzimit të pasqyrave financiare pranë organeve tatimore.
Në nenin 33/1 “Depozitimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, ndryshohet me këtë përmbajtje:
“1. Shoqëritë tregtare, sipas ligjit ‘Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare’, të ndryshuar, pas pagimit të tatimit mbi fitimin, sipas dispozitave të kreut III të këtij ligji, duhet të miratojnë në asamblenë e ortakëve apo organin kompetent vendimmarrës të shoqërisë rezultatet financiare të vitit paraardhës dhe ta destinojnë fitimin pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi.
2. Shoqëritë tregtare dhe personat fizikë, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të depozitojnë pranë organeve tatimore, vendimin e organit përgjegjës/vendimin e personit fizik, jo më vonë se data 31 mars. Për paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për çdo muaj vonesë.
3. Personi juridik duhet të derdhë për llogari të organit tatimor tatimin mbi dividendin e pagueshëm, sipas pikës 1 të këtij neni, jo më vonë se data 31 mars, kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit.
4. Vendimi i asamblesë së ortakëve, i organit kompetent të shoqërisë apo vendimi i personit fizik, sipas këtij neni, për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit, duhet të paraqitet në organin tatimor, në përputhje me afatin e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, edhe nëse rezultati për vitin ushtrimor ka qenë me humbje apo zero”. Për mosdepozitimin e vendimit zbatohen penalitetet, sipas pikës 2 të këtij neni.
Taksa progresive në tatimin mbi të ardhurat personale
Një nga zhvillimet kryesore të paketës aktuale është ndryshimi i mënyrës aktuale të tatimit mbi të ardhurat personale të pagës së të punësuarve, nga tatim i sheshtë në tatim progresiv.
“Tatimi mbi të ardhurat personale ka qenë një nga taksat më të goditura nga evazioni fiskal në Shqipëri. Reforma fiskale e vitit 2007 ndryshoi në thelb strukturën e kësaj takse, duke zëvendësuar shkallët progresive të taksimit me një shkallë unike prej 10%, për të gjitha llojet e të ardhurave personale. Të gjitha vendet e rajonit dhe një pjesë e madhe e vendeve të Europës Juglindore aplikojnë taksën e sheshtë.
Megjithëse nuk ka një opinion të konsoliduar mbi efektin e taksës së sheshtë mbi të ardhurat dhe mbi ekonomitë e vendeve që e kanë adoptuar, Shqipëria, në rreth 5 vjet eksperiencë me taksën e sheshtë, ka treguar impakt pozitiv mbi të ardhurat e mbledhura, nga 1.1% e PPB që mbulonte kjo taksë 4 vite para aplikimit të tatimit progresiv, arriti në mesatarisht 2,2% e PPB pas aplikimit të taksës së sheshtë”, thuhet në relacionin e financave.
Sipas tij, formula e aplikuar për tatimin e çdo qindarke të fituar mbi pagën, rëndoi padrejtësisht me taksa të larta të pagave të të punësuarve me të ardhura të ulëta, të tilla si ato të sektorit shëndetësor, të arsimit, të sektorëve prodhues ku përdoret krahu i lirë i punës. Me gjithë diferencën e vazhdueshme me vendet e tjera, raporti ndaj PBB i TAP në Shqipëri ka ndryshuar ndjeshëm, duke arritur pikën më të lartë në 2009 (2.3%). Përpos kësaj, bizneset paguanin taksat mbi paga referuese të vendosura nga qeveria.
Relacioni shpjegon më pas rrugëtimin e tatimit mbi të ardhurat personale:
“Në vitin 2005, kur qeverisja demokratike erdhi në pushtet, e gjeti tatimin mbi të punësuarin me 6 shkallë tatimore dhe me norma tatimore nga 5% deri në 30%.
Ndër politikat e para të taksave që ndërmori qeveria ishte ulja e normës së tatimit të të punësuarit, për këtë arsye në fund të muajit dhjetor u reduktuan normat e tatimit nga 5 në 6 dhe u ulën normat e tatimit duke i bërë nga 1% deri në 20%. Pas dy vitesh, në korrik të vitit 2007, u prezantua taksa e sheshtë 10% tatim për të gjithë të punësuarit. Pse? Për dy arsye sociale dhe ekonomike:
-Aplikim i taksës së sheshtë për të ulur informalitetin në tregun e punës në Shqipëri;
-Aplikim i taksës së sheshtë për të qenë në koherencë me politikat tatimore rajonale për të tërhequr investitorët e huaj.
