Të jetosh si shqiptarët, turi i ri që po tërheq turistët e huaj

01/06/2019 10:11 PM 0 komente
Bari në fshatin Dhoksat

Tur-operatorët shqiptarë po përpiqen të diversifikojnë produktet, duke kaluar nga atraksioni te përvoja. Tur-operatorë dhe banorët lokalë po punojnë për të sjellë një paketë të re turistike në Qarkun e Gjirokastrës dhe rajonin e Jugut. Lehtësitë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm pritet të përmirësojnë klimën e punësimit në këto zona, të cilat vuajnë papunësinë dhe emigrimin. Si duket Shqipëria në sytë e tre tur-operatorëve ndërkombëtarë?

 

Nga Ledina Loga

 

Në Shqipëtri, shtëpia së pari i përket Zotit, e së dyti mikut. Këtë kishte në mendje Alket Premti kur hapi fillimisht dyert e shtëpisë së tij për turistët. Ndërtimi i rrugës që lidh Gjirokastrën me fshatin Tranoshisht, rreth 6 vite më parë, ndikoi që turistëve t’ju binte më shumë rruga në ato anë. Fshati është pranë rrënojave historike të qytetit antik të Antigonesë dhe turistët, të cilët në atë kohë ishin sporadikë, kishin nevojë për një pikë ndalese. Alketi fillimisht iu hapi dyert, për t’i furnizuar me ujë apo kafe, por shpejt kuptoi që prej kësaj mund të nxirrte edhe disa para.

Sot ai e ndan jetën midis qytetit të Gjirokastrës, ku punon si ekonomist, por siç thotë edhe ai vetë, me shpirt, dëshiron që të jetë gjatë gjithë kohës në fshatin e lindjes. Shtëpia e Alketit është tashmë një pikë ndalese për të gjithë turistët që shkojnë të vizitojnë Antigonen. Me kalimin e viteve, ai përmirësoi shërbimin ndaj turistëve dhe sot planifikon që përveç ushqimeve të ndërtojë edhe dy dhoma të vogla për fjetje. Është një investim i madh për të, por Alketi mendon se ka ardhur momenti që ta ndërmarrë edhe këtë hap.

Shtëpinë e Alketit e kanë vizituar turistë të kombësive të ndryshme, por gjermanët, anglezët dhe francezët përbëjnë shumicën e tyre. Ai e hap shtëpinë për turistët në pranverë deri në vjeshtë. Në 18 maj, Alketi priti një grup të madh, me 43 turistë francezë. Mikpritja në shtëpinë e tij nis me qerasjen e miqve me glikonë tradicionale të rajonit, të cilën e shërben bashkëshortja e Alketit e veshur me kostumin tradicional të zonës së Lunxhërisë. Në tryezën që ai shtron për miqtë gjen vetëm gatime tradicionale, të cilat janë marrë të gjitha nga kopshti i shtëpisë. Gastronomia është një nga pikat e forta në zonën e Lunxhërisë, me pjata të shumëllojshme dhe shije të pasur.

Edhe pse e shikon me optimizëm turizmin në zonë dhe kërkon që të shtojë investimet, ka gjëra të cilat e shqetësojnë. Problemi i parë që ai shtron është ndotja, keqadministrimi i mbetjeve. Por edhe interesi i vakët për t’u marrë me turizëm në zonën përreth. Në Tranoshisht ka vetëm 16 shtëpi dhe Alketi është i vetmi që ka filluar të merret me turizëm mirëfilli. Shtëpia e Alketit ishte ndalesa e parë për përfaqësuesit e tre tur-operatorëve të huaj, përkatësisht nga Amerika, Franca dhe Finlanda, të cilët u prezantuan me një produkt të ri turistik. Ata u nisën nga Tirana për të përjetuar në një udhëtim 6-ditor se si është të jetosh si shqiptarët.

Ndonëse bëhet fjalë për një program të ngjeshur, sikurse shpjegon edhe Loren Rroço, menaxher produkti në agjencinë Adventure and Fun Albania, qëllimi i këtij ‘udhëtimi familjarizimi’ është prezantimi i një produkti të ri për tur-operatorët e huaj. Kjo paketë kombinon aktivitete të ndryshme dhe përvojën në zonat rurale të Jugut të Shqipërisë.

