Pritshmëritë e biznesit për ndërmarrjen e lehtësive fiskale në fushën e turizmit janë zbehur. Ulja e TVSH-së nuk u përfshi në Paketën Fiskale 2016, ndërsa shpresohet që të realizohet brenda këtij mandati. Kalimi i taksës së fjetjes në fikse nga me përqindje, edhe pse konsiderohet si një masë pozitive për të luftuar evazionin fiskal, mendohet se do të rrisë deri në 7% barrën e rreth 80% të hoteleve
Qeveria duket se ka lënë tërësisht në hije turizmin, një sektor që kontribuon direkt dhe indirekt në rreth 17% të PBB-së. Lobimi gati pesëvjeçar nuk ka arritur të jetë i suksesshëm, edhe pse pritet “fishkëllima e fundit e arbitrit”, që në këtë rast është fundi i mandatit. Reduktimi i TVSH-së nuk është përfshirë në Paketën Fiskale të 2016-s. Në lidhje me këtë, Shoqata Shqiptare e Turizmit deklaroi se qeveria e ka bërë premtimin për rishikimin e kësaj takse, duke qenë e ndërgjegjshme për marrëveshjen me FMN-në dhe si e tillë nuk pranohet si justifikim. Drejtuesit e ATA-s thonë se nivelet e rishikuara të TVSh-së në hoteleri do të stimulonin shtrirjen e pagesave në më shumë subjekte hotelerike në vend, të cilat kryejnë aktivitet gjithëvjetor ose sezonal.
Por, edhe kalimi në taksë fikse për fjetjen në hotel ka shkaktuar një sërë diskutimesh, pasi argumentohet se kjo do të rrisë barrën fiskale në afërsisht 6-7%.
Flet Zak Topuzi, Sektori i Hotelerisë ATA
Turistit nuk i jepet asnjë shërbim nga taksa që mblidhet
Në Paketën Fiskale të vitit të ardhshëm është parashikuar që të ndryshojë një nga taksat vendore, siç është ajo e fjetjes në hotel duke u bërë me bazë fikse, cili është komenti juaj?
Ne kemi qenë të përfshirë në diskutimet për Paketën Fiskale 2016 me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes gjatë hartimit të një materiali ku flitej për reduktimin e TVSH-së dhe për bërjen fikse të taksës së fjetjes. Të dy këto propozime kanë qenë pjesë e materialit kryesor që përgatitën edhe ekspertët e Universitetit të Harvardit e që i janë dorëzuar qeverisë si masa emergjente për ta kthyer industrinë e turizmit në prioritare dhe të qëndrueshme. Ne si shoqatë kemi mbajtur qëndrim pro për kalimin e taksës së fjetjes nga me bazë përqindje në fikse, pasi është më e thjeshtë për t’u mbledhur, por ajo duhet të ishte e përshkallëzuar. Logjika ka të bëjë me faktin se ajo nuk mund të jetë e njëjtë si për hotelet në Tiranë, ashtu edhe zonat rurale apo në bregdet ku çmimet ndryshojnë. Vendosja e një takse të tillë penalizon rreth 82% të industrisë së akomodimit. Kjo është një taksë që paguhet nga turisti, por përfshihet brenda çmimit dhe tek e fundit duhet të konvertohet në shërbime. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë që nuk ofron shërbime për turistin, as minimalet.
Rishikimi i kësaj takse është një masë e nxituar që rrit barrën fiskale dy deri në tre herë. Aktualisht kjo taksë llogaritet nga 3-5% dhe shpesh krijonte probleme në mbledhje për shkak të interpretimit të çmimit. Propozimi për ta kthyer në taksë fikse të papërshkallëzuar është penalizues për industrinë. Në Shqipëri turisti nuk merr asnjë shërbim, madje as në Tiranë, ku mungojnë zyrat e dedikuara të informacionit, ku nuk mund të merret asnjë hartë falas, etj.
Ne si shoqatë kemi kërkuar shpesh që të paktën në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit të kishte një kënd me standarde europiane për turistët, por ende nuk është bërë asgjë. Është jashtë çdo logjike ekonomike që turistit t’i merret 1 euro taksë për fjetje dhe të mos i jepet asnjë shërbim. Për këtë arsye ne argumentojmë se kjo ishte një masë e parakohshme dhe që kërkonte më parë përgatitje.