Për më tepër, për të vazhduar më tej me uljen e taksave, incentiva më e fundit ishte ajo e muajit maj 2013, që gjithë të punësuarit me pagën në dhe nën 30 mijë lekë, të përjashtohen nga pagimi i taksës 10%.”
Relacioni i financave thekson se ky lloj tatimi i sheshtë nuk arriti asnjë nga synimet e tij. “Evazioni fiskal dhe puna e zezë janë ende, edhe më shumë se kurrë sot, gangrena e politikës fiskale dhe zhvillimit të vendit”.
Në 8 vite nuk është bërë një studim, qoftë edhe i vetëm, i cili lidh rritjen e investimeve në Shqipëri me taksën e sheshtë për sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale.
Nga pikëpamja fiskale, financat theksojnë se punëdhënësi është thjesht agjent tatimor për mbajtjen nga paga të tatimit prej 10% të të punësuarit, tatim të cilin e derdh në llogari të administratës tatimore. Pra, nuk është kosto e biznesit ky lloj tatimi.
Formula e propozuar nga financat për zëvendësimin e taksës së sheshtë me tatim progresiv, mban në konsideratë programin e qeverisë që 5% e të punësuarve në vend do të tatohen më shumë.
Taksimi progresiv konsiston në:
Të punësuarve me pagë deri në 30 mijë lekë në muaj, nuk u ndryshon sistemi i taksimit; ata mbeten të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale.
Paga 30 mijë lekë/muaji shërben si prag i parë i tatimit progresiv;
Pragu i dytë i prezantuar në formulë është paga mujore prej 100 mijë lekësh. Të punësuarit në Shqipëri, të cilët deklarojnë pagë mbi 100 mijë lekë/muaj përbëjnë 4.65% të totalit të të punësuarve.
Në këtë pagë, pra të punësuarit me pagë nga 30 001 lekë/muaj deri në 100 mijë lekë muaji, tatimi do të jetë 15% e diferencës së pagës me pragun e parë 30 mijë lekë, ndërsa të punësuarit me pagë mbi 100 mijë lekë do të kenë tatimin 10,500 lekë plus 20% të diferencës së pagës me pragun 100 mijë lekë.
Tabela e tatimit mbi të ardhurat nga paga:
Ishte:
Tabela nr. 1. Tabela për tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi.
E ardhura e tatueshme
(në muaj) |
Përqindje |
|
Mbi (lekë) | Deri në (lekë) | |
0 | 30.000 | zero për qind |
30.001 + | Më tepër | + 10 për qind të shumës mbi 0 lekë |
Bëhet:
Tabela nr. 1. Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi.
E ardhura e tatueshme
(në muaj) |
Përqindje |
|
Mbi (lekë) | Deri në (lekë) | |
0 | 30.000 | zero për qind |
30.001 | 100.000 | + 15 për qind të shumës mbi 30.000 lekë |
100.001 | Më tepër | 10.500 lekë + 20 për qind të shumës mbi 100.000 lekë |
Efektet financiare në buxhetin e shtetit, duke pasur parasysh të dhënat e vitit 2013, parashikohen rreth minus 0.8 miliardë lekë.
Maksimumi i normës efektive të tatimit nuk e kalon normën e tatimfitimit (15%).
Sipas këtij skenari, norma efektive e kalon masën 10% për pagat mbi 100 000 lekë. Kjo do të thotë se pagat nën 100 000 lekë do të taksohen më pak se me skemën aktuale dhe ato më të larta se 100 000 më shumë. Intervali i pagave 90 000-100 000 do të ketë normë efektive taksimi të njëjtë me taksimin aktual, prej 10%. Norma efektive llogaritet si përqindje mesatare e taksimit për intervalin më të ulët (lower bound).