 

Familja Koçi duke mbledhur erëzat me të cilat gatuan Pepekun

 

Kopsht në fshatin Trashonisht

Diversifikim i produkteve turistike, nga atraksioni te përvoja

Mirtjon Mita koordinon prej gati dy vitesh një projekt për zhvillimin e turizmit rural të financuar nga projekti i qeverisë zvicerane RisiAlbania, me një qasje të re për zhvillimin. Kjo synon të përmirësojë funksionimin më të mirë të tregjeve në mënyrë që të rritet cilësia e jetës e individëve që preken prej tij.

Qëllimi kryesor i projektit është diversifikimi i produkteve turistike dhe zgjatja në kohë e sezonit turistik. Të punosh me mendësinë e njerëzve në këto rajone është një ndër sfidat kryesore të projektit.

Mita tregon se kur bënë thirrjen për aplikim në këtë projekt zgjuan interesin e shumë tur-operatorëve lokalë dhe kombëtarë për të sjellë projektet e tyre. Në total pati 12 aplikime për thirrjen, nga ku dolën fitues 4 projekte nga 5 tur-operatorë, 3 prej të cilëve lokalë dhe 2 kombëtarë. Projektet, me vlerë nga 25-50,000 euro, në 50% të vlerës së tyre financoheshin nga projekti i qeverisë zvicerane RisiAlbania. Nëpërmjet këtij projekti do të krijohen 14 produkte të reja turistike.

Me anë të kësaj nisme projekti synon të nxisë tur-operatorët të bashkëpunojnë me operatorë lokalë në zonat rurale për krijimin e paketave të reja turistike. Për këtë qëllim, tur-operatorët shihen si aktorët kryesorë që mund të sjellin ndryshimin në këto zona, duke zgjuar nga njëra anë interesin e banorëve lokalë të mirëpresin turistë, dhe nga ana tjetër t’i mbështesin ata të arrijnë kapacitetet e nevojshme dhe standardet e kërkuara të shërbimeve që ofrojnë.

Në disa zona, Mita shpjegon se kanë qenë tur-operatorët që kanë përzgjedhur dhe bërë trajnimin e sipërmarrësve të vegjël në zonat rurale. Ata po punojnë me ndërgjegjësimin e tur-operatorëve që të krijojnë gjëra autentike dhe të kalojnë nga atraksioni te përvoja, duke u mbështetur te turizmi i qëndrueshëm. Kjo do të sjellë përfitime ekonomike edhe për banorët lokalë dhe do të krijojë vende të reja pune në zona që vuajnë papunësinë dhe emigracionin, por kanë potenciale të larta për zhvillimin e turizmit.

 

Rrënojat e qytetit antik të Antigonesë

Udhëtim në të kaluarën

Jo shumë larg Tranoshishtit, në një distancë më pak se 1 orë ecje, gjenden rrënojat e qytetit antik të Antigonesë. I ati i Alketit përpiqet që të mbajë hapur shtegun që përshkojnë në këmbë turistët e huaj, duke e pastruar herë pas here.

Turistët mund të shijojnë panoramën gjatë rrugës nga fshati deri në kodrën që Pirro i Epirit zgjodhi që të ndërtonte Antigonen, një qytet që u ngrit nga dashuria dhe u shua nga urrejtja. Qyteti pati një jetë relativisht të shkurtër, pasi u dogj nga romakët në mënyrë barbare. Mbreti Pirro i Epirit e ndërtoi qytetin në nder të gruas së tij, Antigonesë.

Qyteti, edhe pse pati jetë të shkurtër, u bë qendër kryesore ekonomike, politike dhe administrative e luginës së Drinos. Që prej vitit 2005, Antigonea ka funksionuar si Park Arkeologjik Kombëtar në varësi të Ministrisë së Turizmit. Rruga që të çon në qytetin antik përshkon një peizazh të mrekullueshëm natyror dhe historik përmes 5 fshatrave të komunës me emrin Antigone. Përveç rrugës automobilistike, është edhe shtegu për të gjithë ata vizitorë që kërkojnë ta përshkojnë në këmbë.

Qyteti i Antigonesë zë një sipërfaqe prej 45 hektarësh dhe është i ndërtuar mbi një kodër me dy kreshta, në një pikë shumë strategjike.
Ecja përgjatë shtegut dhe vizita në Antigone ishte pjesë e programit të ditës së parë, ku tur-operatorët u prezantuan me fillimin e një udhëtimi me shumë ngjyra.