Pra, për sektorin formal të akomodimit, nuk ka ulje të barrës fiskale?
Nuk mund të flitet për ulje të barrës, por për rritje të saj. Tatimfitimi është rritur (15%), çmimi i energjisë po kështu (me rreth 48%) dhe së fundmi vjen edhe kjo masë. Po të bësh një bilanc, me 15% tatim fitimi i bie rreth 2.5% e çmimit të dhomës që biznesi i paguan taksë shtetit. Me këtë taksë fjetjeje, turisti i bie të paguajë 10-15% të çmimit të dhomës, pra turisti paguan 4 herë më shumë shtetin sesa vetë biznesi i paguan atij. Pra, ka një mungesë të plotë të logjikës ekonomike, mungon analiza e plotë. Në këto kushte, turizmi nuk po trajtohet si një industri që siguron të ardhura dhe punësim. Në kushtet e sotme mund të thuhet se është në kufijtë e mbijetesës ekstreme kur rajoni është duke avancuar me hapa të mëdha dhe duke zbatuar porositë që jep BE-ja në kushtet e krizës. Këto vende janë duke investuar për turizmin, janë duke i ndihmuar me politika fiskale. Gjatë tre viteve të fundit, Organizata Botërore e Turizmit ka arritur në përfundimin se turizmi dhe bujqësia janë dy shtyllat kryesore, mbi të cilat është mbështetur rikuperimi i ekonomisë. Një nga rekomandimet e OBT-së drejtuar qeverive ka qenë ndërmarrja e stimujve fiskalë për të mbështetur turizmin. Edhe në vende si Anglia, që zbaton çmime të larta në hotele, qeveria ka ndikuar për të ulur taksat me qëllim që të rritet punësimi.
Si qëndron Shqipëria sa i përket taksës së fjetjes në raport me rajonin, sa është ky nivel?
Në raport me rajonin, sërish ne kemi barrën më të lartë. Mal i Zi zbaton një taksë fjetjeje që llogaritet në 0.8 euro për person, por flasim për një shtet që ka një turizëm të qëndrueshëm, që ka politika fiskale, hotele të standardizuara dhe emra nga më të njohurit në botë. Gjithashtu hotelet janë të strukturuara mirë dhe që punojnë me turizëm elitarë edhe në sezonin e pikut. Çmimet e larta në hotelet me katër apo pesë yje sigurojnë një shërbim maksimal dhe taksa e fjetjes nuk ndihet.
Kroacia e ka këtë taksë nga 0.3 euro në 1 euro dhe sërish këtu standardi është shumë i lartë. Ka hotele dhe resorte të rikonstruktuara, por edhe ndërtime të reja. Falë standardeve të caktuara, Kroacia arrin të thithë një pjesë të mirë të turizmit elitar të të gjithë Mesdheut.
Kosova e ka 0.8 – 1 euro për hotelet me pesë yje, ndërsa nuk zbaton taksim për hotelet e tjera.
Greqia zbaton një taksë fjetjeje në 0.5 euro për person dhe kjo është një shifër minimale.
Maqedonia e llogarit nga 0.7 euro në 1.5 euro, por shteti zbato një politikë tejet favorizuese me politika subvencionimi, veçanërisht për agjencitë. Ndërsa Shqipëria deri tani ka zbatuar një taksë në nivelin 5%.
Pra, ajo që mund të themi është se ka forma nga më të ndryshmet për të stimuluar turizmin.
Mungesat e politikave lehtësuese e rendisin shpesh Shqipërinë shumë më ulët se fqinjët kur vjen puna tek indekse të ndryshme, siç është edhe ai i Konkurrueshmërisë në turizëm ku vendi ynë ka humbur pozicione në vitet e fundit.
Nga ana e drejtuesve të institucioneve të turizmit është argumentuar se taksa e fjetjes nuk mund të bëhej e përshkallëzuar, pasi nuk kemi ende sistemin e klasifikimit dhe certifikimit të njësive akomoduese, cili është opinioni juaj?