Norma efektive e takës progresive:
0-30 000: 0 për qind
30 001-90 000: <10 për qind
90 001-100 000 = 10 për qind
Mbi 100 001: >10 për qind
Mbi 190 001 = 15 për qind
Përqindja e të punësuarve sipas intervaleve të taksimit:
Intervalet | Numri | Në % ndaj totalit |
0-30 000 | 241,281 | 56.4 |
30 001-90 000 | 160,755 | 37.6 |
90 001-100 000 | 6,115 | 1.4 |
100 001- | 19,683 | 4.6 |
Në draftimin e kësaj formule taksimi, ekspertët e Ministrisë së Financave konsultuan modelet e taksës progresive që aplikohet në disa vende të BE–së dhe ekspertët e FMN-së.
Transaksionet e tokës bujqësore përjashtohen nga tatimi
Një tjetër ndryshim në projektligjin për tatimin mbi të ardhurat propozon përjashtimin nga çdo lloj transaksioni të shitjes së tokës bujqësore nga një fermer te fermeri tjetër. Aktualisht, në nenin 8/1 të ligjit janë të përjashtuar nga pagesa e tatimit 10% vetëm rastet e shitjes së tokës bujqësore, ndërkohë që transaksioni i shitjes së tokës bujqësore përfshin dhurimin e tokës bujqësore nga fermeri te fermeri.
Sipas përjashtimit ekzistues, në rast se fermeri e shet tokën bujqësore te një fermer tjetër, nuk paguan tatimin 10% nga të ardhurat e përfituara nga fitimi i realizuar, ndërsa në rast se ia dhuron fëmijës së tij, po fermer, duhet të paguajë tatimin 10%. Për të rregulluar këtë transaksion nga pikëpamja fiskale, propozohet ndryshimi i termit “shitja” me termin “transaksioni i kalimit të së drejtës së pronësisë”.
TAKSAT VENDORE
Si ndryshon taksa për biznesin e vogël
Ndryshimi kryesor në projektligjin për taksat vendore konsiston në shfuqizimin e taksës së biznesit të vogël dhe ndryshimin e mënyrës së tatimit. Aktualisht, për këto subjekte aplikohet shkalla tatimore 10% e tatimit mbi të ardhurat personale dhe i kreditohet taksa e biznesit të vogël që është paguar në bashki dhe komuna. Në ligjin për sistemin e taksave vendore është propozuar heqja e taksës së biznesit të vogël. Ky propozim/shfuqizim takse shoqërohet me ndryshimin në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, në dispozita ligjore që lidhen me kreditimin e taksës së biznesit të vogël. Përpos kësaj, shkalla tatimore ulet nga 10% në 7.5%.
Sipas relacionit të financave, aktualisht në Shqipëri zhvillojnë aktivitet si subjekte të biznesit të vogël rreth 60 mijë tatimpagues. Ndër vite, taksa e biznesit të vogël e ka humbur rëndësinë e saj dhe është shndërruar në një barrë të tepërt tatimore për këtë kategori biznesesh.
Nga pikëpamja fiskale, pagimi i kësaj takse tek bashkitë dhe komunat dhe më pas kreditimi i saj në administratën qendrore tatimore, në funksion të Tatimit të të Ardhurave Personale ka rritur abuzivizmin, nënraportimet, duke e bërë tatimin mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël si një tatim josolid në sistemin fiskal.
Për këtë arsye, tatimi mbi të ardhurat personale i biznesit të vogël në normën prej 7.5% e fitimit të tatueshëm (diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve të njohura fiskalisht) do të konsolidojë këtë taksë, duke e pastruar nga kreditimi i taksës së biznesit të vogël, si dhe i ofron lehtësi tatimore kësaj kategorie.
Përpos kësaj ka ndryshime thelbësore në mënyrën e llogaritjes dhe pagesës së kësaj takse. Gjithashtu, kjo taksë do të jetë taksë vendore dhe do të mblidhet nga administrata tatimore qendrore për llogari të administratës lokale.
Shembulli i financave: Si do të ndryshojë taksimi mbi biznesin e vogël
Ministria e Financave, në relacionin e saj për taksat vendore ka shpjeguar se si do të funksionojë konkretisht taksimi për biznesin e vogël (heqja e taksës fikse dhe ulja e tatimfitimit në 7.5%).