 

Shumë receta të reja

Thonë se ushqimi është një ndër kënaqësitë më të mëdha të jetës dhe gatimet e zonës së Lunxhërisë janë vërtet të shijshme. Pjesë e këtij programi të ri turistik është edhe përvoja e të gatuarit në një nga familjet e zonës së Lunxhërisë. Landi Koçi, i zoti i shtëpisë, me krenari thotë se fshati Dhoksat është mbështetur te puna e grave nikoqire.

Duke qenë se paketa e re synon që të kalohet nga atraksioni te përvoja, është menduar që turistët të jenë gjithashtu pjesëmarrës në procesin e gatimit, por jo vetëm. Së pari, turistët dalin në kopsht dhe mbledhin përbërësit dhe erëzat që do të përdoren në gatim.

Pas rikthimit në kuzhinë, të zonjat e shtëpisë gatuajnë përpara turistëve pjatat tradicionale të zonës. Landi shpjegon se jo rrallëherë turistët, të intriguar, kërkojnë recetën e gatimeve që shikojnë, mirëpo ai iu shpjegon me dashamirësi që i gjithë sekreti është te produktet bio që rriten në fshat, të cilat është e pamundur t’i gjesh në markete.

Dhoksati është një fshat i vogël në Gjirokastër. Historikisht fshati është mbajtur nga emigracioni, por vitet e fundit ky fenomen është bërë më i dukshëm, ku në rrugët e fshatit has vetëm të moshuar. Prej vitesh, ai ka hapur dyert e shtëpisë për turistët. Vetëm gjatë 2018-s, mbi 100 turistë patën si pikë ndalese shtëpinë e tij. Grupet fillojnë që nga mesi i muajit mars dhe të fundit e mbyllin sezonin turistik në mesin e nëntorit. Pjesa më e madhe e tyre janë amerikanë, gjermanë dhe anglezë.

Përveç gatimeve, turistët kanë mundësi që të eksplorojnë fshatin, ku Landi tregon me detaje si ishte jeta dikur në të. Shtëpitë dy-trekatëshe të bëjnë të mendosh se banorët e tij dikur kanë qenë të pasur. Pjesa më e madhe e shtëpive datojnë rreth viteve 1850-1900 dhe kanë një arkitekturë të veçantë. Me ndërtimin e tyre, Landi shpjegon se janë marrë mjeshtrit grekë, emrat e të cilëve në pjesën më të madhe i gjen të gdhendur mbi portën kryesore të shtëpisë. Arsyeja pse banorët e hershëm të Dhoksatit zgjodhën ta ndërtonin jetën aty ishin tre burime të pashtershme të ujit.
Shkëlqimi i fshatit u zbeh gjatë viteve të komunizmit.

Ishte thuajse e pamundur që me të ardhurat që njerëzit siguronin në komunizëm të mirëmbanin shtëpitë, të cilat ishin ndërtuar nga njerëz të pasur, që kërkonin një lloj standardi në jetesë, duke jetuar në shtëpi që ndër të tjera kishin edhe kosto për t’u mbajtur. Objektet e kultit u zëvendësuan nga shtëpitë e kulturës, biblioteka, apo lokali i fshatit, ndërsa iu shtuan edhe shtëpitë përdhese të modelit komunist.

Dhoksati është gjithashtu pjesë e programit ‘100 fshatra’, të ndërmarrë nga qeveria për të zhvilluar turizmin rural apo agroturizmin. Megjithatë banorët e fshatit nuk kërkojnë shumë, përveçse gjërat minimale. Rruga që të çon deri në fshat është e asfaltuar deri në njëfarë pike, por më problematike mbetet administrimi i plehrave. Ndonëse rrugicat në lagjet e fshatit janë të pastra, në të dalë të tij, në shtegun që të çon te parcelat e mbjella me bajame, nuk mund të mos të vrasë sytë pirgu gjigant me plehra. Nuk dihet se kur ka qenë hera e fundit kur janë pastruar.
Landi thotë se mbeturinat i çon me makinën e tij në Gjirokastër, këtë e bën edhe për fqinjët që ka rreth, mirëpo ndonjëherë është e pamundur menaxhimi i tyre. Plehrat janë një dukuri e pakëndshme për të huajt dhe burim ndotje për zonën.

 

Të lundrosh mes historisë

Prej 2005-s, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. I pasur në histori, traditë dhe kulturë, çdo vit qyteti tërheq shumë turistë të huaj, megjithatë ai nuk është në ditët e tij më të mira. Prej muajit shkurt kanë nisur punimet për riparimin e kalldrëmit në Pazarin e Ri të Gjirokastrës.