Në fund të shtatorit, Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka miratuar një ligj i cili ka afat deri në 6 muaj për të miratuar aktet nënligjore, por edhe për industrinë që të bëjë vetëdeklarime në lidhje me standardet që plotëson. Në këto kushte, askush nuk e ndalonte qeverinë që të ndante zonat rurale nga ato bregdetare e kështu me radhë, pavarësisht nga yjet dhe mbi këtë bazë të bënte taksimin. Në Shqipëri janë vetëm tre hotele që kanë me mbi 100 dhoma që sigurojnë standardet për të qenë me fitim, ndërsa pjesa më e madhe janë njësi me 20-30 dhoma dhe veçanërisht me sistemin B&B. Ne nuk shikojmë asnjë dritë jeshile që industria do të mund të sigurojë tregues pozitivë dhe të qëndrueshëm. Në një raport paraprak të hartuar nga GIZ për strategjinë kombëtare të turizmit, thuhet se Shqipëria vetëm pas 20 vjetësh mund të arrijë për nga numri i shtretërve Malin e Zi, sikur ky vend që nga ky moment të mos ndërtojë më. Pra ky vend, edhe pse ka një vijë bregdetare të kufizuar, arrin të ketë një zinxhir të plotë të turizmit.
A mendoni se me rishikimin e kësaj takse mund të arrihet të luftohet evazioni, duke qenë se hotelet do të jenë më të prirë që të bëjnë deklarime të sakta?
Po të bësh një analizë të numrit të shtretërve del në pah se gati 80% janë informalë, ku futen vilat apo apartamentet që jepen me qira e që do të mbeten jashtë skemës edhe me ligjin e ri të turizmit. Sistemin e mban në këmbë pjesa formale. Në Shqipëri përllogaritet që ka mbi 60,000 shtretër, ku pjesa më e madhe janë informalë. Ndaj në kushtet e mbijetesës do të rritet tendenca për të bërë evazion fiskal.
Ndërsa në lidhje me rishikimin e TVSH-së duket se kemi një premtim të pambajtur…
Të paktën në dy strategjitë e fundit që janë hartuar për turizmin ishte parashikuar që të ndërtoheshin 250-300 hotele me rreth 80-100 dhoma, që nuk u ndërtuan kurrë, sepse industria për shkak të taksave të larta është e penalizuar. Me gjithë kolapsin që pati ndërtimi, asnjë investitor nuk u kthye për të ndërtuar. Është industri në rrezik që në radhë të parë varet nga sezonaliteti, politika fiskale e vendit, klima rajonale, etj., dhe nuk është në gjendje që ta kthejë menjëherë investimin e bërë. Kjo ka bërë që rajoni të ndërmarrë politika fiskale lehtësuese për ta zhvilluar turizmin, si dhe të marrë në mënyrë indirekte burime të tjera. Çdo turist sipas Organizatës Botërore të Turizmit, angazhon 7 – 8 punonjës. Me këto shifra, çdo koment do të ishte i kotë. Për një ekonomi në krizë është më e rëndësishme që njerëzit të punësohen dhe turizmi e bën të mundur këtë.
…………..
Flet Kliton Gërxhani, konsulent turizmi
Modelet për të mbështetur turizmin nuk kanë nevojë të shpiken, shihni rajonin
Paketa Fiskale 2016 tashmë është në Kuvend, por nuk është parashikuar reduktimi i TVSH-së në turizëm, një sjellje e pritshme kjo..?
Ulja e TVSH tashmë nuk u realizua as me Paketën Fiskale të këtij viti për fat të keq. Ka një imazh jo korrekt për industrinë e turizmit në vend, që shumica dërrmuese nuk paguan taksa dhe ky imazh besoj se është edhe një nga shkaktarët kryesorë që ka ndikuar në këtë vendim të qeverisë. Turizmi nuk është sektori i vetëm në Shqipëri që ka një shkallë të lartë informaliteti, nuk besoj as se është sektori me shkallën më të lartë të informalitetit krahasuar me sektorët e tjerë. Që të mos paragjykohemi është mirë që të na sillen statistika të sakta për ta argumentuar këtë gjë dhe për t’i krahasuar sektorët me njëri-tjetrin. Së dyti, informaliteti nuk duhet të luftohet vetëm duke shtuar kontrollet e policëve tatimorë, por duke menduar se si të stimulojmë financiarisht këtë sektor që të rimëkëmbet. Ajo që po kërkojmë ne nuk është asgjë e tepërt, por që të barazohemi me terrenet fiskale në të cilat operojnë sektori i turizmit në vendet e rajonit, me të cilët e kemi edhe konkurrencën direkte.