Sot një biznesi i vogël paguan:
1. Taksa mbi biznesin e vogël, që varion sipas xhiros vjetore dhe llojit të qarkullimit
2. Taksa mbi të ardhurat personale 10%
Shembull: Farmacia
Sot, një farmaci me xhiro vjetore 7.2 milionë lekë, paguan 162 mijë lekë, taksa vjetore e biznesit të vogël tek bashkia apo komuna, në katër këste tremujore. Në fund të vitit, farmacia dorëzon te Tatimet qendrore pasqyrën me të ardhura dhe shpenzime, diferenca i tatohet me 10% dhe tatimin mbi të ardhurën personale për ta paguar e ka 73 mijë lekë. Tatimit prej 73 mijë lekësh i zbritet taksa që ka paguar tek bashkia prej 162 mijë lekësh dhe farmacia merr rimbursim 89 mijë lekë.
Çfarë do të ndodhë me sistemin që propozohet
1. Heqja e taksës së biznesit të vogël
Marrim përsëri shembullin e farmacisë
Farmacia me xhiro vjetore 7.2 milionë lekë nuk do të paguajë 162 mijë lekë, taksë vjetore e biznesit të vogël tek bashkia apo komuna. Në bazë të pasqyrës së tij të të ardhurave dhe shpenzimeve, diferenca do t’i tatohet me vetëm 7.5%, pra 54 mijë lekë, të cilat do t’i paguajë me 4 këste gjatë vitit.
Kështu, biznesi i vogël nuk ka më dy administrata tatimore për të cilat paguan për të njëjtin aktivitet, por do të paguajë vetëm tek administrata tatimore qendrore. Përveçse taksës më të ulët, më pak kohë fizike dhe kosto monetare duhet të harxhojë kjo kategori biznesi për pagim taksash.
Efekti negativ në të ardhurat e qeverisjes vendore vlerësohet të jetë rreth 2 miliardë lekë, i cili do t’i kompensohet me tatimin mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël, në masën 1.2 miliardë lekë, të cilin do ta mbledhë administrata tatimore qendrore për llogari të pushtetit vendor dhe 700 milionë lekë nga rritja e transfertës së pakushtëzuar.
Rishikimi i taksës së ndërtesës
Në Shqipëri, baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi. Kategoritë minimale të ndërtesave, për efekt të bazës së taksueshme, jepen në aneksin 1, që i bashkëlidhet ligjit të taksave vendore. Për çdo kategori minimale të ndërtesave, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategorizime të ndërtesave, që ndodhen brenda territorit që mbulon.
Taksa mbi ndërtesat është një taksë e konsoliduar në sistemin tatimor vendor. Fillimet e kësaj takse i hasim që në Ligjin Nr. 7805, datë 16.3.1994 “Për tatimin mbi pasurinë në Republikën e Shqipërisë”. Taksa mbi ndërtesën është një taksë me karakter vendor dhe me mjaft peshë në totalin e të ardhurave të pushteteve lokale në vendet e zhvilluara.
Taksa e pasurisë në Shqipëri është trajtuar në vlerë për m², duke përgjithësuar të gjithë taksapaguesit me të vetmin përjashtim për ndërtesat e banimit në vitin e prodhimit të tyre viti 1993, dhe diferencimin e aktiviteteve tregtare që ushtrohen në pasuritë e taksueshme.
Niveli i taksës së pasurisë në Shqipëri është shumë i ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Përveç të tjerave, këtu ka ndikuar edhe mosindeksimi i nivelit të kësaj takse, në kuptimin që vlera e pasurisë shtohet çdo vit, ndërsa niveli i taksimit të saj është fiks m² dhe i paindeksuar.
Sipas vëzhgimeve të kryera në disa vende, kjo taksë aplikohet mbi vlerën reale të pasurisë (duke përfshirë dhe vlerën e truallit në shumë raste) duke krijuar kështu një shpërndarje të drejtë tatimore.