Sipas operatorëve lokalë, punimet janë zgjatur përtej afateve të përfundimit dhe shirat (jo tipike për kohën) kanë bërë që terreni të jetë i vështirë dhe jo i këndshëm për sytë e turistëve që do të vizitojnë Gjirokastrën, qyteti i cili ka shumë për të dhënë te turistët, si nga historia, figurat e shquara dhe mënyra e jetesës së banorëve. Të gjitha rrugët kryesore të çojnë në qendër të Pazarit. Thonë se ambasadorët më të mirë të një vendi janë guidat turistike. Në Gjirokastër, guidat turistike janë të pakët në numër. Për të prezantuar qytetin te tur-operatorët e huaj, Adveture and Fun Albania kishte përzgjedhur Dinin.

Ai është një burrë te të 40-at, pedagog i letërsisë angleze në Universitetin e Gjirokastrës, i cili punon edhe si guidë. Ndonëse nuk e mban mend mirë kur bëri për herë të parë guidë në qytet, ai thotë se në dy vitet e fundit ka punuar intensivisht dhe është në proces certifikimi si guidë. Fillimisht, ishte pasioni që e çoi drejt këtij profesioni, pasi kur të huajt e pyesnin iu tregonte me kënaqësi për qytetin. Anglishtja e tij është e rrjedhshme. Me tipin karizmatik tërheq vëmendjen e turistëve, ndërkohë që tregon për historinë e qytetit të gurtë, prezanton figurat e shquara dhe kalanë dhe flet me detaje për mënyrën e jetesës së gjirokastritëve.

Kalaja e Gjirokastrës është ndërtuar në skajin më të lartë të qytetit, në një pikë strategjike. Ndër vite, kalaja ra shpesh në duart e pushtuesve, të cilët kanë lënë gjurmën tyre. Qyteti brenda kalasë është zgjeruar në periudha të ndryshme të historisë, që përpara shekullit të 12, pësoi rinovime edhe gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës pas 1812. Ndërsa Mbreti Zog zgjeroi burgun e kalasë në 1932.

Kalaja është e hapur për vizitorët dhe ka dy muze, ku shpaloset historia e qytetit në periudha të ndryshme. Muzeu i parë tregon për historinë ndër vite të Gjirokastrës, figurat e shquara që kontribuuan për të, evoluimin e kështjellës në vit. Por brenda kalasë turistët mund të gjejnë edhe një muze të dytë, atë të armëve, ku janë ekspozuar armë të periudhave të ndryshme, nga Mesjeta, Rilindja, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore.
Ndërtuar në pikën më të lartë, edhe panorama e qytetit poshtë kalasë është mbresëlënëse.

 

Më e bukura e Ballkanit

Gjatë mesjetës, qyteti u zhvillua edhe jashtë mureve të kalasë. Si qendër kryesore e Sanxhakut të Shqipërisë, qyteti lulëzoi dhe, si rezultat, lagjet e tij u zgjeruan me 434 shtëpi më 1583, që shënon pothuaj dyfishim brenda një shekulli. Banorët e asaj kohe kishin funksione të larta në Perandorinë Osmane. Një pjesë e mirë punonin në administratë, të tjerë merreshin me tregti apo ishin pronarë të mëdhenj tokash, kështu që familjet gjirokastrite kishin të ardhura të mira dhe kjo reflektohet në arkitekturën e shtëpive. Sot, disa prej tyre janë kthyer në pika atraksioni për turistët, sikurse është edhe Shtëpia e Skëndulajve. Ajo ishte një nga familjet më të pasura të kohës.

E ndërtuar ndërmjet shekujve 18-19, kjo shtëpi karakteristike ka rreth 64 dritare. Nasip Skënduli, një prej trashëgimtarëve të saj, mban hapur dyert për të gjithë ata turistë që duan ta vizitojnë. Ai ruan shtëpinë me shumë fanatizëm, ndërsa thotë se të gjitha të ardhurat që mbledh nga biletat me çmim simbol, shkojnë për mirëmbajtjen e shtëpisë. Në fillim të viteve ’80, ai u nxor jashtë banesës së tij nga regjimi i asaj kohe, i cili e zhvendosi nga shtëpia e tij shekullore në një apartament me vetëm dy dhoma. Trashëgimtarët e rimorën pronën në vitin 1993, por vetëm pas viteve 2000 do ta kthenin në një shtëpi muze, ku turistët do të dëshmonin mënyrën e jetesës së një familje tipike gjirokastrite të asaj periudhe.