Kemi mbi 5 vjet që e kërkojmë dhe e presim me shumë durim këtë gjë, që do të thotë që gjithë këto vite kemi humbur biznese, duke qenë në një klimë të disfavorshme biznesi krahasuar me konkurrentët.
A mund të jetë subvencionimi i TVSH-së një zgjidhje që mund të pranohet nga biznesi i turizmit në vend të reduktimit të shkallës?
Patjetër, forma ka më pak rëndësi në krahasim me realizimin e lehtësimit fiskal. Madje duhet të mendoj se si ta bëjmë sa më tërheqëse skemën, mbi bazë incentivash, siç e kanë edhe fqinjët, që bizneset të deklarojnë gjithçka prej interesit të biznesit dhe jo prej frikës. Modelet aty janë. Nuk është e nevojshme të shpiken, sepse funksionojnë tashmë në vendet fqinje, ku evazioni është shumë më minimal sesa në Shqipëri.
A mendoni se barra fiskale që vuan aktualisht industria po mban larg edhe Investimet e Huaja Direkte në këtë sektor?
Patjetër që po. Nëse nga barra fiskale bëhet e vështirë të operohet për një biznes vendas, si mund të jetë më e lehtë për një biznes të huaj, i cili ka dhe më shumë zgjedhje se ku mund t’i investojë paratë e veta? Kemi vetëm një kompani ndërkombëtare hoteli në vend (chain) dhe nuk po shohim askënd tjetër të investojë, ndërkohë në vendet e rajonit, çdo vit shtohet një emër zinxhiri hotelerik. Dhe nuk po flas këtu për Kroacinë dhe Greqinë, por për Malin e Zi, Serbinë e Maqedoninë, me potenciale shumë më të vogla turizmi sesa ne, por me vizion të qartë dhe vendosmëri për ta fuqizuar sektorin e turizmit.
Në Paketën Fiskale të vitit të ardhshëm është parashikuar që të ndryshojë një nga taksat vendore, siç është ajo e fjetjes në hotel duke u bërë me bazë fikse, cili është komenti juaj?
Bërja e kësaj takse fikse do të ndihmojë në luftën kundër evazionit fiskal, pasi bizneset do të raportojnë shifra të sakta, por nuk është një lehtësim për barrën e tyre fiskale.
Taksa prej 140 lekësh (1 euro) do të rrisë barrën fiskale gati tre herë për 80% të sektorit të hotelerisë, ndërsa do ta ulë për atë përqindje të vogël hotelesh që janë në Shqipëri me 4-5 yje. Më herët ne i kishim kërkuar qeverisë që këtë taksë ta bënte fikse, por më të përshkallëzuar, në mënyrë që hotelet në zona të ndryshme të vendit të mos trajtoheshin njësoj. Nuk mund të taksohet njësoj qëndrimi në një hotel në qendër të Tiranës, me atë në Tepelenë apo në Peshkopi, pasi flukset nuk janë të njëjta, volumi i punës nuk është i njëjtë. Nga ana tjetër, kjo taksë duhet të jetë e ndryshme edhe sa i përket sezonalitetit. Në sezonet e pikut të jetë më e lartë.
Le të sjellim shembullin e Kroacisë, e cila ka një taksë fjetjeje në hotel për net-qëndrim të përshkallëzuar ku vlera maksimale llogaritet në 1 euro. “Taksimi është i kategorizuar në bazë të yjeve të hoteleve, zonave dhe sezonalitetit dhe minimalisht kjo taksë llogaritet në rreth 30 lekë, nëse do ta konvertonim nga euro. Edhe në rastin e Shqipërisë duhet të ndiqet ky shembull.
Taksa e fjetjes
Neni 26, sipas ndryshimeve formulohet në:
- Baza e taksës së fjetjes në hotel është numri i netëve të qëndruara në hotel, për person
- Niveli tregues i taksës është 140 lekë për natë qëndrimi
- Këshilli bashkiak vendos për nivelin përkatës të taksës, brenda kufijve të përcaktuar në këtë pikë
- Detyrimi për taksën llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës së vendosur nga bashkia, për natë qëndrimi, me numrin e netëve të qëndrimit në hotel.
Nga E. Bedalli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.