-Italia:Niveli i Taksës së pasurisë varion nga 0.4% deri në 0.7% të vlerës fiskale të pasurisë.
-Rumania: Për ndërtesat e banimit, taksa është 0.2% e vlerës së pasurisë për qytetet dhe 0.1% për zonat jourbane dhe për kompanitë kjo taksë varion nga 0.5% deri në 1% e vlerës kontabile të pasurisë. Taksa e truallit në Rumani është një taksë më vete dhe është në shumë fikse për m², bazuar në vendndodhjen e saj
-Bulgaria: Niveli i taksës është 0.15% e vlerës së pasurisë
Synimi i qeverisë është rishikimi i sistemit të taksimit të ndërtesës të lidhur me vlerën e pasurisë sipas praktikave ndërkombëtare të aplikimit të këtij taksimi. Mirëpo në kushtet aktuale ka një mungesë të theksuar administrimi në mbledhjen e kësaj takse nga njësitë e qeverisjes vendore, sidomos për taksat e ndërtesës që përdoren për qëllime banimi. Për këtë arsye, fillimisht me këtë projektligj propozohet heqja e vitit të ndërtimit të ndërtesës si vit ndarës i taksimit dhe njehsimit të taksës së ndërtesës së ndërtuar para vitit 1993 me atë të ndërtesës së ndërtuar pas vitit 1993, si dhe një rishikim i nivelit të taksës së ndërtesës për qëllime biznesi me dyfishim.
Kjo reformë do të gjenerojë rreth 1.1 miliardë lekë në buxhetet e njësive të qeverisjes vendore.
Paralelisht qeveria është duke ripunuar dhe me modelin e taksimit të taksës së ndërtesës sipas vlerës së tregut, reformë kjo e cila do të prezantohet në vitet në vijim.
“Personat fizikë, të cilët kanë më shumë se një shtëpi, për shtëpinë të cilën e kanë banimin e zakonshëm paguajnë taksën e ndërtesës sipas Tabelës 1, ndërsa për të gjithë shtëpitë e tjera taksa e ndërtesës është sa dyfishi i taksës së ndërtesës që aplikohet në zonën ku ndodhet kjo ndërtesë,” thuhet në relacionin e financave.
Tabela Nr. 1
Nivelet treguese të taksës së ndërtesës dhe truallit
Bashkitë | |||
Zona 1
Tiranë Durrës |
Zona 2
Vlorë Fier Sarandë Pogradec Korçë Elbasan Berat Lushnjë Gjirokastër Shkodër Kavajë Lezhë |
Zona 3
Të gjitha bashkitë e tjera |
|
Lekë/m2 në vit | |||
I. Ndërtesa banimi | 30 | 12 | 6 |
II Ndërtesa të tjera | |||
– Për tregti dhe shërbime | 400 | 300 | 200 |
– Të tjera | 100 | 60 | 40 |
III. Ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistike.
|
400 | 400 | 400 |
Shënim I: Nivelet treguese të taksës, dhënë në tabelë, janë të vlefshme për ndërtesat në zonat urbane (bashkitë), si dhe për ndërtesat në të gjithë zonat (urbane dhe rurale) të seksionit III të tabelës “Ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistike”.
Shënim II: Në zonat rurale (komunat), niveli tregues i taksës për çdo kategori minimale të ndërtesës (përjashtuar seksionin III) është sa një e dyta e nivelit tregues përkatës të kategorisë minimale të ndërtesës në bashkitë qendër rrethi, në të cilat ndodhet komuna.
AKCIZA
Si do të ndryshojnë nivelet
Ndryshimet në projektligjin për akcizën synojnë rishikimin e niveleve të akcizës për një grup të gjerë produktesh, konkretisht; cigaret, duhanin e dredhur, birrën, pijet alkoolike dhe kafenë, si dhe ndryshime të tjera ligjore që ndihmojnë administrimin më efektiv të akcizës.
Më konkretisht:
1. Propozohet rritje e akcizës së cigareve nga 70 lekë/paketa në 90 lekë/paketa, më 1 janar 2014 dhe në 100 lekë/paketa në 2015-n, 110 lekë/paketa në 2016 dhe 120 lekë/paketa në vitin 2017.