Organizimi i brendshëm i shtëpisë është për t’u pasur zili edhe nga arkitektët e ditëve të sotme. Struktura e shtëpisë, ku çdo 1 metër muret ndahen me drurin e gështenjës e kanë bërë atë më rezistente ndaj tërmeteve. Ndërsa brenda kanë një depozitë me kapacitet 130 mijë litra, e cila mbledh ujin e filtruar të shirave, duke e kthyer në ujë të pijshëm, për gatim dhe larje, duke zgjidhur dhe problemin e furnizimit me ujë, prej të cilit qyteti i Gjirokastrës vuan. Shtëpia ka dhoma që përdoreshin për verë, dhoma të cilat përdoreshin për dimër, njëkohësisht disa prej tyre janë të shoqëruara edhe me hamame, luks jo vetëm për kohën e atëhershme.

Tavanet janë prej druri të zbukuruara me motive të kohës. Mbi dyer apo mbi oxhak, edhe sot gjen nga një kokërr shegë. Lulja e shegës është motiv që zbukuron edhe dyert e shtëpisë. Guida shpjegon se shega është simbol i fatit të mirë në Gjirokastër. Kokrrat e shegës tregojnë unitetin që duhet të ketë familja dhe është simbol i pjellorisë. Ndonëse thuhet se stili i ndërtimit është ndikuar nga periudha otomane, guida shoqëruese thotë me shaka nëse mund të gjejmë një shtëpi të ngjashme në Ballkan apo më gjerë. Jo më kot, Shtëpia e Skëndulajve është shpallur “Më e bukura e Ballkanit” në vitin 1963.

 

Grupi iso-polifonik Argjiro

Të përcjellësh kulturën nëpërmjet muzikës

Është e vështirë që në vetëm pesë ditë të transmetosh të gjithë kulturën Qarkut të Gjirokastrës, por nuk mund të mungonte prezantimi i tur-operatorëve të huaj me iso polifoninë. Grupi “Argjiro” janë dekoruar nga presidenti me titullin “Mjeshtër i Madh”. Grupi përbëhet nga pesë anëtarë, ku më i vogli iu është bashkuar së fundmi.

Në 2005-n, iso polifonia u përfshi në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO. Këngët iso polifonike kanë tematika të ndryshme, ato thuren për trimërinë, dashurinë, emigrimin etj. Sfida është që iso polifonia të përcillet nga brezi në brez, ndonëse anëtarët e grupit e shikojnë pak të vështirë. Rajonet e Jugut të Shqipërisë, Lalëria (Myzeqeja), Çamëria dhe Labëria e kanë pjesë të kulturës së tyre iso polifoninë.

 

Kisha e Fjetjes së Virgjereshës

Misteri i një kishe

Kisha e Fjetjes së Virgjëreshës është mbase një nga manastiret ortodoksë më misteriozë të Kindjes. Ajo është e ndërtuar në shekullin e 6 pas erës sonë në kohën e sundimit të Perandorit të Bizantit Justinian, në fshatin piktoresk të Labovës.

Besohet se ai e urdhëroi ndërtimin e kësaj kishe në nder të së ëmës. Në sakramentin e kishës kishte një copëz të kryqit ku është kryqëzuar Jezusi, ndaj sot zona quhet Labovë e Kryqit. Kjo pjesë relike është vjedhur kohë më parë dhe nuk është gjetur më, por ka veshur kishën me mister.

Sot Labova e Kryqit është një atraksion turistik për vizitorët. Pak vite më parë kisha u restaurua. Edhe pse shumë i nevojshëm për të ruajtur ekzistencën e kishës, çdo restaurim dëmton afresket e kishës. Pjesa më e madhe e dëmit është bërë gjatë periudhës komuniste, ku afresket e kishës u lyen me ngjyrë të bardhë.

Misteri i kësaj kishe u përcoll edhe te tre operatorët të huaj, të cilët edhe pse i përkisnin besimit katolik, përjetuan një ndjesi të veçantë. Labova e Kryqit cilësohet si një nga monumentet më të veçantë të së gjithë periudhës bizantine në Ballkan.

