Tregjet shqiptare janë përfshirë së fundmi nga një ofertë jo e zakontë për shitje, teksa interesi për të blerë mungon. Rënia e normave të fitimit, maturimi në disa sektorë, mungesa e financimeve bankare nga njëra anë, bashkë me rritjen e taksave, efektet e formalizimit dhe rritjen e tarifave dytësore nga ana tjetër, e kanë vështirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe për rrjedhojë, ka rritur numrin e kompanive në shitje si asnjëherë më parë në këto dy dekadat e fundit.
Planet e shitjes kanë përshirë sektorët e mëdhenj të ekonomisë si bankat, telekomunikacionet, kompanitë e sigurimit, koncesionarët e naftës dhe disa linja të industrisë së përpunimit.
Në fillim të këtij viti u largua Sheraton Albania, hoteli me pesë yje. Sipas bilancit të konsoliduar të Mak Albania, – që përfshin Mak Albania Construction, Chateu Linza, Mak Travel dhe Sheraton Tirana Hotels & Towers, ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania, e përqendruar në hoteleri e turizëm, rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.
Në fund të vitit të kaluar, frekuencat e kompanisë së shërbimeve celulare Plus Communication iu shitën dy operatorëve më të mëdhenj të fushës, Vodafone dhe Telecom Albania. Lëvizjet në sektorin e telekomunikacioneve nuk kanë mbaruar, pasi një tjetër operator mësohet se ka nisur procesin e Due Diligencë dhe po negocion me blerës nga rajoni.
Një vit më parë, një nga kompanitë më të mëdha në vend, Bankers Petroleum, u shit te një grup kinez “Geo Gade”. Disa linja të industrisë përpunuese, si fabrikat e miellit dhe ato të birrës janë në shitje prej vështirësive që po sjell konkurrenca nga importet. Ndërsa më shumë se 106 mijë biznese të shitjes me pakicë kanë kaluar në regjistrin pasiv, ku në rastin më të mirë, presin të shiten, por shumica e tyre kanë falimentuar për shkak të rënies së konsumit dhe efekteve që dha formalizimi. Mbiinvestimet në disa sektorë dhe shfrytëzimi i ulët i tyre pas krizës së vitit 2008 kanë nxitur shitjet e bizneseve.
Sektori me më shumë lëvizje për momentin janë bankat. Në shtator, pritet që të përfundojë bashkimi i Intesa Sanpaolo Bank Albania (ISBA), me Banën Veneto, pas një procesi përthithjeje të ISBA në linjë me të njëjtën procedurë të bankave mëmë në Itali. Integrimi, sipas planit, do të zbatohet nëpërmjet bashkimit të Veneto Banka Sh.a me Intesa Sanpaolo Banka Albania, bazuar në qasjen e kontabilitetit të “bashkimit të interesave”, duke qenë se të dyja kompanitë janë nën kontrollin e përbashkët të të njëjtit aksioner të vetëm.
Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI) ka blerë Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG Albania), një proces që është finalizuar tashmë. Sipas rezolutës së përthithjes, ABI Bank do të jetë aksioneri i vetëm i bankës NBG Albania dhe të dyja bankat do të bashkohen me njëra-tjetrën, përmes përthithjes së Bankës NBG Albania nga ABI Bank. Pas miratimit paraprak të përthithjes nga Banka e Shqipërisë, të dyja entitetet do të shndërrohen në një të vetëm, të emërtuar Banka Amerikane e Shqipërisë, ndërsa NBG do të pushojë së ekzistuari.
Banka e Pireut në Greqi ka njoftuar zyrtarisht në fillim të gushtit se ka hyrë në një marrëveshje me Grupin Balfin dhe Komercijalna Banka, për shitjen e aksioneve të degës së saj në Shqipëri, Tirana Bank. Shuma totale në konsideratë arrin në 57.3 milionë euro për 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank.
Société Générale ka njoftuar se ka hyrë në marrëveshje për të shitur paketën e saj kontrolluese të aksioneve në Société Générale Albania (SGAL) tek OTP Bank. Mbyllja e këtij transaksioni pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, subjekt i miratimeve nga autoritetet bankare dhe të konkurrencës, dhe miratimit të palëve të tjera të lidhura, tha banka në një njoftim zyrtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.