Në Shqipëri, rritja e akcizës ka qenë graduale ndër vite, kështu nga 40 lekë paketa u kalua në 50 lekë paketa (viti 2006) dhe nga 50 lekë paketa u kalua në 70 lekë paketa (viti 2010). Rritja e akcizës të të tilla produkteve shoqërohet me rritjen e kontrabandës, fenomen ky që shoqëron gjithnjë të tilla produkte. Për këtë arsye, në draftin e financave propozohet që rritja e akcizës së cigares të bëhet në mënyrë progresive me rritje 20 lekë/paketa në vitin 2014 dhe me rritje 10 lekë/paketa në vitet në vijim, derisa të arrihet në standardin e BE-së, sipas progresivitetit të mëposhtëm:
4500 lekë/1000 copë në 1 janar 2014
5000 lekë/1000 copë në 1 janar 2015
5500 lekë/1000 copë në 1 janar 2016
6000 lekë/1000 copë në 1 janar 2017
Sipas Direktivës së BE-së, niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57% e çmimit të shitjes me pakicë. Në nivelin aktual të akcizës, Shqipëria e ka 34% të çmimit të shitjes me pakicë. Nga krahasimi me vendet e rajonit rezulton se Shqipëria ka nivel të krahasueshëm të akcizës me vendet e rajonit. Kështu, Kosova e takson cigaren me 70 lekë/paketa sa dhe ne, Mali i Zi e takson duhanin me 49 lekë për paketë; Maqedonia takson duhanin me 76 lekë për paketë; ndërsa Serbia e takson duhanin me 92 lekë për paketë.
Rritja e akcizës mbi cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës për vitin 2014 parashikohet të jetë rreth 3.3 miliardë lekë, dhe 1,7 miliardë lekë në tre vitet në vijim nga rritja me 10 lekë/paketa. Si bazë për llogaritjen e efekteve është marrë konsumi vjetor prej 36000 tonë cigaresh.
2. Propozohet rritje e akcizës së duhanit të dredhur nga 1500 lekë/kg në 3000 lekë/kg, pra dyfishim i akcizës.
Akciza e duhanit të dredhur nuk ka ndryshuar prej vitesh në Shqipëri. Bëhet fjalë për një produkt me trend rritës të konsumit, si me origjinë importi ashtu edhe prodhimi vendas. Tashmë tregtimi i duhanit me të dredhur është më i kontrollueshëm, pas vendosjes së detyrimit të pajisjes me pullë akcize. Nga ana tjetër, ka një diferencë shumë të lartë (të pajustifikuar) midis akcizës që paguan ky produkt dhe akcizës së cigareve. Propozohet rritje e akcizës së duhanit me të dredhur në 3000 lekë për kg (nga 1500 aktuale) dhe rritje vjetore nga 700 lekë për 3 vitet në vijim. Efekti në të ardhura vlerësohet në rreth 200 milionë lekë për vitin 2014;
Efekti pozitiv në të ardhurat nga kjo rritje akcize vlerësohet të jetë rreth 200 milionë lekë në vit.
3. Rritje e akcizës për pijet alkoolike dhe verën
Propozohet një rritje prej 30% (sipas intervaleve që përcakton ligji i akcizave) për: vera e qetë dhe pijet e qeta të fermentuara (NK W200); Pije të tjera alkoolike (NK S200); Rakia (S400);
Rrjedhimisht, si pasojë e këtij ndryshimi të propozuar dhe me qëllim listimin më të saktë të produkteve të akcizës sipas Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave propozojmë të ndryshohet niveli i akcizës edhe për kategorinë W300 dhe I 000 nga 2000 lekë/HL në 5200 lekë/HL, që akciza për këto kategori verërash të jetë të paktën e njëjtë me atë të verërave të qeta të prodhuara apo importuara nga prodhues vendas apo të huaj, niveli vjetor i të cilëve nuk i kalon 10 000 hektolitra, për të krijuar koherencë dhe trajtim të barabartë mes prodhuesve apo importuesve të kategorisë më të vogël se 10 000 hektolitra në vit.
Efekti pozitiv në të ardhurat nga kjo rritje akcize vlerësohet të jetë rreth 100 milionë lekë në vit.