 

Aventurë dhe qejf në Shqipëri

Pas vizitës në Kishën e Labovës së Kryqit, tur-operatorët përshkuan më këmbë për gati dy orë rrugën që lidh Labovën me fshatin Libohovë. Pas pushimit dhe drekës në një agroturizëm në këtë fshat, grupi kishte planifikuar që të kryente një tur me biçikleta malore ose të eksploronte zonën nëpërmjet makinave. Eksplorimi i Qarkut të Gjirokastrës u mbyll me rajonin e Zagorisë, ku turistët përjetojnë ndjesitë e të jetuarit në fshat dhe u bashkohen fermerëve në detyrat e tyre të përditshme, si për shembull mjeljen e bagëtive, si dhe shikojnë procesin se si qumështi bëhet kos dhe djathë në një nga baxhot e zonës.

Pas katër ditësh eksplorim të Qarkut të Gjirokastrës, tur-operatorët njihen me bregdetin piktoresk të Jonit dhe perlat historike që ka në këtë rajon. Vizita e parë është në Butrint, gjithashtu pjesë e Trashëgimisë së UNESCO-s dhe më pas në Ksamil. Pjesë e paketës është edhe vizita e Porto Palermos. Përveç bukurive natyrore, gjiri njihet për bazat ushtarake që janë ndërtuar në të.
Udhëtimi përfundon në Dhërmiu dhe drekën në Llogora, ku pjesa më interesante është Ballkoni i Llogorasë në lartësinë 1050 metra, ku shikohet e gjithë riviera.

 

Përshtypje për Shqipërinë

Ndërkohë që viziton Shqipërinë për të prekur më nga afër këtë produkt të ri turistik, Charlotte Gea, nga agjencia franceze Copines de Voyage, njoftohet se dy grupe me turistë francezë konfirmuan udhëtimin e tyre për në Shqipëri. Ajo thotë se në krahasim me një vit më parë ka më shumë udhëtime të planifikuara drejt Shqipërisë. Ndër paketat më të kërkuara janë eksplorimi i shtigjeve, turet discovery dhe paketat Sea‘n Sun.

Për këtë produkt të ri, Charlotte gjeti mjaft interesante vizitat në shtëpitë pritëse në fshatrat e Gjirokastrës, por nuk la pa përmendur edhe pamjet mahnitëse që shoqëruan shtigjet ku bënë hiking. Kur të kthehet në Francë, ajo do të vendosë nëse do ta bëjë pjesë të paketave në agjencinë ku ajo punon këtë produkt të ri turistik.

Më së shumti, paketat kanë pasur pjesë veriun e Shqipërisë, apo zonat bregdetare.
Në këtë udhëtimin familjar merrte pjesë edhe Anna Claire Eddington, nga agjencia amerikane Adventures in Good Company. Shqipëria nuk është përfshirë ende në paketat e kësaj agjencia. Agjencitë vendase parapëlqejnë të bashkëpunojnë me turistët amerikanë. Sipas tyre, puna me amerikanët është e lehtë dhe kryesisht janë turistë të cilët shpenzojnë. Megjithatë tur-operatorët shtojnë se është punuar pak me promovimin e Shqipërisë për turistët amerikanë.

Anna është pak skeptike nëse do të mund të krijojë një paketë me këtë produkt të ri, pasi shumë pak e njohin Shqipërinë. Turistët do të stepen për të shpenzuar në diçka që kanë pak njohuri. Edhe pse Shqipëria është e lirë, biletat e avionit kushtojnë. Ajo është e mendimit që nëse paketat kombinohen me vendet e tjera të rajonit, mundësitë për të tërhequr turistë nga Amerika janë më të mëdha.

Agjencia finlandeze Mandala Travel prej 4 vitesh sjell turistë finlandezë në Tiranë. Ndërkohë që Sami Kullberg, përfaqësues i agjencisë po prezantohet me produktin e ri, një grup turistësh nga Finlanda po bën hiking në jug të Shqipërisë. Çdo turist që ka vizituar jep përshtypjet për udhëtimin dhe pjesa më e madhe, sipas tij, janë pozitive. Programet zgjasin mesatarisht deri në 9 ditë, ndërkohë që turet zgjasin nga 7-10 ditë. Çmimet në Shqipëri, sipas tij, janë të lira, krahasuar me rajonin dhe ky është avantazh. Për këtë produkt turistik, ai vlerësoi panoramën, prezantimin e traditës së rajonit dhe ecjet në fshatrat që vizituan.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of