4. Propozohet ristrukturim dhe ndryshim nivelesh të akcizave për birrën.
Lidhur me produktin e birrës, legjislacioni europian ka një kuadër të qartë taksimi për këtë produkt. Legjislacioni i harmonizuar komunitar përbëhet nga dy Direktiva të Këshillit, Council Directive 92/83/EEC dhe 92/84/EEC Council Directive 92/83/EEC.
Neni 3 i Direktivës përcakton se:
Që nga 1 janari 1993, niveli minimal i akcizës për birrën është:
– EUR 0,748 për hektolitër/gradë Plato,
ose
– EUR 1,87 për hektolitër/gradë alkooli të produktit final (afërsisht 261 lekë/HL/gradë alkool)
Aktualisht, taksimi i birrës në Shqipëri është bërë bazuar në 4 pragje (nivele prodhimi) dhe 4 norma të ndryshme taksimi.
Kriteret për skemën e re të propozuar:
• Tarifa e reduktuar nuk mund të aplikohet për sasi prodhimi më të mëdha se 200,000 hl në vit;
• Tarifa minimale EUR 1,87 për hektolitër/gradë alkooli të produktit final
Skema e propozuar
1. Një prag i vetëm: nen 200,000 HL dhe mbi 200,000 HL në vit (për vendas dhe import)
2. Niveli i shprehur sipas Direktivës, lekë/HL/gradë alkool
-nga prodhues vendas e të huaj me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit: 310 lekë/HL/gradë alkool
-nga prodhues vendas e të huaj me sasi më të madhe se 200 000 HL në vit: 710 lekë/HL/gradë alkool
Me këtë ristrukturim të niveleve të akcizës rezulton se akciza e birrës vendase rritet 29%, ndërsa birra e importit rritet me 19%. Aktualisht, birra vendase paguan 1080 lekë/Hl, ndërsa birra e importit paguante rreth 2800 lekë/hl.
Efekti vjetor pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë 315 milionë lekë.
5. Propozohet ndryshimi i nivelit të akcizës në lidhje me produktin “graso”.
Sipas shtojcës 1 të ligjit 61/2012 datë 24.5.2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, për produktin “graso” nuk është parashikuar akcizë. Problematika lidhet me prodhimin vendas, ku mbi 65% e vajit të bazës të importuar në Shqipëri nga prodhuesit vendas të vajit lubrifikant (produkt ky me akcizë 40 lekë/kg) deklarohet i përdorur për prodhimin e grasos, e cila është pa akcizë, çka përbën mundësi të madhe për shmangie nga pagimi i akcizës (deklarim se nga përpunimi i vajit bazë prodhohet graso dhe jo vaj bazë). Kjo ndodh pasi graso, prodhohet nga të njëjtat lëndë të para dhe nga i njëjti proces teknologjik si edhe vaji bazë.
Propozohet vendosje e akcizës për artikullin “graso” në masën 40 lekë/për kg, duke e barazuar kështu me vajin bazë. Efekti shtesë në të ardhura 130 milionë lekë
Propozime të tjera janë:
Heqja e përjashtimit nga akciza të importit të lëndëve djegëse që shoqëritë hidrokarbure përdorin për nevojat e veta, me qëllim shmangien e abuzimeve me këtë përjashtim, duke importuar lëndë djegëse pa taksa dhe duke i shitur në treg.
Për vitin 2012, kompanitë hidrokarbure kanë marrë përjashtimin nga akciza në shumën 4.7 miliardë lekë, ndërsa për 10-mujorin 2013, përjashtimi nga akciza i lëndëve djegëse që përdorin për nevojat e veta ka qenë 5.3 miliardë lekë. Efekti i vlerësuar në buxhet 2014, është vënë 3.5 miliardë lekë.
TAKSAT VENDORE
Taksa e qarkullimit për naftën e benzinën, 17 lek/litër
Ndryshimi kryesor në ligjin për taksat kombëtare lidhet me taksën e qarkullimit për automjetet.
Sipas draftit, “Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 17 lek/litri për benzinën dhe 17 lek/litri për gazoilin.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.